“Zëri i Amerikës”: Presidenti Trump kritikon ashpër Zelenskiyn, e quan “diktator të pazgjedhur”

Presidenti amerikan Donald Trump e quajti të mërkurën Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy “një diktator i pazgjedhur”, pasi ky i fundit tha se Trump po jeton në një “hapësirë dezinformimi” të shkaktuar nga Rusia. Këmbimet sinjalizojnë një përkeqësim të shpejtë të marrëdhënieve mes dy udhëheqësve, që do të ndërlikonin përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.
Zoti Trump e kritikoi ashpër zotin Zelenskiy në një postim në mediat sociale, duke e quajtur atë “një komedian me sukses modest”, i cili “arriti të bindte Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të kishte filluar kurrë, por një luftë që ai (Zelenskiy), pa SHBA dhe “TRUMP”, nuk do të mund ta zgjidhë kurrë.
Zoti Trump vazhdoi duke thënë se e vetmja gjë për të cilën zoti Zelenskiy kishte qenë i zoti ishte manipulimi i paraardhësit të tij Joe Biden.
Presidenti Zelenskiy tha më herët se donte që ekipi i zotit Trump “të ishte më i sinqertë” në reagimin e parë pas një sërë komentesh të ashpra nga zoti Trump bëri një ditë më parë, përfshirë sugjerimin se Kievi ishte fajtor për fillimin e luftës, e cila hyn në vitin e saj të katërt javën e ardhshme.
Lufta filloi kur Rusia ndërmori agresionin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Komentet e dy presidentëve ishin një përplasje e papritur mes udhëheqësve të dy vendeve që kanë qenë aleatë të vendosur në vitet e fundit nën administratën e zotit Biden, gjatë së cilës SHBA dërgoi pajisje kritike ushtarake për Kievin për të shmangur pushtimin dhe përdori ndikimin e saj politik për të mbrojtur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë në skenën botërore.
Replikat mes dy udhëheqësve vijnë ndërsa i dërguari i presidentit Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg vizitoi Ukrainën. Ai u tha gazetarëve në Kiev se ai ishte në Ukrainë për të dëgjuar shqetësimet e udhëheqësve ukrainas dhe për t’ia përcjellë ato Presidentit Trump.
/VOA/