Ekspozita ‘Auschwitz’ sjellë tmerrin e Holokaustit në shtatë qytete evropiane (VIDEO)
Holokausti mbetet një prej episodeve më të tmerrshme që vetë njerëzimi i ka shkaktuar, dhe i ka lejuar.
Vrasja e miliona hebrenjve, nisur nga Gjermania dhe mbështetur nga plot shtete evropiane, edhe sot mohohet nga studiues e njerëz të ndryshëm, por megjithatë dokumentarët dhe pamjet tregojnë tmerrin që ndodhi në kampet e përqendrimit në mbarë Evropën.
Një ekspozitë do të përkujdeset që edhe njëherë qytetarët e Evropës të përballen me Holokaustin, një ngjarje që ka ndodhur as 100 vite më parë dhe është një prej tmerreve të modernitetit evropian, shkruan KultPlus.
Ekspozita “Auschwitz” do të hapet me datë 1 dhjetor në Madrid. “No hace mucho. No muy lejos” është koncepti i kësaj ekspozite. (Jo shumë kohë më parë, jo shumë larg prej nesh).
600 objekte do të ekspozohen në 2500 metra katrorë në Arte Canal. Një pjesë e mirë e artefakteve do të ekspozohen për herë të parë, dhe u përkasin të shpëtuarve dhe viktimave nga Kampi i Aushvicit.
Në mesin e objekteve që do të ekspozohen do të jetë edhe një vagon gjerman, model që u përdor për transportimin e ushtarëve e viktimave për në kampet e përqendrimit. Mbi 1.1 milion njerëz u vranë në Aushvic nga gjermanët.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Madrid deri verën e ardhshme, ndërsa do të udhëtojë edhe në gjashtë qytete tjera në Evropë dhe në shtatë të tjera në Amerikën e Veriut.