Anisa Markarian flet për Tiranën e 2024: Ndërtesat i bëjnë hije njëra-tjetrës

Shkrimtarja Anisa Markarian hedh dritë mbi fakte dhe personazhe të Tiranës nga vitet ’60 në vitet ’80. Ajo thotë se qëllimi i librit ishte të mos jetë thjesht autobiografik, por një dëshmi, një pikël dëshmie në oqeanin e thellë të dëshmive që sigurisht tregojnë këtë periudhë të zymtë, por edhe të veçantë të historisë sonë. ”Dëshiroj që ky libër të shihet në këtë këndvështrim, jo thjesht si një libër për familjen e Anisës, por si dëshmi qytetare për Tiranën dhe historinë kolektive”, tha Markarian.

Referuar lagjes ku shkrimtarja ka jetuar, Markarian tha se mjafton të hysh në atë që njihet si rruga e Saraçëve, dhe nostalgjia, kujtimet, ngrihen në sipërfaqe. ”Shtëpia nuk ka mbetur më, por është Selvia, një selvi e shpupurisur, e pluhurosur, por ka mbetur aty. Kjo selvi është simboli i lagjes sonë, dhe dikur ishte pema më e lartë e Tiranës. Kanë mbetur shumë pak shenja të epokës kur unë banoja aty”, tha Markarian.

Po ashtu nënvizon se do të donte që të kishte disa shenja të Tiranës së dikurshme. ”Më mungojnë hapësirat që ishin në rrugët e Tiranës, parqet, janë shtuar makinat, ndërtesat i bëjnë hije njëra-tjetrës. Por mbetet Tirana ime, vij aty ku kam lindur, aty ku më ka rënë koka. Tirana po zhvillohet shumë. Ju që jeni këtu si ju duket Tirana? Ne me kujtesën tonë kthehemi me Tiranën tonë. Edhe pse ka kaos me trafikun që kanë edhe qytetet e mëdha”.

SHKARKO APP