Artistja që krijon me copëza kalldrëmi
Kela Myrtaj që menaxhon një njësi suveniresh në pazarin e Gjirokastrës grumbulloi copëza guri nga rindërtimi i kalldrëmeve dhe po sjell imazhe të qytetit në punime mozaiku në gur dhe dru. Ajo thotë se vizatimi ka qenë një pasion i hershëm ndërsa pasioni për instalacionin u frymëzua nga qyteti.
Duhet të jesh një vëzhgues i mirë i ndërtimit të qytetit thotë ajo për ta risjellë në miniaturë. Shtufi i zi, guri i bardhë dhe ai i trëndafiltë ndërthuren në punimet mozaik që ajo realizon. Puna është shumë delikate kërkon durim dhe merr shumë kohë por ky lloj arti pëlqehet dhe grumbullon shumë vizitorë që e ndjekin. Punimet e madhësive të ndryshme që përmbajnë mijëra copëza guri në përmasa shumë të vogla sjellin pamje te pazarit, çative, sokakëve, shtëpive, urave e puseve. Lidhja me një punim të tillë është shumë e fortë tregon Kela Myrtaj.
Në pazarin e Gjirokastrës artizanët po i japin jetë dhjetëra produkteve të punuara me dorë duke i rikthyer qendrës historike një funksion të vjetër e të harruar atë të ushtrimit të zanateve. Megjithëse funksioni vjen i modernizuar vizitorët e shumtë e gjejnë me interes çdo aktivitet krijues që ndodh në pazar. Disa prej aktiviteteve përfshirë edhe mozaikët i ftojnë vizitorët të jenë pjesëmarrës dhe të krijojnë vetë sende të thjeshta. /TCH/