Zgjedhjet në Kolonjë, test për dyshen Rama-Meta. Prapë PS-ja pabesi ndaj LSI?!
Pas Dibrës, Bashkia e Kolonjës është përballja e radhës politike. Ndarja e parakohshme nga jeta e kryebashkiakut, Arben Malo, detyron institucionet, sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të zhvillojnë zgjedhje brenda 45 ditëve.
Edhe pse bëhet fjalë për një zgjedhje të pjesshme, afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, e bënë këtë bashki një sprove tjetër të rëndësishme elektorale. Por nga një test elektoral pozitë-opozitë, dy partitë kryesore PS-PD po kthejnë këtë fushatë në përballje mes partive aleate të brenda koalicioneve të tyre.
Partia Demokratike ka vendosur që në këtë zonë të mos kandidojë me një kandidat të sajin. Edhe pse ende jo zyrtarisht, selia blu mësohet se ka vendosur që garën në Kolonjë t’ja lërë në dorë Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës. Kandidati i përcaktuar mësohet se është Dritan Hajron, vëllai i ish-deputetit socialist të Kolonjës, Sokol Hajro. Janë disa arsye që duket se e kanë çuar PD-në në këtë vendim. Kolonja është një zonë e majtë dhe PD-ja nuk do të rrezikojë duke testuar kandidatë të tjerë. Gjithashtu, humbja e përballjes në Dibër, që nga lokale u kthye në kombëtare e ka detyruar PD-në ti shmanget imazhit të një humbje tjetër me 4 mijë vota minus s’i ajo e Dibrës.
Por këto arsye janë vetëm një pjesë e asaj çfarë flitet nën zë në Partinë Demokratike. Pas këtij kandidimi fshihen edhe arsye të tjera që flasin për një lojë mes PS dhe PD-së.
Kolonja është në zonë në të cilën në vitin 2015 u fitua nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Normalisht që dhe kandidati për zgjedhjet e reja do të jetë i kësaj force politike. Në këtë pikë zgjedhja e kandidatit nga aleatët e PD-së duket se nuk ka qenë e rastësishme. Është futur në garë një person me lidhje familjare të majta, për të ulur peshën e elektoratit të majtë të LSI-së. Një lëvizje e tillë duket se është bërë në marrëveshje, në heshtje, mes PS dhe PD. Duket se dy partitë kryesore e kanë lënë Kolonjën në dorë të aleatëve dhe jo pa një qëllim.
Partia Socialiste duket se do të ndjekë në Kolonjë të njëjtën skemë që LSI-ja ndoqi në Dibër. Kreu i PS-së, Edi Rama pritet të mos shkojë në fushatë, po ashtu dhe ministrat e tjerë kryesorë dhe zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste. Kjo është një mënyrë për t’i kthyer “reston” LSI-së për mungesën e angazhimit maksimal, siç mendon PS, në Dibër. E tha pas zgjedhjeve ministri Gjiknuri, si nën zë, por shigjetoi LSI.
Nga ana tjetër, PD-ja me një kandidat të PAA shpëton nga “turpi” i një humbje tjetër dhe nuk e kthen Kolonjën në një tjetër betejë ku angazhohet gjithë partia.
Gjithsesi, gara e Kolonjës do të vërë në test dhe marrëdhënien Rama-Meta. Nëse PS, dhe personalisht Kryeministri e lë aleatin e tij vetëm në këtë garë do duken edhe simptomat e koalicionit ose jo të LSI me PS në zgjedhjet parlamentare 2017. Në fushatën e vitit 2015, PS-ja e preu në besë në disa bashki LSI,çka u reflektua në tensionin mes tyre.
Nuk është çudi që në Kolonjë të përdorin të njëjtën taktikë PS-ja si në maj 2015, kur udhëzoi fshehur degët e PS-së që të votonin kandidatët e PD-së dhe jo të LSI.
Mbetet të shikohet bashkia e Kolonjës se si do bëhet fushata dhe si do angazhohet Edi Rama për të parë zgjedhjet e vitit 2017, me LSI apo pa LSI do jetë PS.
LSI do jetë me sy përballë PD-së dhe me veshë nga PS-ja e cila mund të pëshpërisë prapë fshehur: Votoni Dukën!