Diplomati Arben Çejku: Mesazhi i Zaev tregon gropën elektorale që ka para këmbëve të tij Edi Rama

Nga Arben Çejku (Diplomat karriere, ish-ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut)
Apeli i sotëm i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev drejtuar votuesve në Shqipëri e, veçanërisht përfaqësusve të komunitetit maqedonas, për të votuar PS dhe mikun e tij Edi Ramën, thyen një normë dhe kod të sjelljes ndër-shtetërore, kur në njërin nga dy vendet tona zhvillohen zgjedhje. Për më tepër ai krijon një precedent të rrezikshëm, nga i cili më shumë mund të dëmtohet vetë Zaev dhe partia e tij LSDM, që ai drejton, sesa ndihmon PS në Shqipëri. Në fakt, “precedentin” rajonal për futje hundësh në zgjedhjet e një vendi fqinj, për herë të parë e krijoi Edi Rama, kur kapërceu gardhin protokollar dhe, publikisht u kërkoi shqiptarëve të Malit të Zi të votojnë mikun e tij, Milo Gjukanoviç. Por, të gjithë e dimë që ky apel bëri efekt të kundërt dhe Gjukanoviç humbi zgjedhjet.
Apeli që ka lëshuar sot Zaev ka një pikënisje dhe justifikim “patriotik” krejt fallco, sepse, bashkëkombasi i tij, Vasil Kërstin Sterjovski, nuk ka asnjë shanc real që të zgjidhet deputet në votimet e datës 25 prill. Kjo për shkak se “miku” i tij, Edi Rama është “kujdesur” që ta vendosë “përfaqësuesin” maqedonas në fund të listës (numri 12) së kandidatëve të qarkut Korçë, e cila ka gjithsej 11 mandate! Kandidatura e zotit Sterjovski është, pra, vetëm “sebepi” për t’i kthyer nderin mikut të tij socialist në një ditë të vështirë elektorale. Dikur, nëse e mbani mend, ishte zoti Rama ai që u investua që Zaev të vinte në pushtet, anipse VMRO-DPMNE kishte fituar një deputet më shumë. Po ashtu, në kohën e vështirë të negociatave të Zaev me partitë shqiptare e sidomos me BDI, për të forumuar qeverinë Zaev II, ishte Rama që ndërhyri nga Tirana.
Forma e mesazhit dhe koha e publikimit që ka zgjedhur Zaev për të ndihmuar “mikun” e tij Edi Rama, është krejt e gabuar. Asnjë lider tjetër para tij nuk e ka bërë një hap të tillë të paprecedent, sepse kjo krijon shije të keqe jo vetëm tek shqiptarët në Shqipëri, por edhe tek shqiptarët dhe maqedonasit në Maqedoni. Zaev mund ta mbështeste Ramën p.sh, me vaksina, por jo me një mesazh të tillë atipik. Fjalët e tij dhe apeli për të votuar Edi Ramën, jo vetëm që nuk e dëmtojnë në apsektin elektoral opozitën, por përkundrazi, ekspozojnë më qartë gropën elektorale që ka para këmbëve të tij zoti Rama, e cila duhet të jetë shumë e madhe përderisa ajo shihet që nga Shkupi…
Unë do të dëshiroja që opozita mos ta merrte seriozisht këtë thyerje protokollare të zotit Zaev, sepse në fund të fundit, ajo, si alternative e qeverisjes së ardhshme, ka për qëllim që në politikën e jashtme të forcojë marrëdhëniet me fqinjët, pavarësisht se kush është në drejtim të qeverive të këtyre vendeve.

Më shumë se nervozizëm, ky mesazh ka shkaktuar habi dhe humor duke zvogëluar akoma më shumë në sytë e qytetarëve lidershipin e Zaevit. Personalisht më vjen keq që “miku” nga Tirana e ka detyruar homologun e Shkupit të krijojë një precedent kaq të pakëndshëm dhe të papranueshëm në marrëdhëniet e shkëlqyera Tiranë – Shkup.
Të gjithë atyre që sot janë zemëruar me Kryeministrin Zaev, për këtë gafë që ka bërë, do ju sugjeroja ta konsideronin atë një shaka pa kripë dhe të presim datën 26 prill, kur ai do të urojë fituesin e vërtetë të zgjedhjeve në Shqipëri.

A ju kujtohet se si dy komedianët rusë, e vunë në lojë dhe u tallën me Zoranin në vitin 2019, kur ai bisedoi “zyrtarisht” me to në telefon, i bindur se po fliste me Presidentin e Ukrahinës? Prandaj, sot le të qeshim me Zoranin elektoral të telefonit rus, dhe të harrojmë mesazhin e tij duke respektuar Kryeministrin Zaev të Maqedonisë së Veriut. Në teatrin e madh të zgjedhjeve, ndodhin edhe episode të tilla komike….

SHKARKO APP