Daniel Defoe, virtuoz i fjalës, udhëtari i pashoq në hapësirën mes historisë, gazetarisë dhe romanit

SOT, NË PËRVJETORIN E VDEKJES

Nga Albert Vataj
Sot kujtojmë ndarjen nga jeta të njërit prej shkrimtarëve më me ndikim të letërsisë angleze dhe botërore, Daniel Defoe, autorin e pavdekshëm të romanit “Robinson Crusoe”, që përshkroi me një thjeshtësi gjeniale shpirtin e vetmisë dhe forcën e mbijetesës, duke krijuar një arketip universal të qëndresës njerëzore përballë fatit.
Pamfletist, polemist, gazetar i zellshëm, tregtar i pasuksesshëm, agjenti sekret dhe përfaqësues i vërtetë i shpirtit aventuresk të shekullit XVIII, Defoe është një nga figurat më të shumëanshme të historisë letrare britanike. Ai është përfaqësuesi tipik i një epoke trazimesh ideologjike dhe ekonomike, ku pena bëhej armë dhe fjala, mjet pushteti.
I lindur në vitin 1660, Daniel Defoe do të synonte fillimisht t’i përkushtohej rrugës së predikimit në kishën disidente, por do ta linte atë për të ndjekur rrugën e tregtisë, ku megjithëse përjetoi dështime të rënda dhe borxhe që nuk e lanë kurrë rehat, nuk hoqi dorë nga ambicia për të ndikuar në opinionin publik përmes fjalës së shkruar.

Që në broshurën e tij të parë politike më 1683, Defoe tregoi një instinkt të mprehtë për retorikën dhe argumentin publik. Ai ishte një mbrojtës i flaktë i Mbretit William III, për të cilin do të shërbente jo vetëm si mbështetës letrar por edhe si agjent i fshehtë në rrjetet politike të kohës.
Në vitin 1702, pamfleti i tij satirik “Rruga më e shkurtër me disidentët” do të shkaktonte një stuhi politike, duke e çuar përballë shtyllës së turpit dhe në burg, si fajtor për shpifje dhe nxitje të urrejtjes. Megjithatë, nga kjo periudhë e errët lindi një aleancë e re me pushtetin konservator, marrëveshje që do t’i siguronte lirinë dhe një rol të ri si propagandist i qeverisë Tory dhe më vonë edhe i Whig.

Swiss Digital Desktop Reklama

Puna e tij si gazetar dhe botues i revistës “Një përmbledhje e çështjeve të Francës”, e cila botohej tre herë në javë, dëshmon për një mendje që i paraprinte profesionit modern të gazetarisë, duke shkrirë lajmin, analizën dhe qëndrimin ideologjik në një të vetme.
Në vitin 1704 botoi librin “The Storm”, një rrëfim tronditës i Stuhisë së Madhe të atij viti, që konsolidoi reputacionin e tij si kronikan i mprehtë dhe vëzhgues i hollë i realitetit. Kjo përvojë e rrëfimit faktik do të shërbente si bazament për veprat e tij të mëvonshme të fiction-it, ku përshkrimi realist dhe ndjeshmëria psikologjike do të gërshetoheshin mjeshtërisht.
Kulmi i krijimtarisë së tij u arrit me botimin e “Robinson Crusoe” në vitin 1719, një roman që do të përkufizonte jo vetëm zhanrin modern të fiction-it, por edhe do të sillte një metaforë të fuqishme të individit në kërkim të shpëtimit, të kuptimit dhe të vetvetes. Pas këtij suksesi, ai botoi vazhdimin e aventurave të Crusoe-së, si dhe një varg veprash të tjera që mbetën në histori: “Moll Flanders”, “Colonel Jack”, “Roxana” e shumë të tjera.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në një ndërhyrje gati profetike në proceset e unifikimit britanik, ai shkroi më 1709 veprën “Historia e Bashkimit të Britanisë së Madhe”, e cila dokumentonte me vërtetësi dhe pasion politik ngjarjet që çuan në Aktin e Bashkimit të vitit 1707.
Në vitet e fundit të jetës, Defoe iu kthye udhëtimit dhe reflektimit mbi realitetin britanik, duke sjellë tek lexuesi një tablo të gjallë dhe kritike të shoqërisë së kohës përmes veprash si: “A Tour Through the Whole Island of Great Britain”, “The Complete English Tradesman” dhe eseve të tij të mprehta për moralin, familjen dhe politikën.
Vdekja e tij më 24 prill 1731, në varfëri dhe pa bujë, nuk i ngjau madhështisë së veprës që la pas. Por kujtimi i tij është i pavdekshëm, si një shembull i gjallë i forcës krijuese që lind nga trazirat, nga mjerimi, nga rebelimi intelektual dhe nga shpirti i pashuar për të ndikuar botën.
Daniel Defoe mbetet një hero i heshtur i letrave, një i papërkulur, shndërrues virtuoz i realitetit në fjalë, një udhëtar i pashoq në hapësirën mes historisë, gazetarisë dhe romanit. Vepra e tij është testament i gjallë i përballjes së mendimit me kohën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?