Asgjë nuk bëmë për Bekim Fehmiun
Nga Ilir Muharremi –
Në përkujtim të Bekim Fehmiut ne asgjë nuk bëmë. Nuk e mbajtëm as një minut heshtje në Parlament, në Ministri të Kulturës, ose në ndonjë intitucion tjetër shtetëror. Shteti i Kosovës nuk e ka respektuar fare Bekimin e madh. Përveç Fahriu Musliut, publicist që botoi një monografi të mrekullueshme, asgjë më shumë nuk kemi bërë për Bekimin tonë, për artistin gjigant, për Titanin e skenës së Teatrit dhe filmit. Bekimi nuk i la mbresa ose përshtypje asnjë regjisori shqiptar.
Suksesi i tij i arritur në botë është ende i paarritshem për ndonjë aktor shqiptar, ne e përjetuam në heshtje, nuk e zgjeruam meritën e tij.
Që dhjetë vjet nga vdekja e Bekimit asnjë shtatore ose bust nuk ja ngritëm në Kosovë. Edhe pse përjetësinë e zgjodhi në lumbardh të Prizrenit për ta arritur qetësinë shpirtërore nën kthjelltësinë dhe gurgullimen e ujit. Bekimi na ka respektuar, Bekimi na ka pritur, Bekimi na ka adhuruar, Bekimi fliste fjalë miradije për neve. Pse i humbasim njerëzit e mëdhenjë? Pse të tjerët na përvetësojnë aq lehtë njerëzit tonë? Për Bekimin nuk nxorëm as lot krokodili siç bëmë për artistët tjerë. Ja pra ky është shteti jonë që nuk ndjenë asgjë për artistët e mëdhenj që i kemi.