Dedikuar të birit sa qe në këtë jetë, nga Visar Zhiti

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.

Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshtajanë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde.

Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.

Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë, me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi lotët, që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm me… mbase … e jo vetëm…

SHKARKO APP