“Darka e Fundit” e Leonardo da Vinçit dhe historia e modelit që pozoi për mjeshtrin e madh të Rilindjes
Nga Albert Vataj:
Trill apo e vërtetë, këtë ka pak shanse ta qartësojë dikush ndërsa qëndrojnë pesë shekuj në mes dhe një stuhi e përbindshme shkatërrimi dhe tjetërsimi të shumë fakteve dhe të vërtetave, shkruar në një syprinë delikate dhe lehtësisht të manipulueshme. Por besimi ka arritur të mbajë në këmbë dhe të ngrejë në qiell, ideologji dhe doktrina, siç guxon edhe sot të bëjë rrëfimtarin e një histori të denjë për legjendë. Bëhet fjalë për mënyrën se si u procedua nga mjeshtri për kryeveprën e kryeveprave të Rilindjes së Artë, “Darka e Fundit”.
I famshi Leonardo Da Vinçi kishte pranuar të bënte afreskun në sallën e ngrënies të Kuvendit të Shën Marisë së Hireve në Milano me një pikturë të madhe që paraqiste Darkën e fundit të Jezusit me apostujt. Mjeshtri donte që afresku të ishte një kryevepër e për këtë ai punonte shumë ngadalë e me shumë kujdes. Edhe me padurimin e klerikëve të kuvendit, afresku përparonte fare pak.
Për fytyrën e Jezusit, Leonardi kishte kërkuar një muaj të tërë një model që të kishte të gjithë karakteristikat e nevojshme, një fytyrë që të përcillte forcë e butësi, përshpirtësi dhe dritë. Në fund ai arriti të gjente dhe Jezusit i dha formën e fytyrës së Anxhelos, një djalosh i sinqertë dhe i pastër që e kishte takuar në rrugë fare rastësisht.
Pas përfundimit të pikturës së Jezusit, Leonardo da Vinçi filloi të sillej nëpër lagjet më famëkeqe të Milanos e nëpër pijetoret më të ulëta e të lëna pas dore, të kërkonte e të gjente një personazh me fytyrë të përshtatshme për Judën, nxënësin që e tradhtoi Jezusin. Kërkoi një fytyrë që të shprehte paqartësi dhe zhgënjim, fytyrën e një njeriu të gatshëm të tradhtojë dhe mikun e tij më të ngushtë. Pas shumë netësh mes faqezinjve e maskarenjve të çdo lloji, më në fund arriti të gjente fytyrën që i përshtatej Judës tradhtar. E mori me vete në kuvend dhe u bë gati të bënte portretin. Në atë moment vërejti se në sytë e atij njeriu po rridhnin lot.
“Pse qan?” e pyeti Leonardo, duke i hedhur vështrimin asaj fytyre të turbulluar, “Unë jam Anxhelo”, mërmëriti ni riu. “I njëjti që të kam shërbyer si model për të bërë fytyrën e Krishtit”.
Legjendë apo e vërtetë, gjithqysh kjo alegori mbart mbi vete një domethënie të pazakontë, sinjifikon njeriun e dualizuar të unit, njeriun që lëviz brenda vetes duke dëshmuar botën, por pa mundur të transformojë shpirtin.