“E shoh dhembjen në sytë e saj”

Një pikturë e Artemisia Gentileschit, që përshkruan torturën e Shën Katarinës, po bën një turne nëpër Britani të Madhe. Çfarë thanë gratë e burgosura për këtë vepër arti? Shkrimin e gazetarit Jonathan Jones, të botuar në Guardian, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Dy gra po bisedojnë para pikturës “Shën Katarina e Aleksandrisë”, një shenjtore e martirizuar në shekullin e katërt. Figura shfaqet e anuar në një rrotë të mbushur me kunja hekuri, pjesë e instrumentit të torturës së saj.

“Është mikja ime tani”, thotë një nga gratë.

“Zonjë e fortë”, thotë tjetra. “Si vajzat prej nga jam unë”.

Ato preken nga fati i Katarinës.

“Këta martirë nuk janë si ti dhe unë”, thotë njëra.

“Nuk vdes për asnjë kauzë”, shton shoqja e saj.

Artemisia visits a girls' school | National Gallery

Gratë të cilat nuk mund të emërohen, janë të burgosura në “HMP Send”, një burg për femrat kriminele me rrezik të lartë. Piktura e bërë nga gruaja që vuajti abuzime dhe dhunë të tmerrshme në Italinë e shekullit të XVII-të, po varet në bibliotekën e burgut. Ajo u ble vitin e kaluar nga Galeria Kombëtare, për 3.6 milionë funte, dhe si pjesë e një turneu po shfaqet aty.

Kjo është hera e parë që një pikturë nga koleksioni nacional dërgohet në burg. Kur e pyes drejtoreshën e burgut, Carlene Dixon, nëse brengoset për emocionet që kjo vepër intime mund të nxisë tek të burgosurat, ajo thotë: “Isha më shumë e shqetësuar nëse dikush do ta gërvishte”.

Vepra është punuar nga Artemisia Gentileschi, e cila shpërtheu barrierat e barokut të Italisë për t’u bërë piktore e suksesshme. E përdhunuar si tinejxhere, artistja shëronte traumën e jetës me skena biblike, në këtë rast duke pikturuar veten si shenjtore e martirizuar. Artistja shpesh konsiderohet më e ashpër se Caravaggio, duke kërkuar hakmarrje në veprat e spërkatura me gjak. Në një tjetër pikturë madhështore, të quajtur “Judita pret kokën e Holofernesit”, shohim një grua muskuloze duke mbajtur gjeneralin me forcë në krevat, teksa tjetra ia pret kokën. Ai është i zgjuar.

Shën Katarina u dënua me vdekje midis rrotave me kunja të mprehtë, por makina u thye në sajë të asaj që shihej si ndërhyrje hyjnore. Ndaj, mbijetoi. Ky është momenti i triumfit me të cilin Gentileschi identifikohet.

Si i duket ky portretizëm i besimit, durimit dhe shpengimit, dikujt që është në burg?

“Ato veç shtronin pyetje”, thotë Jo Lewis, artiste që udhëhoqi një punëtori me të burgosurat. “Ato donin të dinin gjithçka për Artemisian dhe kohën e saj”.

Por, piktura u foli atyre po aq fort sa detajet e jetës së artistes. Të burgosurat panë dëshirat e tyre aty. Për disa, rrota dukej si një kapak, duke shtuar se Katarina kishte shpëtuar nga diçka që ngjan me kontejnerë apo qeli. Është interpretim i jashtëzakonshëm personal që krijon një lidhje të fuqishme që shtrihet nëpër shekuj: si Gentileschi, ato shohin diçka nga jeta e tyre e pasqyruar në atë që Katarina po kalonte.

Vizatimet e të burgosurave të autoportretit të Gentileschit, ku reflektohen përvojat personale

Burgu “HMP Send” është vend i frikshëm, i fshehur në një lagje të qetë në Surrey. Kaloj nëpër shumë seksione të mbyllura. Deri sa arrita në bibliotekë, u ndjeva i kurthuar. Për shumë të burgosura, kjo mbetet shtëpia e tyre për një kohë të gjatë.

“Rreth 40 për qind do të jenë të paktën 10 vjet këtu”, thotë Dixon. “Dhe, shumë të tjera me burg të përjetshëm”.

Asnjë nga të burgosurat nuk e dinte se po u vinte një pikturë prej 3.6 milionë funteve. Në vend të njoftimit që mund të ketë rrezikuar sigurinë , të burgosurat u ftuan të regjistroheshin për një punëtori. Ato që e bënë këtë, u shpërblyen me një takim ballë për ballë me një kryevepër baroku. Pasoi një diskutim intensiv, sidomos për temën e rrotave.

“Ne folëm për këtë si diçka që ju çon diku tjetër”, thotë Lewis.

Gentileschi është artiste ideale për t’u shfaqur në një burg të grave. Lewis u tha të burgosurave për përdhunimin e artistes në moshën 17-vjeçare dhe gjyqin pasues në të cilin ajo, dhe jo sulmuesi i saj, u torturua.

“72 për qind e grave në paraburgim kanë pësuar një formë të tillë abuzimi”, thotë Dixon.

Identifikimi i të burgosurve me Artemisian, është i dukshëm në vizatimet e tyre të mahnitshme të portretit: ato duken më shumë si akte të vetëshprehjes, sesa kopje të bëra me kujdes.

Disa të burgosura këtu janë artiste të kompletuara që kanë marrë pjesë në një punëtori me Galerinë Watts. “HMP Send” ka nis një ekspozitë vjetore, ku vendasit munden ta blejnë – gjë që bëjnë – punën e të burgosurve.

“Të bësh art”, më thotë një e burgosur, “dallon nga dënimi dhe errësira këtu”.

Të burgosurat kthehen në diskutimin e pikturës absorbuese të Gentileschit.

“Forca e karakterit të saj është atje, te parakrahët”.

“Unë mendoj se ishte pak e trashë”.

“Ka pak dhimbje në sytë e saj”.

“Ajo është duke thënë: kam mbijetuar”. /Telegrafi/

SHKARKO APP