Familjarët e miqtë i japin lamtumirën Koço Devoles
Miq, të afërm dhe kolegë të shumtë artistë, mes lotësh i dhanë lamtumirën e fundit aktorit të humorit Koço Devole. Familja zhvilloi një ceremoni private në nder të artistit. Kolegët shprehin vlerësime, për kontributin e tij, nga na tjetër ata thonë se shteti shqiptar nuk duhet t’i kujtoj veç në ditë lamtumirë.
Pavarësisht situatës së pandemisë, kanë qenë të shumtë miqtë dhe të afërmit të cilët morën pjesë në ceremoninë familjare për t’i dhënë lamtumiren, artistet të shquar të humorit Koço Devole. Agron Llakaj e cilëson “Caplini shqiptar”.
“Formimi i tij në artin e humorit është i veçantë. Ishte skenarist, aktor, regjisor, ishte i jashtëzakonshëm. Para një viti më dorëzoi një telekomedi shumë të bukur dhe unë e kam si mision që ta çoj deri në fund dhe ta realizoj”, tha Llakaj.
Saimir Kodra thotë se politika dhe shteti shqiptar nuk duhet të kujtohet për artistët veç në ditën e lamtumirës me mesazhe.
“Kontributet e tyre nuk duhet të vlerësohen vetëm në ceremoni mortore. Jeta e tyre, qasja e tyre sociale duhet të jetë shumë më ndryshe. Ndoshta nuk është momenti, por më duhet ta them, Koço Devole vdiq në vendin e tij këtu në Tiranë në një shtëpi me qira”, u shpreh Kodra.
Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare pasi ishte infektuar me COVID-19.
Ai kishte rezultuar negativ në tamponin e parë, por gjendja e tij u rëndua edhe si pasojë e sëmundjes së leuçemisë.
Ermal Mamaqi kujton pjesëmarrjen e tij dhe rikthimin në film pas shumë vitesh me “Dy gisht mjaltë”.
Ai tregon se Devolen e bënte madhështor modestia e tij.
“Roli i tij i fundit është babai i Emës, ai e shkroi vetë skenarin, ai e fillon e mbaron për 10 minuta”, u shpreh Mamaqi.
Koço Devole është konsideruar si një prej personaliteteve më të shquara shqiptare.
Ai ishte aktor, karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh.
Rolet e shumta që ai ka bërë në skenë dhe në ekrane janë nga më të shumtat dhe tepër të dashura për publikun shqiptar./abcnews.al/