Zëri i Amerikës: Edi Rama, mbrojtës i flaktë i Tahirit
Zëri i Amerikës ka raportuar dorëheqjen nga mandati i deputetit nga ana e Saimir Tahirit. Në shkrimin e botuar mesditën e sotme, Zëri i Amerikës thotë qëndri i Edi Ramës ndaj hetimeve të Prokurorisë për ish-ministrit, u vlerësua si një mbrojtje e hapur e kryeministrit për Tahirin.
“Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte qenë një mbrojtës i flaktë i zotit Tahiri, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuahës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish ministrit”,- raporton Zëri i Amerikës.
Shkrimi i plotë i Zërit të Amerikës për dorëheqjen e Tahirit:
Në Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, nën hetim për dyshimet se ka patur lidhje me një grup trafikantësh të marijuanës, njoftoi sot tërheqjen e tij si deputet dhe dorëzimin e mandatit.
Gjatë një komunikimi me mediat, dhe përmes një fjalimi të gjatë zoti Tahiri e shpjegoi vendimin e tij me faktin se “unë nuk jam njëri nga rraca e atyre që rri në parlament për pazar a për shpëtim.
Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do jem deputet por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milion shqiptarët e tjerë”, theksoi zoti Tahiri duke shtuar se “si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë e të gjithë ata që besojnë ende tek mua, do përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull e sot shesin dëngla, e nuk do dorëzohem për asnjë çast”.
Ish ministri i Brendshëm u vu nën akuzë nëntorin e shkuar, për dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.
Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte qenë një mbrojtës i flaktë i zotit Tahiri, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuahës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish ministrit.
Opozita e ktheu këtë çështje në një kalë të betejës së saj politike, duke lëshuar akuza të forta ndaj tij. Ish ministri i Brendshëm tha sot se e konsideron të papranueshme “të dëgjoj që ma bëjnë gjyqin kjo rracë që me politikë ka vjedhur e prej politikës nuk është ndëshkuar….Nuk e pranoj për askënd e asgjë, kurrë. As fshihem pas parlamentit, as rri në parlament për të marrë rrogën kot, as për ti bërë hije ndokujt, as për të kapur ndonjë tender a ca lekë, dhe aq më pak për të pasur paprekshmëri”.
Ai shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe “kam duruar, kështu duke dëgjuar e nuk kam folur, për të respektuar të vërtetën time dhe drejtësinë. Ndaj kam heshtur. Por – theksoi ai – po e them thjeshtë; në qoftë se ka njeri që heshtjen time në respekt të drejtësisë e ka marrë për nënshtrim, për dobësi, për frikë apo dorëzim, nuk më keni njohur fare ndaj rimendojëni e bëjini llogaritë nga e para”.
LEXONI EDHE
- Tahiri hidhet në sulm para ndalimit nga Prokuroria
- Xhafaj: Nuk u heq asnjë presje atyre që kam thënë deri tani
- Tahiri lë mandatin! Kryemadhi: Teatër, opozita gati për zgjedhje
- Dorëheqja e Tahirit, Balla: Vendim personal
- Manjani: Tahiri, qëndrim dinjitoz. Meriton respekt
- Zëri i Amerikës: Edi Rama mbrojtës i Tahirit