“Zëri i Amerikës”: Kosovë, pakënaqësi me propozimin e qeverisë për modifikimin e afatit për targat e makinave
Vendimi i qeverisë së Kosovës për të modifikuar afatin për konvertimin e targave të makinave ngjalli reagime të diplomatëve amerikanë dhe opozitës në Kosovë.
Qeveria e Kosovës vendosi tri ditë para skadimit të afatit të vendosur prej saj, të “shkallëzoj” zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.
Shtetet e Bashkuara u shprehën të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve të ndërkombëtarë për ta shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për dhjetë muaj, ndërsa ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha mbrëmë gjatë një debati në Konferencën e sigurisë në Beograd, se është i zhgënjyer që për shkak të çështjeve të vogla teknike janë lënë anash tema të mëdha.
“Jam shumë i zhgënjyer me këto, jam i zhgënjyer të shoh që çështjet si energjia elektrike në veriun e Kosovës vazhdojnë të diskutohen me muaj të tërë pa asnjë rezultat për shkak të gjërave të vogla në ndërkohë ne kemi një situatë të brishtë dhe mund t’ju se shekuj nga tash ne nuk do të jemi dhe njerëzit nuk do të jenë duke diskutuar për targat e makinave në Kosovë. Do të flasin për këtë sulmin barbar nga Rusia ndaj fqinjit të saj dhe kjo është çështja që duhet të gjithë t’i shqetësoj, si ushqimi, energjia dhe jemi duke folur për armët nukleare së fundmi që është shumë më e rëndësishme se targat e makinave”, tha ai.
Partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit.
Bernard Nikaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha sot gjatë një konference me gazetarë se qeveria po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të saj dhe po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.
“I gjithë debati i ditëve të fundit ka qenë i fokusuar në çështjen se a do të zbatohet vendimi legjitim i qeverisë nga data 1 nëntor, apo do të aprovohet kërkesa e SHBA-ve për shtyrje të zbatimit të vendimit për 10 muaj. Në fund, kryeministri ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta shtyjë zbatimin e vendimit për gati 6 muaj, duke u tërhequr nga qëndrimi i tij, por edhe duke e sjellë Kosovën në pozitë të pafavorshme në raport me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, tha zoti Nikaj.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku shkroi në rrjete sociale se “është tejet brengosës fakti që qeveria e Shteteve të Bashkuara shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e qeverisë së Kosovës”, ndërsa nënvizoi se Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë siç dhe e ka domosdoshmëri bashkërendimin me aleatët historik në ndjekjen e synimeve të veta strategjike.
Me vendimin e qeverisë janë vendosur disa afate për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. Sipas qeverisë nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe nga 21 janari do të përdoren targat provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk do të lejohen targa tjera në Kosovë.
“Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin e ligjin por në anën tjetër ta kemi përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”, tha kryeministri Kurti.
Por vendimi u prit me reagime nga Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate kjo listë tha se “shqiptimi i masës së parë të gjobës do të jetë shkak për përgjigje dhe rezistencë të ashpër të popullit serb”, ndërsa nënvizoi se njoftimi i kryeministrit Kurti “nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të vazhduar me planin e dëbimit të serbëve nga vatrat e tyre shekullore”.
Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë./VOA/