Bashkia e Tiranës rehabiliton në kohë rekord shtëpinë ‘Kadare’
Shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tija më të njohura letrare, Ismail Kadare është kthyer në një muze. Banesa ndodhet në një prej pallateve me më tepër histori në kryeqytet në qendër të Tiranës, ku shkrimtari ka jetuar për rreth 15 vite dhe ka shkruar disa nga kryeveprat e tij dhe pas pak ditësh do të hapet për vizitorët. Falë nismës së Bashkisë së Tiranës, punimet në janë në fazën e fundit dhe ato janë ndjekur nga afër nga arkitektja Elisabetta Terragni e cila ka punuar edhe për ngritjen e muzeut “Shtëpia me gjethe”.
“Ne jemi drejt fundit dhe duke qenë se jemi fanatikë për punën tonë nuk kemi dashur të tregojmë pamjen përfundimtare pa i dhënë dorën e fundit detajeve të mbetura. Vizitorët do të kenë mundësinë të ndjehen jo vetëm pjesë e periudhës së viteve ’74 – ’90, por edhe të zbulojnë më tepër nga krijimtaria e Ismail Kadaresë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne sepse kjo hapësirë simbolizon fuqinë e letërsisë dhe punës së tij dhe në të njëjtën kohë duam të tregojmë një banesë tipike për të treguar rëndësinë e saj kohe”, tregoi arkitektja Elisabetta Terragni.
Më tej ajo thekson se gjatë punës për transformimin e kësaj shtëpie në një muze të mirefilltë është synuar të mbahet atmosfera e apartamentit duke e transformuar në një vend ku njerëzit do të mund të kuptojnë më mirë mënyrën e të menduarit dhe botëkuptimin e shkrimtarit. “Ismail Kadare vazhdon të jetë një shkrimtar produktiv. Ai na dha, le të themi, çelësin se si duhet të vazhdonim punën me këtë shtëpi studio. Kjo na ndihmoi gjithashtu të kuptonim që puna e tij është e vazhdueshme, e njëtrajtshme dhe e thellë dhe në të njëjtën kohë lë gjurmë”, – shtoi më tej arkietektja.
Duke bërë një guidë në këtë shtëpi-muze, ajo bën të ditur se që në hyrje të saj është vendosur një mur ku janë reklamuar te gjitha veprat e Kadarese. “Në momentin që hyni në apartament kjo do të jetë gjëja e parë që do t’’u bjerë në sy. Ky mur tregon shtrirjen kohore të punës së tij duke filluar nga viti 1954 deri në vitin 2018. Secila nga veprat ka edhe titullin në anglisht për ta bërë më të lehtë këtë gjë për vizitorët e huaj. Një tjetër gjë e rëndësishme lidhet me faktin që saktësia e të dhënave vjen nga një ekip konsulentësh të afirmuar, ekspertë të letërsisë, bashkëpunëtorë nga arkivat për të cilët çdo fjalë ka një kuptim. Mendoj që kjo është mënyra e duhur për t’i dhënë meritat shkrimtarit për të cilin saktësia është një faktor kyç në punën e tij. Letrat murale nuk ekzistonin në atë kohë në Tiranë, por Kadare arriti t’i sillte ato nga Parisi. Ideja e letrave murale ishte ekstravagante për këtë vend, por ishte mënyra e tij për t’u ndjerë i lidhur me botën. Ishte shumë e rëndësishme për të pasi, siç ai thotë – unë krijova normalisht në një vend ku normalja nuk ekzistonte.
Në këtë mur renditen më shumë se 100 tituj sipas kronologjisë, aq sa na u desh të kalonim në faqen e murit të dhomës tjetër për t’i vendosur të gjithë titujt bashkë. Vizitorët mund t’i hedhin një sy ose të futen në detaje të tjera ku përveç titujve gjendet edhe viti i publikimit.
Ky pallat është ndërtuar nga arkitekti i njohur Maks Velo. Mund të shohësh përtej dritareve për të parë se si ka ndryshuar qyteti. “Është e rëndësishme të kuptojmë periudhën kur Kadare ka shkruar dhe punuar në këtë vend. Kur nxorëm materialet nga arkiva nuk kishte mjaftueshëm hapësirë për të ekspozuar gjithçka kështu që ato mund të shihen në mënyra të ndryshme duke u hedhur një sy fotografive. Mund të uleni në karrige dhe të shikoni qytetin ose mund të përfshiheni më tepër duke parë më në thellësi punën e tij ose mund të zgjidhni të lexoni disa nga tekstet përreth”, shton më tej arkitektja Terragni.
Por ajo zbulon edhe një sekret të apartamentit të Kadaresë. “Raftet ai i bleu në Itali dhe i montoi vetë. Ashtu siç ju thatë. Edhe librat i renditi sipas dëshirës. Strukturën e kemi mbajtur të njëjtë, duke bërë vetëm riorganizimin e librave, që i gjetëm në këtë shtëpi. Duhet të keni parasysh që Ismaili dhe Elena e lanë shtëpinë në vititn 1990. Pra ka 29 vite që këta libra kanë qenë në këtë shtëpi thuajse të ngrirë në kohë. Këto ditë, përpara se kjo shtëpi-studio të hapet për të gjithë vizitorët brenda kësaj jave, presim të na vijë edhe tryeza e shkrimit, të cilën ai e mori me vete kur shkoi në Paris. Këtu pranë meje ndodhet edhe oxhaku i famshëm dhe tepër i veçantë i kësaj shtëpie. E them këtë sepse në çdo shtëpi në Europë, oxhaku ndodhet në hyrje të banesës. Ndërsa ky oxhak ndodhet në një qoshe. Kjo për faktin sepse ishte i ndaluar nga regjimi i asaj kohe. Së bashku me Maks Velon, ata ndërtuan në mënyrë të fshehtë, të vetmin oxhak që dilte nga kjo ndërtesë, dhe kur shkrimtarin e vizitonin miq, ata nuk sillnin lule apo dhurata të tjera, por sillnin nga një tulle” , tregon Terragni.