At’ Gjergj Fishta, ma i zashmi za kushtrimi, kreshta ma e epërme e krenarisë sonë kombëtare

Nga Albert Vataj

Gjithherë kur shqyptarin e msyjnë zezonat, e ligin t’kqijat, e prej thell vetdijes s’vet lyp me gjet rrajt e përtrimjes, tan’na, kujtohena për atë që diti me ken zani dhe zemra, shpirti dhe kushtimi gjithshqiptar. Me veprën e tij atdhetare dhe ditunuere, ai hyni për me mebtun nji shkas për mirnjohje dhe përulësi. Sot e gjithkohën, tanaheret e gjithqysh, gjeneratat dhe gjithkush qi lyp me u ndi zot në krenarinë e t’kenmit shqiptar, e ndërmendim, At Gjergj Fishtën. E ledhim me amëlcin tonë kujtuse atë burrë të vlertë. Pjesmarrim në ndërmendjen për te, n’solemnitet mirënjohje, me përkorje dhe ngulm të epërm, shëlbimi në shpirt dhe vullnesë të dlir. E ngucim me ndërkohje madhështinë dhe gjenialitetin e këtij kolosi; të fesë dhe shqiptarizmës, poezisë dhe gjuhës, krejt asaj ngrehine të kijametshme përpjekjesh vetmohuese për me lan nji vepër monumentale dhe t’pavdekshme atdhetarie.

***

Më 23 tetor 1871 erdh në jetë në Fishtë të Zadrimës, Zefi, ai qi do të pagëzohet me emnin e përgjithmonshëm, që do të ishte dhe do meste kontelacion i vetëdijes dhe krenaris tonë komtare, At Gjergj Fishta. Ai u shue më 30 dhjetor 1940 në moshën 69-vjeçare. Veprimtaria e tij asht e gjithfarshme. Gjithkund ku ai vuni dorë, mylmeu me zemër, shndriti me mendje, e shkrepëtiu me fjalë, ishte dhe mbeti nji prej testamenteve ma t’çmume të identitetit tonë komtar. Si klerik, ai diti dhe mujti me dhan me mish e me shpirt tançka kishte si detyres e asaj urdhnese t’shenjt, me i’u përkushtu me devocion e adhurim fesë. Si tekstshkrus, poet, prozator, estet, polemist, publicist, kritik, ndoshta mundet me ken i vetmi në historinë e kumtimit shqip, e zagjëmimit e dalzotjes dhe t’themeltave mëtime, qi mesin atëditë e sot sa aktuale aq dhe të epërme. Si gjuhtar, me Fishtën, Mjedën e shumë shqiptar të tjerë, lindi alfabeti, bash njaj qi na mundson me shkru e me këndu me za bylbyli. Ai, guxoi dhe bani nji punë fort t’admirushme, akt qi mujti me ken dhe me mbet si dëshmi e nji talenti dhe dhuntie t’pashoqe edhe si; diplomat, etnograf, arkeolog, hulumtues, muzikan, piktor, arkitekt, përkthyes, etj.

At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli dhe kontributi gjithkund ai behu si nji za i kushtrimshëm, rrokaqiellës. Krejtkjo ishin dhe mbeten nji gurthemel i rand i vetëdijes kombtare.

E pamatshme asht vepra qi la. Gjithçka qi rreket t’formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte t’pamujtun ta përfshinte të gjithin kët univers në këtë përqafim t’andshëm e shterues dëshmimi. Ai ishte nji realitet, nji univers, nji dhuratë shpërblyese e vet natyrës. u lind për me ken i jashtëzakonshëm. Ai, At Gjergj Fishta e ndërtoi kët mit, kët gjenialitet e aftësi gjithfaresh, pikërisht atë që na u dha dje, na qaset sot e ka me i’u propozu t’ardhmes si nevojën gjithnjë e pashterrun për me përvetsu ate; si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.

Pak personazhe t’spikatuna t’shqyptaris kanë pasun fatin e At Gjergj Fishtës, në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime t’mëdha duke lan përmbas një akt të pashoq krijimi. U ngjit në qiell për me xan vendin e meritum e u gropos në skutat ma t’terrta t’ferrit komunist. U kuptue dhe shjtnue, u keqinterpretu dhe u keqpërdor. Çmos bani e çmos provoi në t’gjall e në t’dekund. Hoqi n’mish e n’eshtna. E shvarruen e n’lum i’a kadhën çka kishte mbetun, si një dëshmi e nji urretje dhe hakmarrje t’përbindshme, jo krejt ndaj tij, por ndaj veprës dhe emnit qi bani tan ajo plejad zelltarësh t’pashembullt, t’klerit e atdhetarizmit. Për komunizmin gjithçka qi buronte e bulonte prej njasaj vullnese t’hyjshme, duhej shue, duhej shpërba, duhej kall n’skutat ma t’thella t’anatemës. Thue se ai, At Gjergj Fishta… ata krejt, klerikë dhe intelektualë, dijeshumë e pasionant, ngulmëtarë e ngadhnjyes, shërbestarë dhe martirë, nuk ishin pikërisht njata t’cillët kishin vu themelet e njasaj Shqypnie, kishin nxjerr njikët përkatësie gjeografike dhe atdhetare nga pluhni dhe balta mbytëse e asimilimit dhe asgjesimit osman. Thue se nuk ishte ai, At Gjergj Fishta, e do burra t’zashëm, zemra flakatere, mendje t’kthejllta, t’cillët na banën me gjuhën tonë, me histori, me muzikë, futboll, lëtërsi, arte, me shkolla, e grupime patriotike e kulturale. Tankjo ishte jo vetëm nji vepër drite, por edhe nji tmerr për bishën e territ, e cilla tue skërmit dhamt e gjakosun e tue u jargit helëm e pezëm, po donte me shue etjen dhe ujën e vet, tue pi gjakun e tue hangër t’gjallt e t’dekun, t’gjithçkaje qi për te asht pengim, asht vetëdije për me sundu e me nënshtrue me hekur e me gjak.

Vjen si një gjamë harresa dhe anatema, njaq e themeltë e njaq e gjatë sa edhe sod asht tue ken gjithnji e ma e pamujtun për me i dhan çka i takon, At Gjergj Fishtës, për me na shpërblye me çka na meritojmë prej tij.

U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Sekush u dasht me u lshu në këtë linçim, sa tue mujt me ken secilli ma i zoti se shoqi, në nënshtrimit e kësaj drite, në shpërbamjen e tançkaje qi ishte e saj e vinte me te. Sado qi edhe sod, ata ma hipokritët qi lypin shfajsim, tue u përpjek me u dlirë nga barra e fajit zelltar, sërish ata s’munden me ken dikush tjetër, sërish Fishta nuk asht ma njaj qi duhej t’ishte, njaj qi meritojmë na si identitet dhe integritet. Edhe pse i i rizgjuem e i riardhun diqysh nga anatema, mohi e harrimi… ende sod mbetet jo krejt i shpalum, jo gjithkund i pranum, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulun thellë thonjt e ndyt. Dhamt e prishun e kishin kafshue ligsh njaty qi do ta kishte t’pamujtun me u m’kam, me u ruzgju, me riardh njaq i fuqishëm, krejt si një shpërthim shndritës. E megjithatë ai mujti me beh diqysh përmes punës dhe ngulmt të nji shpure idhujtarësh, si një vigan anipse i lënduem, si një za i fuqishëm, aniqysh i çjerrun, si një e vërtetë e pamohueshme, edhe pse fort e mundueme dhe hekakeqe në kët nevojë mbijetese.

Ai, At Gjergj Fishta mujti me e rigjetë vendin e vet n’zemrat që e kishin strukur dhe n’krahnoret qi e majtën t’fshehun n’njato kohë t’shtira e qi rrezikuen e paguen shtrenjt dashnin dhe adhurimin për te.

Krejtkush ka mundësi dhe yshtet nga nji nevoj e themelt dhurimi të andjes së vet estetike dhe kombëtare, dhe lexon veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj prej dimensioneve që përmban dhe nji ngulmi për me ken e me mbet nji za i gjëmimshëm dhe një dëshmues i pashoq i gjithë asaj qi lyp koha. Shejtnoju edhe ti me bekimin e ksaj mendje fort t’ditun e ksaj vepre t’paçmim.

SHKARKO APP