FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Artisti shqiptar, Alfred Mirashi – MILOT dhe Yan Laichao, dialogu krijues midis Lindjes dhe Perëndimit mbërrin në Shenzhen

Nga Albert Vataj
Në një kohë kur arti bashkëkohor po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një gjuhë universale të dialogut ndërkulturor, qyteti i Shenzhen-it në Kinë bëhet mikpritësi i një prej takimeve më domethënëse artistike të këtij viti. Më 20 qershor, në ambientet e Muzeut të Artit Dplus, u çel ekspozita “Beyond Eternity” (Përtej Përjetësisë), një projekt që shënon një etapë të re të bashkëpunimit krijues ndërmjet artistit me origjinë shqiptare Alfred Mirashi – MILOT, i afirmuar prej vitesh në skenën ndërkombëtare të artit, dhe artistit bashkëkohor kinez Yan Laichao.

Më shumë sesa një ekspozitë me vepra arti, “Përtej Përjetësisë” është një dialog estetik mes dy qytetërimeve, një takim vizionesh që vijnë nga brigje të ndryshme të botës, por që bashkohen në kërkimin e së përbashkëtës njerëzore. Ajo dëshmon se arti mbetet një nga format më të fuqishme të komunikimit, aty ku gjuha pushon së qeni pengesë dhe ku simboli, materia, drita dhe emocioni ndërtojnë ura mirëkuptimi.
Hapja e ekspozitës përkoi me Festivalin tradicional të Varkës së Dragoit, një nga festimet më të rëndësishme të kulturës kineze, duke i dhënë aktivitetit një dimension edhe më domethënës simbolik. Në ceremoninë inauguruese morën pjesë artistë, kritikë arti, kuratorë, studiues, koleksionistë dhe personalitete të jetës kulturore, duke e shndërruar Muzeun Dplus në një qendër të rëndësishme të shkëmbimit artistik ndërkombëtar.

Themeluesja e muzeut, producentja dhe prezantuesja e aktivitetit, Dr. Didi Wong, përshëndeti të pranishmit duke nënvizuar se ky projekt përfaqëson një model të rrallë të bashkëpunimit ndërkulturor, ku arti shërben si urë komunikimi mes traditave, historive dhe mënyrave të ndryshme të të menduarit. Sipas saj, ekspozita dëshmon se krijimtaria autentike ka fuqinë të kapërcejë kufijtë gjeografikë, politikë e kulturorë, duke ndërtuar hapësira të reja dialogu.
Pas suksesit të ekspozitës “Refraction”, të prezantuar gjatë vitit 2025 në Muzeun e Artit Guangdong, Alfred Mirashi – MILOT dhe Yan Laichao rikthehen me një projekt edhe më të konsoliduar, duke paraqitur 39 vepra, të cilat ndërtojnë një itinerar artistik ku ndërthuren koha, kujtesa, materia dhe perceptimi. Dy gjuhë krijuese, të ndryshme në formë, por të afërta në thelb, dialogojnë vazhdimisht me njëra-tjetrën, duke e ftuar vizitorin të hyjë në një përvojë që shkon përtej kufijve të hapësirës dhe të kohës.
Ceremonia e hapjes, e koordinuar nga kuratori Shen Haoran, nisi me mesazhin përshëndetës të Profesor Ji Shaofeng, nënkryetar i Shoqërisë së Skulpturës së Kinës dhe këshilltar akademik i ekspozitës, mesazh i cili u interpretua nga artisti Li Bangyao. Në vijim, kuratorët Massimo Guastella dhe Feng Xiaorui ndanë reflektime mbi rëndësinë e këtij projekti, duke e cilësuar atë si një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit artistik ndërkombëtar, ku identitetet kulturore nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën, por pasurohen reciprokisht.
Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte turi i udhëhequr nga vetë artistët. Përmes një bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë me publikun, MILOT dhe Yan Laichao zbuluan procesin e tyre krijues, burimet e frymëzimit dhe mënyrën se si secili prej tyre e koncepton marrëdhënien midis artit, kohës dhe kujtesës.

Në këtë ekspozitë përballen dy univers artistike me identitete të qarta.
Yan Laichao ndërton një kërkim të vazhdueshëm mbi marrëdhënien mes pikturës, dritës dhe teknologjisë. Instalacionet e tij zhytëse (immersive) dhe pikturat eksperimentale sfidojnë perceptimin tradicional të hapësirës, duke përdorur efekte optike, materiale bashkëkohore dhe teknologji të avancuara për të zgjeruar vetë kufijtë e pikturës si medium artistik. Veprat e tij nuk kërkojnë vetëm të shihen, por të përjetohen, duke e bërë spektatorin pjesë të përvojës estetike.
Në anën tjetër, Alfred Mirashi – MILOT vazhdon të zhvillojë universin e tij simbolik, ku piktura dhe skulptura bashkohen në një gjuhë vizuale të njohur ndërkombëtarisht. Në qendër të krijimtarisë së tij qëndron çelësi i shtrembëruar, simboli që e ka bërë të dallueshëm në skenën bashkëkohore. Ky çelës nuk është thjesht një formë plastike; ai është metafora e hapjes, e lirisë, e dijes dhe e mundësisë për të hyrë në territore të reja shpirtërore e kulturore. Ai fton njeriun të kapërcejë kufijtë e paragjykimeve, të zbulojë horizonte të reja dhe të ndërtojë ura komunikimi mes njerëzve. Pikërisht përmes këtij simboli, MILOT ka ndërtuar një identitet artistik të veçantë, ndërsa skulpturat e tij monumentale janë bërë tashmë pjesë e peizazhit urban në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera, duke dëshmuar lidhjen organike të artit të tij me hapësirën publike dhe me komunitetin.
Në tërësinë e saj, “Përtej Përjetësisë” nuk është vetëm një ekspozitë arti. Ajo është një reflektim mbi kohën, mbi kujtesën dhe mbi aftësinë e artit për të krijuar ura aty ku historia ka ngritur kufij. Dy artistë me prejardhje, përvoja dhe tradita të ndryshme dëshmojnë se krijimtaria autentike lind pikërisht nga takimi i dallimeve dhe se dialogu kulturor është një nga format më të larta të paqes dhe mirëkuptimit.

Ky projekt konfirmon njëherazi Shenzhen-in si një nga metropolet më dinamike të artit bashkëkohor aziatik dhe forcon lidhjet kulturore midis Kinës, Italisë dhe Shqipërisë, duke e vendosur artin në rolin e ambasadorit më të besueshëm të komunikimit ndërkombëtar.
Ekspozita “Beyond Eternity” do të mbetet e hapur për publikun deri më 23 gusht 2026, në Muzeun e Artit Dplus, të vendosur në distriktin krijues OCT të Shenzhen-it, një nga qendrat më të rëndësishme të artit dhe inovacionit në Kinën bashkëkohore.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?