Biri që braktisi të atin
Përktheu: Bajram Karabolli
Dikur, në një vend, jetonte një njeri me të shoqen, me djalin e tij të vogël dhe me të atin që ishte shumë plak. I thotë gruaja të shoqit:
– Jam shumë e lodhur dhe e mërzitur me babanë. Ai është shumë plak dhe nuk vlen më për asgjë.
– Është babai im dhe e kam për detyrë ta ndihmoj, – iu kthye burri.
– Mirë, atëherë, zgjidh e merr, ose babanë, ose mua, – i thotë ajo me vendosmëri.
– Po, sipas teje, ç’duhet të bëjmë? – i thotë i shoqi.
– Është shumë e thjeshtë. Çoje diku në mal dhe lëre atje, – nguli këmbë e shoqja.
Pasi u mendua shumë, duke parë se e shoqja e kishte ndarë mendjen, ai vendosi ta shpinte babanë në mal dhe ta braktiste. Sikur do të shkonte për një piknik, përgatiti dy kuaj dhe ushqim për ta marrë me vete. Për ta bërë sa më bindëse këtë punë, mori e dhe djalin e vogël. Dhe i thotë të atit:
– Baba, po bëj me tim bir një shëtitje lart në mal. A do të vish edhe ti? Të bën mirë, ka ajër të pastër.
– Mirë, – i thotë babai, që s’i shkonte kurrë në mendje se cili qe qëllimi i vërtetë i të birit.
Dhe u nisën të tre. Gjyshi me nipçen ishin vërtet të gëzuar për këtë udhëtim të papritur.
Më në fund, mbërritën lart në mal, në një pyll të freskët e të vetmuar. Burri shtroi disa batanije përtokë, e shtriu të atin plak aty, la pranë tij ushqimet dhe ujin që kishin marrë me vete dhe i thotë:
– Baba, rri këtu, sa të kthehemi ne. Po shkojmë të presim dru.
Pa ditur gjë se po braktisej, plaku i mjerë, pa kurrfarë shqetësimi, pranoi të qëndronte vetëm. Veç kur kaluan orë të tëra dhe i biri me të nipin nuk po ktheheshin, mendoi mos u kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe. U shqetësua aq shumë sa nisi të qante. Donte të bërtiste, po nuk kishte fuqi. E megjithatë, kush do ta dëgjonte?
Ndërsa burri me të birin po ktheheshin në shtëpi. Djali i vogël, i shqetësuar, e pyet të atin:
– Babi, pse e lamë gjyshin atje vetëm? Nuk do të kthehemi ta marrim?!
Dhe i ati iu përgjigj:
– Jo. Do ta lëmë atje. Është shumë plak dhe nuk vlen më.
Djali i vogël, u prek prej këtij veprimi dhe filloi të qante:
– Dua gjyshin! Dua të kthehemi e të marrim gjyshin!
– Të thashë, bir, është shumë plak… edhe i sëmurë është… S’kemi ç’bëjmë… Duhet ta lëmë atje…
Atëherë, i biri i thotë:
– Po pse, babi, kështu do të bëj edhe unë?
– Çfarë do të bësh?! – pyeti, gati i alarmuar, i ati.
– Po ja, kur unë të rritem, të bëhem sa ti dhe ti të bëhesh sa gjyshi, të plakesh e të jesh i sëmurë si gjyshi, të të çoj në pyll dhe të të lë atje, vetëm?!
Vetëm atëherë burri kuptoi se ç’mëkat po bënte. U ligështua shumë dhe i penduar e, duke mallkuar veten, u kthye për të marrë të atin.
E gjeti plakun e shkretë ku e kishte lënë. I ra në gjunjë dhe, duke qarë, i kërkoi falje. Plaku që mori vesh gjithçka, duke i përkëdhelur flokët, i tha:
– Mos qaj, bir. Unë nuk ia bëra këtë gjëmë babait tim, kështu që Zoti nuk do të lejonte që ti të më braktisje në këtë mënyrë.
KultPlus.com