“Albania Guitar Festival”, në amfiteatrin antik të Durrësit
Në Durrësin e populluar nga pushues dhe turistë të shumtë, mbrëmjen bëhen edhe më speciale me aktvitetet kulturore. Për ata që duan të shijojnë një muzikë ndryshe nga ajo e club-eve, kanë mundësinë e muzikës klasike falë “Albania Guitar Festival”. Dy kitaristët e njohur ndërkombëtar, Mircea Stefan Gogoncea nga Rumania dhe meksikano-kubanezi Arturo Castro Nogueras, u ngjitën mbrëmjen e premte në amfiteatrin e Durrësit, në kuadër të “Albania Guitar Festival”.
Për të ndjekur koncertin ishte e pranishme edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës Alessandra Bertini Malgarini, personalitete durrsake të artit, turistë dhe qytetarë durrsakë. Dy kitaristët e kitarës klasike, me një duet virtuoz, të cilët gjatë turit të tyre në Europë ndaluan për herë të parë në Shqipëri, performuan muzikë latine dhe ballkanike në një mbrëmje speciale në amfiteatrin antik të qytetit. Sako theksoi se jeta artistike e Durrësit i mirëpret këto lloj aktivitetesh sepse sjellin risi dhe cilësi në nivelin kulturor.
“Bashkia e Durrësit do të vazhdojë të organizojë dhe të mirëpresë aktivitete të shumta kulturore të rangut kombëtar e ndërkombëtar”. Drejtori artistik i “Albania Guitar Festival”, Denis Bizhga, u shpreh se festivalet muzikore janë pjesë e aktiviteteve artistike të qyteteve që kanë një identitet kulturor ndaj edhe u përzgjodh Durrësi si një nga qytetet që mirëpret këtë festival.
“Në këtë festival marrin pjesë kitaristë të nivelit botëror, e kjo na bën krenar sepse ndikon drejtpërdrejt në promovimin e kulturës dhe turizmit”. “Albania Guitar Festival” është një aktivitet muzikor që ka si qëllim të përhapë një kulturë dhe edukatë muzikore edhe për brezin e ri.