Dramat e Shekspirit janë frymëzuar nga fqinjët e tij në Londër?
Bardi i madh mendohet të jetë jetuar në rrugën Liverpul të Londrës, afër mjekëve, tregtarëve dhe artistëve, shkruan Guardian, transmeton Telegrafi.
Disa nga dramat më të famshme të Shekspirit (William Shakespeare), mund të jenë frymëzuar nga fqinjët e tij elitarë, thotë historiani i artit që ka kaluar një dekadë duke u përpjekur për të identifikuar adresën ku ka jetuar bardi.
Geoffrey Marsh, drejtor i departamentit te teatrit dhe performancës së në Muzeun Viktoria dhe Albert, kaloi 10 vjet duke kërkuar vendndodhjen dhe rrethinën e saktë të shtëpisë së Shekspirit në lindje të Londrës, në fund të viteve 1590, pranë asaj që tani njihet si Stacioni i Rrugës së Liverpulit.
Marsh ka përdorur shumë burime zyrtare për të gjetur vendndodhjen dhe beson se dramaturgu ka jetuar pranë një numri të tregtarëve të fuqishëm ndërkombëtarë, mjekëve dhe artistëve në lagjen që tani quhet “35 Great St Helen”, që dikur ishte një nga famullitë më të pasura të qytetit.
Veprat si “Makbethi”, “Mbreti lir”, “Siç ju pëlqen”, mund të jenë frymëzuar nga bisedat që Shekspiri kishte me fqinjët e tij, thotë Marsh. Ndërsa, kur jetoi në adresën në Londrës lindore në vitet e ‘20-ta dhe ‘30-ta të tij, “për të paktën katër ose pesë vjet”, ndër të tjera shkroi “Ëndrra e një nate vere”, “Tregtari i Venedikut” dhe “Romeo dhe Zhuljeta” .
Marsh beson se gjetjet e tij mund të shpjegojnë se pse kaq shumë nga shfaqjet e Shekspirit janë vendosur në vende të huaja që ai kurrë nuk i ka vizituar, siç është Italia.
Midis fqinjëve më të afërt e më me ndikim mund të ketë qenë dy mjekë, Edward Jorden dhe Peter Turner, të cilët kishin jetuar në Gjermani dhe në Itali, beson historiani, megjithëse nuk mund të dëshmojë bisedat mes tyre.
Ekspertizat e tyre mjekësore dhe jeta personale mund të kenë siguruar materiale për disa nga dramat e Shekspirit. Tri shtrigat te “Makbethi”, për shembull, mund të jenë frymëzuar nga përfshirja e Jordenit në një gjyq të njohur shtrigash të quajtur si “Çështja Mary Glover”.
“Gjëja kryesore është që në ato kohë, në një famulli është dashur të shkoni në kishë çdo të diel, se ashtu ishte ligji”, tha ai. “Mjeku i pasur Peter Turner, i cili kishte studiuar në Universitetin Heidelberg në Gjermani, jetonte ngjitur me Shekspirin. Edhe fqinji tjetër, Edward Jorden, ishte po ashtu mjek. Këta njerëz ishin mendimtarë përparimtarë, që kanë shkuar të trajnohen në qendrat intelektuale të Evropës. Shekspiri mund t’i ketë parë ata çdo javë në kishë”.
Pyetja që shqetëson të gjithë historianët që kanë të bëjnë me Shekspirin është se si ai i ka marrë idetë për dramat dhe karakteret e tij.
“Ky është një djalë që erdhi në qytet nga një vend provincial, duke kërkuar që ta rikthejë reputacionin e familjes së tij dhe po ashtu pasurinë e tij”, tha Marsh. “Ai duhej t’i nxirrte këto drama, duhej t’i shkruante shpejt. Nuk kishte gazeta, librat ishin shumë të pazakontë, kështu që duhet të flisni me njerëzit për të mësuar diçka, dhe unë mendoj se ai këtë e bëri dhe ka marrë të gjithë këtë informacion radikal dhe progresiv të cilin e përdori për të zhvilluar karakteret e tij të pazakonta”.
Hulumtimi i Marshit zbulon gjithashtu se Shekspiri e njihte muzikantin Thomas Morley, i cili besohet se ka bashkëpunuar me të. Morley gjithashtu mendohet të ketë qenë një nga fqinjët e Bard në “St Helen”. /Telegrafi/