Festat kombëtare mbledhin motoristët nga Shqipëria dhe Kosova

Nën moton “Rrugëtojmë nën një flamur”, motoristë nga Shqipëria dhe Kosova dhuruan dje një shfaqje për të gjithë të apasionuarit pas mjeteve sportive. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua aktivitetit duke theksuar se bashkimi mes njerëzve është më i rëndësishmi dhe nëse shqiptarët bashkëpunojnë, atëherë asgjë nuk mund t’i ndajë ata.

Duke u ndalur tek parada me motorë e motoçiklistëve nga Shqipëria dhe Kosova, Veliaj u bëri thirrje të rinjve dhe të rejave që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, në mënyrë që pasioni të jetë në harmoni të plotë me ligjet dhe të garantohet edhe jeta e qytetarëve. “Mund ta kesh pasion motorin, ama si “Enduro Albania” që gjithë kohën mëson të respektosh kalimtarin, të respektosh një grua që kalon rrugën, një fëmijë, një person me aftësi të kufizuara, duhet të respektosh edhe rregullat e qarkullimit. Ndaj, një nga arsyet pse e vlerësoj Enduro Albania-n, është se nuk promovon vetëm motorin si mjet pune, ose si mjet udhëtimi, por kulturën që pasioni yt të jetë në harmoni me gjitha ligjet”, u shpreh Veliaj.

Më pas, qytetarët patën mundësi që të ndiqnin një program të ngjeshur artistik me muzikë,  dhe garën “Super Moto”, ku në fund të saj u shpërndanë çmime për fituesit.

Ndërkohë, pasditen e djeshme, me rastin e festave kombëtare të Nëntorit, 105-vjetorin e Pavarësisë dhe 73-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe federatave të Volejbollit të Shqipërisë dhe Kosovës, u zhvillua në ambientet e reja të Parkut Olimpik, turneu “Kupa e Flamurit” në volejboll për femra. Përfaqësueset e Shqipërisë dhe të Kosovës zhvilluan një ndeshje miqësore mes tyre.

SHKARKO APP