Abaz Hado sjell ekspozitën e veçantë “Fituam Jetën”, që duhet shijuar nga të gjithë
Pandemia e Covid-19 ka prekur gjithë botën. Diku më shumë e diku më pak, ka ndikuar në jetët e të gjithëve ne. Kështu ka ndodhur edhe me artistin Abaz Hado, i cili sjell një ekspozitë të bukur në këtë periudhë aspak të lehtë. Një ekspozitë krejt ndryshe, për arsye se nisi në momente shumë specifike për artistin, ku pa u qetësuar akoma nga tërmeti vendi u godit nga Covid-19.
Ekspozita titullohet “Fituam Jetën”, dhe pse quhet kështu, e shpjegon vetë artisti Hado.
“Duke u mbyllur brenda mureve të shtëpisë, kur pak muaj më parë u lëkund nga forca e lëvizjes të tokës, shtëpia jonë që i rezistoi tërmetit, u bë kala ndaj një “armiku” pa formë dhe pa dukje. Unë vendosa ta përballoj duke punuar në mënyrë shumë aktive. Por, ndërkohë që ishin në këto kushte, mësoj se gruaja ishte prekur nga një sëmundje shumë e rëndë. Kjo solli një lloj zymtësie në harmoninë njerëzore. Ndërkohë, pas një jave, na erdhi lajmi i bekuar, se lindi mbesa ime, Aria, që riktheu buzëqeshjen familjare, që na ndezi përsëri optimizmin e punës krijuese. Pa mbaruar gëzimi i mbesës papritur na vjen lajmi për humbjen e jetës së nënës sime, një dhimbje e fortë që godet shpirtin tim…! Në ato momente më dukej sikur gjithçka po binte dhe rrokullisej në një shpejtësi, pa arritur të bënim asnjë reagim.
Por kur mendoj se çfarë kaluam, duhet t’i jemi mirënjohës jetës që nuk na e morën prandaj dhe e titullova këtë ekspozitë “Fituam Jetën” ku përpiqem të sjell një eksperiencë personale se si e kalova periudhën e distancimit social, gjatë kësaj kohe të vështirë. Besoj se tek secili nga ju, do mbesë diçka nga kjo ekspozitë, sepse janë momente që i kemi përjetuar të gjithë së bashku”, shprehet Hado.
Ekspozita çelet nesër në orën 19:00 te Muzeu Historik, kështu që merrni miqtë dhe mos nguroni ta shijoni.