Zv/ministrja kundra ministres së kulturës. Ministrja: Godina do shëmbet!

Në qeveri ka edhe njerëz me kurajo dhe integritet të spikatur. Zv/ministrja e Kulturës, Valbona Shijaku e ftuar në studion e “360Gradë” në Ora News pranoi se ligji për artin dhe kulturën ka pasur gabime nga ana e Ministrisë së Kulturës. Zj.Shijaku ka thënë pa asnjë ndrojtje se kemi gabuar.

“Ligji për artin dhe kulturën, besoj se është një keqkuptim. Besoj është për gabim të Ministrisë së Kulturës. Kemi bërë një gabim gjatë hapave. Ideja është për të bërë disa ndryshime në ligj të bëra nga juristët që nuk janë as artistë dhe as aktorë. As unë nuk e kam pasur të qartë. E pranoj. Janë disa gjëra që janë keqkuptuar në shprehje kur flitet për institucionet e varësisë. Këtu është gabimi jonë për të mos u krijuar ky keqkuptim”, tha zv.ministrja.

Fakti që zv/ministrja pranon gabimin dhe këtë e thotë publikisht tregon se ka elementë demokracie në qeveri e jo gjithçka mbetet arrogante, siç akuzohet. Në një farë mënyre zv/ministrja ka rrëzuar kryeneçësinë e ministres Kumbaro, e cila nuk pranon asnjë kompromis me artistët, ndonëse deklaron se “jam për bisedime”.

Ndërkohë një fakt rrënqethës është treguar gjatë emisionit. Aktori i njohur Bujar Asqeriu tregoi fakte rrëqethëse nga ajo që ndodh në sallën e Teatrit Kombëtar. Ai kujtoi aktorin Roland Trebicka se ishte i sëmurë me kancer në mushkri dhe për shkak se në teatër nuk kishte ngrohje, ai ngrohte duart me filxhanin e çajit. “Administrata jonë nuk ka respekt për artistët. Kurse Ermal Meta rritet në dashuri dhe ngrohtësi artistike. Ai ka rrethana shumë të ndritshme. Ne dridhemi. I madhi Roland Trebicka ngrohte duart në filxhanin e çajit për shfaqjen e Ismail Qemalit. Këto janë tmerre. Këto janë të vërteta. Po dridhej, si i sëmurë me kancer në mushkëri”, tha ai në “360 gradë”.

Në një televizion tjetër, ministrja e kulturës Mirela Kumbaro në Top Channel deklaron se godina e Teatrit Kombëtar do shembet me çdo kusht. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u përball me artistët në emisionin “Top Show” të gazetarit Alban Dudushi. Ishte i ndezur debati përballë artistëve të skenës Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina.

Aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. “Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë” – tha ai.

Ministrja Kumbaro iu përgjigj se nga një analizë e bërë për Teatrin Kombëtar është vënë re se ajo godinë e ndërtuar nga italianët nuk i përmbush sot asnjë nga kushtet. Sipas ministres, në bazë të kësaj analize çdo investim restaurimi është shpenzim i kotë ndaj është hedhur ideja e ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

“Në këtë truall do të ndërtohet një teatër kombëtar dinjitoz. Në këtë truall të bëhet ky Teatër. Këtë nuk e kam fshehur. Më lejoni ta them dhe e regjistroni. Ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë Kombëtar në këtë zonë. Në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë kemi folur edhe për ndërtimin e disa institucioneve kulturore. Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare” – tha Kumbaro.

SHKARKO APP