Fëmijë, po vjen “Supa Magjike e Dragoit”!
Një botim i ri i shtohet bibliotekës së fëmijëve. Është “Supa magjike e dragoit” një përrallë dygjuhëshe në vargje. Në shqip dhe në anglisht vjen historia e tre dragojve të vegjël të cilët mësojnë si të hanë shëndetshëm kur takojnë një dragua, kuzhinier me famë, i cili gatuan një supë me perime dhe me një përbërës magjik.
Përralla në vargje është shkruar në anglisht nga Stela Gega- McConaghy për t’u sjellë më pas në shqip nga Matilda Vangjeli. Me situata me humor dhe imagjinatë, përralla është ilustruar bukur nga Ledia Kostandini dhe është redaktuar nga shkrimtarja e njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi. Në një botim cilësor dhe ndryshe nga botimet në shqip, “Supa Magjike e Dragoit” vjen për lexuesit e vegjël si një argëtim ndërsa për prindërit e tyre si një ndihmë për t’i mësuar fëmijët që të duan perimet. Ashtu si ka ndodhur edhe Stela Gega-McConaghy e cila është frymëzuar për këtë përrallë teksa mundohej ta mësonte djalin e saj tre vjeçar që të hante perimet.
Përvec kësaj, Stela dhe Matilda janë shoqe fëmijërie, dhe ky botim është një demonstrim i vërtetë i shoqeve që mbështesin njëra-tjetrën, duke i bërë ëndrrat e tyre realitet.