100 vjetori i Luftës së Vlorës, rijetëzohet kënga himn (VIDEO)

Në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës është bërë rijetëzimi i këngës himn ”VLORA, VLORA”. Pas restaurimit të këngës së Kongresit të Lushnjë, ky është rasti i dytë i rijetëzimit të trashëgimisë historike artistike në fushën e muzikës patriotike.

Akademiku Vasil Tole, thotë se rijetëzimi i këngës himn është bërë i mundur nga këngëtari zë artë Josif Gjipali dhe kompozitori i mirënjohur Klodian Qafoku përmes riharmonizimit, riorkestrimit për orkestër simfonike dhe rikëndimit të saj.

“Kjo këngë u krijua gjatë Luftës së Vlorës nga shqiptaro-amerikani i madh Thoma Nasi, dirigjenti i Bandës Kombëtare VATRA, pjesëmarrës në atë luftë, mbi poezinë e vlonjatit të rrënjës Ali Asllani. Thoma Nasi theksonte se dëshira për një muzikë të re, i dha atij mundësinë të kompozonte shumë këngë. Njё nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte kur pas largimit të italianëve, të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora. Kënga pati sukses të menjëhershëm dhe brenda pak ditëve u përhap në të gjithë Shqipërinë. Në një nga transmetimet e saj në radio, Dorothe Thompson tha se shqiptarët kur hidheshin në sulm kundër italianëve këndonin këngën “Vlora, Vlora”. Kjo këngë është bërë një nga klasiket shqiptare dhe ende këndohet sot. Gjëja që më ka habitur e befasuar më shumë është se si këngët që shkruaja arrinin të shpërndaheshin pothuajse brenda natës në të gjithë vendin dhe të këndoheshin e ekzekutoheshin pa nota të shtypura nga orkestrat vendase. Kudo që vizitonim qytete të mëdhenj a të vegjël, popullata vendase do të na përshëndeste duke kënduar këto këngë”.

Nga ana tjetër, ai thekson se kënga në fjalë, si trashëgimi shpirtërore e asaj epopeje vjen në 100-vjetorin e Luftës së Vlorës si dëshmi unike e asaj lufte heroike që ribëri Shqipërinë. ”Ajo do të shpërndahet në një botim të veçantë si CD, për pjesëmarrësit e konferencës shkencore që do të organizojë Akademia e Shkencave si dhe për publikun e gjerë”.

SHKARKO APP