Botohet “Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura”, libri që zbulon luftën e panjohur
Studiesi Erald Kapri boton librin e tij të dytë pas “Sekreteve të Luftës”. Këtë herë ai sjell për lexuesin “Mbreti Zog; pas dyerve të mbyllura”, që do të promovohet në Panairin e Librit, më datë 13 nëntor.
Libri është vlerësuar së tepërmi nga njerëzit e letrave, ku mund të përmendim romacierin britanik Robert Willton, profesorin e Oxford-it, Roderick Bailey si dhe shkrimtarin Gazment Kapllani.
Ky libër rrëfen historinë e panjohur të Mbretit Zog për të rifituar fronin. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Ahmet Zogu u kthye në lajm, jo vetëm si “Mbreti i pashëm i vendit më romantik të Europës”, bashkëshorti i “Trëndafilit të bardhë të Hungarisë”, “Duhanpirësi më i madh i kohës”, “Mbreti i çuditshëm”, “Monarku i maleve”, “Mbreti me thesar me vete” që jetonte në një kat të tërë të hotelit më të njohur të Londrës, por edhe si monarku i vetëm që shprehej i gatshëm të kthehej me armë në dorë.
Një histori që ndodhi pas “dyerve të mbyllura”. Libri tregon prapaskenat për njohjen e Zogut si kreu i shtetit shqiptar në mërgim, ndikimin e kryeministrit britanik, Uinston Çërçill, liderit të Bashkimit Sovjetik, Stalinit dhe Presidentit të SHBA-ve, Frenklin Ruzvelt.
Rezistenca që nisi para 7 prillit 1939 e deri tek shpallja e Shqipërisë “Republikë Socialiste”, trajtohen në këtë libër. Viktima e parë e fashizmit, aleati Zog qendroi në pritje si “gur i vlefshëm” i një loje shahu që nuk u përdor kurrë. Mbreti shqiptar fitoi admirim të heshtur por mbeti një aleat i neglizhuar.
Ahmet Zogu siç nuk është njohur, lufta e tij, jeta mes mbretërorëve në Londër, pasuria, skupet në shtypin perëndimor, planet ushtarake sekrete të aleatëve dhe përplasjet për të ardhmen e Shtetit Shqiptar në konfliktin më të madh të njerëzimit, vijnë të gjitha në këtë libër. Një histori që mund të kishte rezultuar ndryshe për shqiptarët, nëse Mbreti do rikthehej, siç kishte ndodhur më herët.
“Shpesh, Mbreti Zog është trajtuar thjesht si figurë simbolike në analizën historike; relikë e një bote të humbur romantike ruritariane; heroi i Shqipërisë sovrane ose horri i saj, marioneta ose viktima e Italisë. Në librin “Mbreti Zog; Pas dyerve të mbyllura” gjejmë një Zog të freskët, më real, aktiv, të apasionuar, madje ndoshta tragjik, të përkushtuar në lundrimin e rrjedhave të turbullta të luftës për kombin dhe vendin e tij. Me fokus të paanshëm të një periudhe të kufizuar historike, me narrativin e mbështetur në punë arkivore të larmishme dhe të hollësishme, profesor Kapri, jo vetëm ka ndriçuar një aspekt të hulumtuar pak të diplomacisë së Luftës së Dytë Botërore, por gjithashtu e ka ringjalluar përceptimin tonë të kësaj pike kthese në historinë e Shqipërisë”, shprehet Robert Wilton Historian, diplomat, përkthyes. Autor i “Merimanga e Sarajevës”.
“Sa herë që lexoj një libër shumë të mirë, ndiej mirënjohje për autorin. Këtë ndjeva duke lexuar librin e Erald Kaprit, “Mbreti Zog: pas dyerve të mbyllura”. Historiografia shqiptare, pasi u dergj pothuajse për gjysmë shekulli në morgun stalinist, po ringjallet më në fund dhe kjo, falë pasionit dhe punës serioze të historianëve, arkivistëve dhe hulumtuesve si Erald Kapri. Ky libër përbën një kapitull të vyer të historiografisë sonë dhe të vetëdijes kombëtare njëkohësisht. Është një libër që meriton një auditor të vëmendshëm dhe të gjerë”, shprehet Gazmend Kapllani Drejtor i Katedrës së Studimeve Shqiptare Hidai Eddie Bregu, Universiteti DePaul, Çikago, SHBA.
“Është hera e parë që eksperienca e Mbretit Zog në Luftën e Dytë Botërore vjen e trajtuar në kaq detaje. Përmes një dokumentacioni të gjerë e të vlefshëm, të bazuar në kërkim të thellë, Erald Kapri ka sjellë një libër me rëndësi”, shkruan Dr. Roderick Bailey Fakulteti i Historisë, Universiteti i Oksfordit, autor i “The Wildest Province: SOE in the Land of the Eagle”.