Çun Lajçi: Kur t’arrish te Ura e Tabakëve, kërkoje emnin tim

Po ma mbante zinginë që ta fusja kambën. Po më ndihmonte ta shaloja allçin. Po më fliste të veshi, si me pasë frikë prej erës që po na dëgjonte:
— Mos shko rrjedhës së Fanit, — më tha, — ngjitu andej nga zhdirgjet Lumi i Shalës. S’t’ka hije me zbritë n’Kurbin, pa ia pi kafën Mar Lulës!
— Kush asht ky, o Sali Man? — i thashë, tue e futë alltinë n’rrypin e pantallonave. — Diçka di prej kangës, por kangës s’i besoj gjithmonë.
Ai qeshi lehtë, me atë buzëqeshjen e burrave që e kanë provue vdekjen:
— Ai asht guri që peshon ma randë se kullat e Shalës! — tha, e ma mbushi xhepin me fyshek.
— S’u besohet grykave, o bac. Besimi i tepruem na i vrau burrat e kombit.
Pastaj uli kryet si me folë me tokën:
— Ndëgjoje zakonin e maleve. Ai nuk t’pret n’besë!
Shko të Mar Lula i Shalës, merre barutin e tij e mbasi t’keshë pi tamël dhishë e mbasi ti keshë mbathë çorapat e leshit, që i ka thurë nana me gishtat e saj, dil n’kodrat e Mirditës e thirr: Jam n’besën tande, o Kapidan!”
Në nji thep kërrshi u ndala. Dorën e vuna të veshi e piskata: – Me duhen dy trima o Marka Gjon! Dua t’me çojnë deri te Vigu, atje ku i varën djemtë që s’i thanë tungjatjeta yllit të kuq, “petokrakës” së Tiranës.
– Bjeshkët ushtuen, e atëherë u kthye nji za i thekt. Ishte deputeti i Tiranës, mirditori Bardhok Biba.
“Mos zbrit te Vigu, se konopi që mori frymë ende luhatët n’erë. Ende pret me ngulfatë qafa. Ik rrjedhës së Matit, se plumbi që më mori mua, mund të të marr edhe ty! Zbrit n’Kurbin, se nuk çohet ma as Mar Lula, as Prek Cali, as Herojt e Vigut, as Kapidan Gjon Marka Gjon, as unë! Ata s’ia dhanë besën t’pabesit si unë! Ata i besuen zemrës së vet, jo fjalës që pihet me raki. Ata i besuen zakonit të maleve, jo ligjit të “petokrakave” që laheshin me gjak malsorësh e beheshin të kuq!”
U ndal pak, e m’pa drejt n’sy:
— Tiranën e donin pa “tiran”, e n’Tiranë s’kishin besë. Se besën e hanin me bukë, e bukën e banin dinjitet!
— Unë i besova Mirditës sime, por pabesatorët më prenë n’besë e n’bujari!
Ai za m’u ngulit në shpirt.
M’u duk sikur përtej mjegullës po shfaqej hije e Gjon Marka Gjonit, n’zekanin e bardhë, me pushkë n’dorë e me fjalën e burrit që s’e ndërron për frikë.
“Gjoni t’ban konak,” — tha ai, — “por n’anën tjetër të ylberit. N’anën tjetër asht edhe deputeti vjerrshator që i këndoi Shqipërisë, që e dashti Tiranën, pa e ditë se ajo po dashuronte ma shumë petokrakën e kuqe se djemtë e maleve!”
Kur t’arrish te Ura e Tabakëve, kërkoje emnin e tij —
gërrvishtë me gozhdë, n’harkun e dytë, e këndo n’heshtje, për deputetin e Mirditës e për t’gjithë ata që i ngrysi hija e besës së shkelun:
“Çou Bardhok e shihe Mrikën që po t’rri për bri,
– Çou e shihe gruen tande që asht veshë me t’zi!
– Çou e shihe tanë Mirditën që vajton për ty…”
21.10.2025

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?