Agron Llakaj: Ajo që ndodhi me Teatrin është kriminale, ndarja e artistëve ishte fatkeqësia më e madhe

I ftuar në “A. Krasta Show” këtë të martë në mbrëmje, aktori i njohur i humorit dhe njëkohësisht moderatori i spektaklit humoristik “Al Pazar”, Agron Llakaj, nuk mundi t’i shpëtonte dhënies së një mendimi mbi atë atë se çfarë ndodhi me prishjen e godinës së “Teatrit Kombëtar”, që është edhe një ndër temat më të nxehta të këtyre muajve të fundit dhe që ka prodhuar shumë polemika.

“Fatkeqësia më e madhe në të gjithë këtë prishje është ndarja e artistëve. Unë nuk e shikoj këtë si godinë, por e shikoj si koncept. Dhe politika është pjellë e kësaj ndarjeje,” deklaroi Agron Llakaj në nisje të mendimit të tij mbi këtë çështje. “Politika shqiptare e ka vrarë këtë teatër 100 herë. Ku i ke ata qindra aktorë që kanë shkelur aty? Unë kam reaguar, e kam quajtur kriminale në emisionin tim Fake Off. A mos vallë në këtë moment pandemie, ishte problemi më i madh?”,- tha Llakaj.

Aktori i njohur nuk nguron të shprehë pakënaqësinë e tij edhe ndaj artistëve: “Dikur kam lexuar një shprehje të famshme: Artistët nuk duhet të bëhen dhe bufonë të pushtetit, por të bëhen rebelë kundër tij”.

Por nuk i kursen thumbat edhe për qytetarët, duke kërkuar që ata të zgjohen dhe të reagojnë ndaj padrejtësive që po ndodhin “Kjo është gjithashtu edhe fatkeqësi e madhe e asaj që quhet reagimi qytetar ndaj atyre fenomeneve, që ndikojnë rrënjësisht në jetën e tyre. Realisht duhet të jenë shumë zëra për t’u bërë bashkë. Dhe kur zëri bëhet kor, çdo njeri që është në pushtet, qoftë Rama, qoftë dikush tjetër, i frikësohet. Kori të magjeps, por edhe të frikëson. Këtu s’ka kor, por ka solistë, ose bëhen dy- tre veta dhe kaq, jemi një popull që vijmë rrotull dhe s’bëjmë asgjë”, përfundon reagimin e tij aktori i njohur i humorit Agron Llakaj.

SHKARKO APP