“Amanet” rrëmben çmimin e parë në Festivalin e Filmit në Salerno

Regjisori i njohur Namik Ajazi ka realizuar filmin “Amanet”, ku ka rrëmbyer çmimin e parë në Festivalin e Filmit në Salerno, mes 73 filmave artistikë me metrazh të gjatë. Ndërsa juria përbëhej nga përfaqësues të 25 vendeve si Gjermania, Franca, Spanja, Austria, Kanadaja dhe Suedia. Në shpalljen e fituesit u morën parasysh edhe votat e publikut që zgjodhi si më të mirin “Amanet”.

I ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, ai ka treguar edhe më shumë për filmin, por edhe jetën e tij profesionale dhe personale.

Filmi “Amanet”, një prodhim i 2014-ës, i realizoi xhirimet e tij në Tiranë, Pogradec, Rubik, në minierën e Bulqizës dhe në Itali. Në vitin 2018 mori çmimin si filmi më i mirë nga Akademia e Çmimeve Kult.

“”Amaneti” ishte filmi i parë që ne xhiruam para 5 vitesh, i cili pati një udhëtim të suksesshëm dhe së fundmi ishte dhe Festivali i Salernos ku mori trofeun. “Amaneti” pati një ecje të mbarë, morëm pjesë në shumë festivale, mori shumë çmime. Dhe Festivali i Salernos rikthehet për ta rivlerësuar një film që mesa duket shkoi mirë”.

“Amaneti” rrëfen historinë e Mentor Hasës, interpretuar nga Myzafer Ziflaj, një funksionari të lartë të Sigurimit të Shtetit, i cili nga ‘përgjues’ e gjen veten tek të përgjuarit. Në këtë kthesë dramatike që merr jeta e tij, ai vendos të rrëfejë për të vrarët e pushtetit, të cilit ai i kishte shërbyer. Amaneti i tij për të birin Martin, që interpretohet nga Amos Zaharia, është që historia e tij t’i rrëfehej botës.

SHKARKO APP