Berlinale shtron tapetin e kuq me nuanca politike

Berlinalja, festivali i parë i madh i kinemasë i këtij viti në Europë, shtron sonte tapetin e kuq për yjet si Sigourney Weaver, Javier Bardem dhe… Hillary Clinton, për një edicion të 70-të me nuanca politike.

Aktorja e famshme e ”Alien” do të hapë festivalin, krah Margaret Qualley, e pranishme në ”Once upon a time in Hollywood” të Quentin Tarantino. Të dy do të prezantojnë ”My Salinger year” të kanadezit Philippe Falardeau (jashtë konkurrimit), për ambiciet letrare të një gruaje të re që punon pranë një agjenti të famshëm.

Përgjatë 11 ditëve të festivalit, rreth 340 filma nga e gjithë bota do të projektohen, nga të cilët 18 konkurrojnë për ”Ariun e artë”, që do të jepet më 29 shkurt nga një juri me në krye aktorin britanik Jeremy Irons.

Krah tij qëndrojnë gjithashtu edhe aktorët Bérénice Bejo (“The Artist”) dhe Luca Marinelli (“Martin Eden”) si edhe regjizorët Kenneth Lonergan (“Manchester by the sea”) dhe Kleber Mendonça Filho (i shpërblyer me çmimin “Bacurau” në Kanë në 2019-n).

Vitin e kaluar, juria e kryesuar nga Juliette Binoche kurorëzoi filmin “Synonymes” të Navad Lapid, për identitetin izraelit.

Më shumë se një përvjetor, ky edicion i 70-të hap një kapitull të ri për Berlinalen, pas 18 vitesh nën drejtimin e gjermanit, Dieter Kosslick, ai i la vendin një dysheje më të re, italianit Carlo Chatrian, ish drejtor i festivalit të filmit të Lorkanos, dhe regjizores holandeze Mariette Rissenbeek.

Objektivi: larmishmëria

Ambicia e tyre është ”t’i hapin vend larmishmërisë” duke propozuar kështu shumë filma të realizuar nga gra, vepra nga e gjithë bota, subjekte politike si edhe debate.

Ndër 18 filmat në konkurrim, 6 drejtohen ose bashkëdrejtohen nga regjisore, më pak se viti i kaluar.

”Gjashtë filma nuk janë shumë, megjithatë mbetet një shifër e kënaqshme”, vlerëson Carlo Chatrian, duke prezantuar përzgjedhjen e tij në fund të janarit. Paraardhësi i tij kishte nënshkruar vitin e kaluar një dokument në favor të barazisë mes burrave dhe grave, ashtu si festivale të tjera të mëdha.

Duke përzier autorët kryesorë dhe zbulimet, përzgjedhja e 2020-s në Berlinale, i hapur si për publikun edhe për gazetarët, propozon të zbulojë opusin e fundit të amerikanes Kelly Reichardt, (“First Cow”), “There is no evil” të iranianit Mohammed Rasoulof, i ndaluar për të dalë nga territori, një film brazilian për skllavërinë (“Todos os mortos”) apo edhe komedia e fundit e dyshes franceze Kerven-Delépine që përballet me gjigandët e internetit apo zakonet dixhitale.

Homazhe Helen Mirrenit

Krah yjeve, lista e të ftuarve është e gjatë : prania e Javier Bardem, Elle Fanning dhe Salma Hayek, në posterin e “The Roads not taken” (në konkurrim), duhet të gëzojë fotografët ashtu si dhe prania e Johnny Depp  që mishëron në ekran fotografin William Eugene Smith në “Minamata” ( jashtë garës).

Cate Blanchett do të prezantojë serinë australiane ”Stateless” në seksionin dedikuar këtij formati dhe Helen Mirrenit, e kurorëzuar me Oscar në 2007-n për ”The Queen”, do të marrë një ”Ari”’ nderi për karrierën e saj të gjatë.

Pavarësisht një dimensioni magjepsës, festivalit nuk do t’i mungojnë ngjyrat politike me një programacion të ngjashëm.

Hillary Clinton pritet për të projektuar një dokumentar kushtuar po asaj, regjisori ukrainas Oleg Sentsov, i burgosur pesë vjet, duhet të prezantojë filimin e tij të dytë ”Numbers”, frymëzuar nga vitet e kaluara në burg.

Për ta mbyllur, një ”Ari argjendi” do të jepet këtë vit duke  qenë se zëvendëson çmimin Alfred-Bauer, emri i një ish-drejtori të Berlianles, pasi kohët e fundit u zbulua e shkuara e tij naziste.

Ndër të tjera, festivali njoftoi se do hapë një hetim mbi këtë çështje në Institutin Bashkëkohor të Mynihut.

SHKARKO APP