21 qershori, Dita Botërore e Muzikës, kur bota flet me gjuhën universale të harmonisë së tingujve
Albert Vataj
Sot, më 21 qershor, kremtohet Dita Botërore e Muzikës, një festë ndërkombëtare që i kushtohet artit më të drejtpërdrejtë të shpirtit njerëzor, muzikës. E themeluar në Francë në vitin 1982 nga ministri i Kulturës, Jack Lang, në bashkëpunim me kompozitorin dhe drejtuesin kulturor Maurice Fleuret, kjo nismë lindi me synimin për t’u krijuar hapësirë të gjithë muzikantëve, profesionistë dhe amatorë, që të ndajnë talentin e tyre me publikun nëpërmjet performancave të lira dhe të hapura.
Data 21 qershor nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo përkon me solsticin e verës, ditën më të gjatë të vitit në hemisferën veriore, një moment simbolik ku drita arrin kulmin e saj. Në këtë përkim natyror, organizatorët panë një metaforë të fuqishme: ashtu si drita që shpërndahet mbi tokë, edhe muzika përhapet pa kufij, duke ndriçuar mendjet, duke prekur zemrat dhe duke bashkuar njerëzit përtej dallimeve gjuhësore, kulturore apo shoqërore.
Me moton e famshme franceze “Faites de la musique”, “Bëni muzikë”, kjo festë u shndërrua shpejt nga një iniciativë kombëtare në një lëvizje globale kulturore. Sot ajo kremtohet në më shumë se 120 vende të botës, duke kthyer rrugët, sheshet, parqet, teatrot dhe hapësirat publike në skena të hapura ku arti i tingullit bëhet pronë e të gjithëve. Thelbi i kësaj dite qëndron te ideja se muzika nuk duhet të mbetet e kufizuar në sallat koncertale apo institucionet elitare, por të jetë e pranishme në jetën e përditshme, pranë njerëzve, si një e drejtë dhe kënaqësi universale.
Në Shqipëri, Dita Botërore e Muzikës shënohet çdo vit me koncerte, aktivitete artistike dhe performanca të organizuara nga bashkitë, institucionet kulturore, shkollat artistike dhe grupet muzikore. Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, kjo ditë shndërrohet në një festë të hapur ku tingujt e muzikës mbushin hapësirat publike dhe krijojnë atmosfera gëzimi, bashkëndarjeje dhe frymëzimi.
Nga Parisi në Nju-Jork, nga Roma në Tokio, nga sheshet historike të Europës deri te metropolet moderne të botës, Dita Botërore e Muzikës sjell në skenë të gjitha ngjyrat e universin muzikor: muzikën klasike dhe simfonike, folklorin dhe traditën popullore, jazz-in, rock-un, muzikën elektronike, alternativën bashkëkohore dhe krijimet eksperimentale. Në këtë ditë nuk ka kufij stilistikë; çdo tingull gjen vendin e vet në mozaikun e madh të kulturës njerëzore.
Muzika është ndoshta gjuha e vetme që mund të kuptohet pa përkthim. Ajo ka shoqëruar njeriun në gëzim dhe dhimbje, në rite dhe festa, në lutje dhe revolta, në dashuri dhe vetmi. Ajo ruan kujtesën e popujve, bart historitë e tyre dhe i jep formë emocioneve që shpesh fjalët nuk arrijnë t’i shprehin.
Prandaj, Dita Botërore e Muzikës është më shumë sesa një festë artistike. Ajo është një homazh për krijimtarinë njerëzore, për lirinë e shprehjes dhe për fuqinë e jashtëzakonshme që ka muzika për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes njerëzve. Në një botë të trazuar nga ndarje e kundërshti, tingulli mbetet një nga gjuhët më të pastra të paqes, një ftesë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur harmoninë që na bashkon. Në këtë 21 qershor, muzika na kujton se, pavarësisht dallimeve, të gjithë jemi pjesë e së njëjtës simfoni njerëzore.
KOHA JONË SONDAZH

