Alda Bardhyli: “Leximi i librave do të na ndihmojë ta kalojmë më lehtë këtë sfidë”

Në këto ditë të vështira, ku qytetarët janë vetë izoluar për tu mbrojtur nga shpërndarja e koronavirusit të vrasësh kohën mund të jetë më e vështirë se zakonisht. Edhe pse larmishmëria e aktiviteteve shtëpiake nuk është e pakët, ajo cka mund të na ndihmojë për tu arratisur në një realitet tjetër është libri. Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit na rrëfen në një intervistë titujt që mund të jenë miqtë tanë më të mirë në këtë periudhë epidemie.

  • Sa ndihmon leximi në këtë periudhë vetizolimi?

Librat na japin gjithnjë një ndihmë të çmuar për zotërimin e kohës dhe lirinë e gjuhës. Librat kanë aftësinë të na bëjnë të ndjejmë një dëshirë të papërballueshme për të jetuar parajsën e tjetërkujt, e cila bëhet parajsa jote. Në këto kohë të trishta për botën, libri është e vetmja liri ku gjithsesicili mund të gjej veten. Përmes thënies së artistit Frank Zappa “Kaq shumë libra, kaq pak kohë…” Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndërtoi një video –ftesë për të gjithë, që ta kthejmë “karantinën” në një sallë leximi. Le ti shohim këto kohë si momente reflektimi për të cilat të gjithë kemi nevojë, e leximi i librave do të na e bëjë ta kalojmë më lehtë këtë sfidë.

Librat kanë aftësinë të na zhvendosin në kohë, apo ta sjellin kohën brenda teje. Ndaj do sugjeroja që ti shfrytëzojmë këto kohë për të lexuar libra që në një ditë normale për shkak të punës dhe angazhimeve të tjera i kemi të pamundur ti lexojmë, për të ndërtuar realitete që do të mbeten gjithmonë në ndërgjegjen tonë dhe kur e gjithë kjo situatë të ketë mbaruar. Vetëm leximi mund të na çojë tek edukimi dhe vazhdimësia për të cilat shoqëria ka aq shumë nevojë.

  • Cili zhanër do na ndihmonte me shumë në ketë periudhë të ngarkuar psikologjike? 

Kur Gabriel Garsia Markez la Parisin pas një periudhe liberale për tu kthyer në vendin e lindjes mori në çantën e kthimit vetëm një libër me vete. Ai e dinte se vetëm me një libër do ta kishte Parisin dhe botën gjithnjë me vete. Nuk do më pëlqente ta ndaja leximin në zhanere leximesh që i përshtaten kohës. Leximi është një akt individual dhe i ndryshëm sa një lexues nuk ngjan me një tjetër. Por librat janë ato që mbeten të pandryshueshëm në kontekstin që mbartin. Çdo libër ka aftësinë të na çojë diku përmes ideve apo ngjarjeve, të na ngacmojë ndërgjegjen dhe të na sfidojë moralin, apo të na lëndojë zemrën. Çdo lexim është një proces i papritur që përftohet ndryshe nga çdo lexues. E gjithë letërsia apo historia e shkrimit orvatet rreth asaj që quhet “kënaqësia e leximit”.

Do sugjeroja që të lexonin sa më shumë autorë shqiptarë. Për shumë arsye leximi i autorëve shqiptar ka rënë këto dy dekadat e fundit, ndërkohë që letërsia, studimet e memuaristika shqipe kanë autorë e libra befasues, e tepër bashkëkohor që janë një ftesë e mirë për lexim.

Leximi i librave jo vetëm për këto kohë por në vazhdimësi, duhet të jetë një prioritet i të rinjve, pasi vetëm përmes tyre mund të përftojnë kultura të mëdha.

  • Cilat janë format online që mund të na ndihmojnë edhe ato në lexim?

 Janë disa platforma online që u vijnë në ndihmë të gjithë atyre që duan ti kalojnë këto kohë me librat, si Bukinisti apo Shtëpia e Librit apo Libraria Ime në  ku mund të  lexoni klasikë  të mrekullueshëm.

  • Mund të na sugjeroni një listë me tituj librash që do përshtateshin me ketë periudhe apo edhe ato që lidhen me shijet tuaja personale?

“Dekameroni” i Bokaccio-s është një nga librat që rimora në bibliotekën time këto ditë, për të hyrë në filozofinë e së zezës. Ndryshe nga Albert Kamy që shkroi “Murtajën”, Bokaccio hyn tek ata shkrimtarë që e jetoi murtajën në Firencën e viteve 1347-1348, pa sesi kjo sëmundje i mori të afërmit mes të cilëve babain dhe njerkën. Kjo vepër e rëndësishme e letërsisë botërore do të përfundonte pikërisht gjatë kësaj epidemie, e ndoshta kjo e bën atë të jetë një prolog moral të çdo kohe. “Në një gjendje të tillë kaq të pikëlluar dhe të mjeruar të qytetit tonë, kishin rënë nga fuqia thuajse kryekëput edhe ligjet hyjnore e njerëzore, sepse drejtuesit e ligjeve si gjithë njerëzit e tjerë ose kishin vdekur ose dergjeshin të sëmurë, ose u kishin vdekur të gjithë të dashurit e nga hidhërimi s’ua bënte zemra të kryenin detyrën e tyre…” shkruan Bokaccio.

Dekameroni është një ftesë për të hyrë në madhështinë që letërsia i jep dhembjes dhe besimin se vetëm përmes durimit mund ta përshkrojmë atë. Duket se letërsia e madhe i ka thënë të gjitha. Eshtë fat që Xhovani Bokacco është përkthyer në shqip nga dy shqipërues si Ali Harshova dhe Shpëtim Cucka.

“Murtaja” i Kamysë dhe “Rënia” janë dy libra që na bëjnë të reflektojmë mbi kohën për të cilat Gabriel Garsia Markez 40 vite më parë përpiqej të kuptonte forcën e gjuhës për të ndërtuar skena të tilla, në Parisin që zgjohej nga bombardimet e nazistëve që godisnin luftëtarët e rezistencës. Por jeta njerëzore ka treguar se di të ngrihet mbi fatkeqësitë pavarësisht formës në të cilën shfaqen dhe vetë librat na e tregojnë këtë.

Përtej leximeve të tilla do sugjeroja libra që kërkojnë kohë e ndoshta përqendrim më të thellë. “Ulisi” i Xhojsit është një libër i tillë i cili vizaton një botë të vjetër plot turbullira historike, evolucione shoqërore, poetike që i flasin aq shumë kohës që jetojmë. Një libër për ekzistencën e keqkuptimet njerëzore i cili të mahnit në çdo rikthim leximi. Toni Morrison nobelistja amerikane ka ardhur në shqip kohët e fundit me librin “Zoti e ndihmoftë fëmijën”, një roman provokues për të drejtat njerëzore e dashurinë. “Dritë e gushtit” e Faulkner është një tjetër lexim i mrekullueshëm jo vetëm për këto ditë, “Jeto për ta treguar” i Gabriel Garsia Markez apo “Një armë në shtëpi” nga Nadine Gordimer apo letrat e dashurisë së Simone De Beauvoir në librin “Një dashuri transatlantike”.

  • Pse i mungojnë letërsisë shqipe tema të tilla të mëdha?

Letërsia shqipe ka elaboruar ndoshta më mirë një nga temat e mëdha me të cilën u përball një pjesë e vendeve në shekullin e kaluar siç ishte komunizmi. Librat e Kadaresë do ta bëjnë botën gjithnjë të mos harrojë atë cfarë kjo dogmë qe për vendet që e jetuan, përmes historive që vijnë nga Shqipëria. Temat e mëdha janë gjithnjë një grishje për letërsinë. Ka shumë autorë që përpiqen të kuptojnë atë cfarë Kamy ndërtoi me murtajën pa e jetuar atë. Kureshtja është dicka pozitive për letërsinë. Ajo shfaqet edhe në letërsinë bashkëkohore shqipe. Një rast i tillë është Otello Arapi i Vlorës, i Ben Blushit ku autori flet për këtë temë.

“Murtaja, kolera dhe malaria kishin ardhur pertej detit, nga vende te thata ku mungesa e ujit dukej sikur ushqente vdekjen qe ato percillnin. Perpara shume vitesh, në Venedik, senati kishte vendosur te mos lejonte me hryjen në qytet të burrave dhe grave nga Afrika, por kundershtimi i ashper i tregtareve i kishte shtyre ta terhiqnin vendimin. Perpara tij, doktore te apasionuar per te zbuluar diferencen mes racave, kishin kryer me qindra eksperimente duke hapur trupa, duke iu injektuar atyre mikrobe qe nuk i kishin, për të parë se si reagonin njerezit e shkretetires ndaj semundjeve qe nuk njiheshin. ..pikerisht mungesa e provave kishte shtuar bindjen se murtajat dhe kolerat ishin shfaqur fillimisht mbi mishin e zi. ..për tri ditë rresht ai e kontrolloi Otellon në te njejten menyre, orar dhe qetesi. Otello hante supe, pinte uje, flinte nen rrezen e diellit. Sjellja e dktorit ishte e panatyrshme…Cfare po ndodhte?”, shkruan ai.

  • Ju vetë si po e kaloni karantinën?

E kam shëndrruar në një hapësirë pune dhe leximi. Qëndra Kombëtare e Librit dhe Leximit është një institucion i ri i cili kërkon një angazhim i cili asnjëherë nuk përfundon pas daljes nga zyra, por e marr gjithnjë me vete edhe në shtëpi. Në këtë kontekst një pjesë të punëve që në këto kohë kanë të bëjnë me strategjitë dhe informimin po e realizoj nga shtëpia. Pjesa tjetër e karantinës më ka bërë të zbuloj bibliotekën time që jeta që bëj nuk më lë shumë hapësirë të ndalem. Kohët me leximin dhe shkrimin janë kohët që vijnë gjithnjë në përfytyrimin tim të ngjashëm me parajsën. E karantina ime është një lloj parajse që uroj të mos jetë e gjatë. Pasi dhe lumturia në libra e në jetë na shfaqet gjithnjë me orë, ditë apo javë. Nuk do të ishte e vërtetë nëse do të shëndrrohej në muaj.

SHKARKO APP