Del rrëfimi i rrallë i gjeniut të kinematografisë shqiptare/ Ja si e hoqi Kadri Roshi gagaçërinë
Kadri Roshi ka qenë një aktor i madh, që ndoshta nuk do i vijë më kinematografisë shqiptare ose do të duhen shumë vite derisa në skenën shqiptare të ngjitet një gjeni i tillë.
Së fundmi kineasti Petrit Ruka ka sjellë një libër, ku tregohet mbi jetën e aktorit të madh. Libri në fjalë titullohet “Kadri Roshi, Kalorësi mbi det”.
Në këtë libër rrëfehen shumë histori panjohura për jetën e gjeniut shqiptar. Shumë pak e dinë, por Kadri Roshi ka qenë gagaç. Në këtë libër shkruhet një rrëfim i tij:
Nuk kam lindur gagaç, po gagaçërinë e fitova aty nga mosha tetë – nëntë vjeç. Kishim komshi një familje të madhe me tetë fëmijë. Familjen e L.B. Të dy prindërit e kësaj familjeje ishin gagaçë… Për çudinë e të gjithëve edhe të nëntë fëmijëve u mbahej për ibret goja. Një ditë, nuk e di pse e imitova njërin prej tyre para shokëve të mëhallës dhe u habita shumë, kur pashë sesi të gjithë u shkulën së qeshuri. Qeshnin sa u delnin lot prej syve, u shkuleshin zorrët nga barku. Fjala mori dhenë dhe filluan të ma kërkonin këtë gjë të gjithë. Kënaqeshin pa masë ata, por edhe unë kënaqesha. I imitoja sa ngopesha. Dhe ja kështu, ditë për ditë,… aq sa edhe mua filloi të më mbahej goja. M’u bë zakon dhe ec e hiqe…”
Ai pati një vullnet të hekurt. Është e vështirë ta besosh se Kadri Roshi ka qenë një gagaç, një njeri të cilit i mbahej goja.
E në fakt nuk e dihet se nga i buroi një vullnet i tillë që nga një gagaç u bë njeriu që fliste një shqipe të kulluar.