Aktori Helidon Fino: Ta kishim prishur më herët Teatrin Kombëtar

Aktori Helidon Fino  në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ndërtimi i një teatri të ri është i vonuar. Prej më shumë se 25 vitesh, i rritur në Teatrin Kombëtar, Fino thotë se prej shumë kohësh artistët kanë merituar të performojnë në skenë dinjitoze.

“Absolutisht që po, besoj që askush nuk është kundra ndërtimit të një teatri të ri dhe për mendimin tim teatri i ri me të gjitha parametrat bashkëkohorë është vonuar shumë. Unë kam filluar punë në Teatrin Kombëtar në 1995, pra prej 25 vitesh kam qenë mjaft aktiv në skenën e atij teatri dhe e njihja mirë atë godinë me të gjitha problematikat e saj. Megjithatë, në atë skenë janë vënë shfaqje të mëdha dhe dinjitoze falë përkushtimit dhe pasionit të trupës artistike të historisë të teatrit dhe brezave aktualë”, tha aktori Fino për ATSH-në.

“Ajo që mund të them thjesht si aktor, jashtë debateve rreth vlerave historike dhe arkitekturore të asaj godine, për të cilat le të flasin kompetentët, një teatër i ri me të gjitha parametra bashkëkohorë, duhej patjetër në të tashmen që jemi dhe për të ardhmen. Nëse prej shumë kohësh tashmë është treguar një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri ndaj nevojave të artistëve në përgjithësi dhe teatrit veçanërisht, është koha që me ndërtimin e teatrit ashtu siç duhet dhe pa abuzime të tregojnë përgjegjshmëri. Përndryshe, do të duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe historike” -u shpreh Fino për ATSH-në.

Sipas tij, Shqipëria dhe Tirana prej vitesh e ka pasur të nevojshme ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.
“Shqipëria dhe Tirana prej vitesh kanë pasur nevojë për një teatër të ri me parametra bashkëkohorë. Të gjithë artistët duan të punojnë në kushte normale dhe standarde bazike, duan të performojnë në skena të bukura, të ngrohta, dhe me detaje teknike që nuk kufizojnë kreativitetin artistik. Është përsëritur shumë këto kohë që kemi punuar në atë godinë në temperatura të vështira dhe të papërshtatshme, si dhe shumë problematika të tjera, dhe ky është fakt dhe i pakundërshtueshëm. Prandaj them që është humbur kohë deri tani dhe mjaft më me shpërbërje dhe armiqësi brenda komunitetit ndërkohë që interesi ynë i vetëm duhet të jetë nxitja dhe vënia përpara përgjegjësisë autoritetet përkatëse për realizimin e teatrit të ri të vonuar”.

Amanetin e ikonave të artit shqiptar që nuk janë më mes nesh për pasjen e një teatri të ri, Helidon Fino e solli në mënyrë biblike.

“Më vjen keq për mënyrën se si janë përdorur emrat e ikonave të skenës së teatrit këto kohë. Është fakt dhe i trishtë madje që artistët rrallë herë janë kuptuar drejt nga shoqëria. Po, do të doja që dhe me ndihmën e Zotit amaneti i tyre të plotësohet sa më shpejt”.

SHKARKO APP