“Dokufest”, tani festivali kalon online
Pandemia ka bërë që shumë aktivitete kulturore në Kosovë të ndërpriten dhe të pezullohen. Por, dy festivalet e filmave në Prizren, ai i filmit dokumentar “Dokufest” dhe festivali i filmit të animuar “Ani-Bar”, sivjet do t’i qëndrojnë publikut të tyre afër nëpërmes platformave online.
Drejtuesit e “Dokufest” shprehen se kalimi i komplet një festivali në sferën virtuale ishte një “eksperiment i çuditshëm” dhe sfidë. Kjo ka edhe përparësitë e tij për shkak se ueb-faqja në të cilën njerëzit mund të shikojnë filmat, do të jetë në dispozicion jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Diasporë, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe në Mal të Zi.
Në këtë edicion në platformën online do të shikohen 150 filma të ndarë në tetë kategori, aq sa ishin dhe në vitet e kaluara . Ndërsa “Doku-shop” do të vendoset tek Ura e Arastës në Prizren, për t’iu mundësuar adhuruesve të festivalit të blejnë bluza dhe çanta.