Ekspozita “Flower Power” arti bashkohor i Ardian Isufit në Galerinë FAB

Ekspozita “Flower Power” me punime të artistit Ardian Isufi u çel për publikun në galerinë e arteve FAB në Tiranë. Kjo ekspozitë erdhi me punimet e dy viteve të fundit të Ardian Isufit me piktura skulptura dhe instalacione.

Ardian Isufi tregon për ATSH se, “kjo ekspozitë në pamje të parë duket si një situatë pozitivizmi që vjen nëpërmjet lules, por çdo gjë është në trysninë e dhunës urbane, sociale dhe shoqërore”.

“Veprat e realizuara përgjatë kësaj periudhe kanë në qendër të saj elementin e lules si një simbol sa i brishtë, por edhe i fortë në kuptimin pozitiv të saj. Kompozimet e ndërlikuara me shumë elemente ambig (të dyfishtë) të krijojnë një kuriozitet ngjarjesh dhe historish natyrore, që herë pas here janë nën trysninë e teknologjisë dhe survejimit”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se,“ekspozita është pjesë edhe e diskutimit pamor mbi artin bashkohor që realisht mungon në atmosferën kulturore shqiptare dhe gjithashtu është një shembull i mirë forma e analizës pamore për studentët e artit apo artistët e rinj”, vijoi më tej Isufi, në reagimin e tij për ekspozitën personale.

Ekspozita udhëhiqet nga diskutimi elitar dhe pikëpyetjet bashëkohore se, “njerëzimi e shpiku teknologjinë për të mirën e tij, por sot ndoshta ai është bërë viktimë e saj”. Gjithashtu kjo ekspozitë është një pikëtakimi me interes publik për të hapur diskutime mbi çështjen, që ajo trajton për të kontribuar në reflektimet tona individuale dhe kolektive mbi globalizmin”.

“Flower Power” është ekspozitë që trajton tema me rëndësi sociale dhe politike nën këndvështrimin pamor mbi globalizmin, duke shquar dhe reflektuar sipas artistit simbolika ndërmjet lokales dhe global.

Objektivat e tjera të ekspozitës janë analizon tendencat më të fundit nëpërmjet artit pamor në artin bashkëkohor; krijon një atmosferë reflektimi mbi simbole globale; ironizon nëpërmjet elementeve pamore aktualitetin e paqëndrueshëm global; sintetizon formën kritike për shumë pikëpamje të ekzistencës humane; shfaq para publikut vlera të larta estetike të ndërthurura me koncepte mbi “paqëndrueshmërinë”, që vjen pothuajse si motiv qendror i ekspozitës apo dhe kontribuon ne vlerat kulturore të publikut artdashës me koncepte të qarta mbi artin bashkëkohor. Publiku artdashës do mund të njihet me afër me artin bashkëkohor të Ardian Isufit deri më datë 6 janar 2018 në Galerinë e Arteve FAB.

SHKARKO APP