Dr. Luli, ky dishepull i heshtur i Hipokratit….!

Nga Ilir Çumani-

Shërimi i Dr. Lulit nga virusi i padukshëm e tinëzar Covid – 19, sot ishte një lajm i mirë, i gëzueshëm, i mezipritur, që më ngazëlleu pafundësisht mua dhe familjen time. Jam i bindur se, ashtu si unë, të gjithë miqtë dhe kolegët e tij, të njohur dhe të panjohur, studentë dhe ish studentë të shumtë të profesorit, të gjithë shqiptarët, janë lumturuar pa masë me këtë lajm të gëzuar. Kur mora vesh përmes medias se Dr. Luli ishte prekur nga Covid – 19, nuk u befasova aq shumë. Duke e njohur prej 30 vjetësh këtë burrë fisnik, këtë NJERI të rrallë që gjithë jetën e Tij ka punuar dhe jetuar për të tjerët, mendova se, nuk ka dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Pas një investimi gjysëm shekullor si mjek infeksionist, e, për vite me rradhë Shefi i Pavionit infektiv në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai tashmë kishte dalë në pension. Mirëpo, me shpërthimin dhe përhapjen e pandemisë Covid – 19, Dr. Luli nuk qëndroi duarkryq në shtëpi, por i’u bashkua vullnetarisht në një llogore sërish krah kolegëve me bluza të bardha, në betejën për tu përballë me këtë armik të rrezikshëm e të padukshëm, i cili kërcënon në masë jetët njerëzore. Dhe e gjitha kjo, tregon qartësisht se ç’farë përfaqëson e mishëron në vetvete ky NJERI….! Prof. Dr. Dhimitër Kraja, (Dr. Luli) siç e njohin të gjithë, nuk është vetëm një aset i vyer i medicinës shqiptare, por së pari është një shkencëtar mirëfilli në fushën e epidemiollogjisë, së cilës i kushtoi rininë, të gjitha energjitë e pashtershme, mëndjen, shpirtin këtij profesioni në dobi të shëndetit të shqiptarëve. Ai, si rrallë kush, pa e ekzagjeruar, mund te them se është dhe mbetet një MISIONAR i zellshëm për vazhdimësinë dhe mbrojtjen e JETËS, modest deri në përulësi kristiane, besnik fanatic dhe luftëtar i paepur i parimeve humane për ekzistencën e njerëzimit. E nëse do të jetonte në kohën e Hipokratit, (i cili njihet si themelues i mjekësisë klinike ne Greqinë e Vjetër, në shek. 460 p.e.s), padyshim që Dr. Luli, do të ishte i përzedhuri kryesor mes nxënësve të tij, një Dishepull i mençur, i heshtur dhe i urtë i rangut të parë i babait të Mjekësisë…. Krenar për TY Mik i shtrejntë, Dr. Luli! Më vjen mirë që nga sot, të njohin shumë e më shumë shqiptarë, ngase asnjëherë nuk të ka pëlqyer protagonizmi, publiciteti jo e jo…! Edhe pse kontributi, lodhja, sakrificat, modestia dhe puna jote është e pa çmuar, e pangjashme, e pashembullt… Ky kontribut meriton hapësira pafund në dritaret e mediumeve tona dhe në dëgjesat publike për t’iu qasur modeleve që sot na nevojiten më shumë se kurrë. Ti je HEROI i heshtur i dhimbjes dhe i sakrificave sublime NJERËZORE!
Zoti qoftë gjithmonë me Ty dhe familjen tënde të mrekullueshme!

SHKARKO APP