Festivali i 14-të. Danci modern zbarkon në Durrës, 13 shfaqje nëpër Shqipëri
Edicioni i 14-të i Festivalit ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan sot në mbrëmje, sipas traditës, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Drejtori artistik i Festivalit, Gjergj Prevazi, tha se “tashmë përveç qytetit ku nisi ky festival, shfaqjet e tij kanë një hartë shumë më të madhe edhe në qytete të tjerë të vendit dhe Kosovës”. Sipas Prevazit, gjatë këtij edicioni do të ketë 13 shfaqje në skenat e qyteteve të Durrësit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, si dhe në teatrin “Dodona” të Prishtinës.
Përveç trupave nga vendi ynë në edicionin e 14-të të Festivalit do të performojnë edhe ansamble të dancit modern dhe kontemporan nga Italia, Hungaria, Austria dhe Franca. Festivali nis me shfaqjen “I always have a handkerchief in my pocket” nga trupa e kompanisë së Dancit shqiptar dhe do të përfundojë më 19 nëntor me shfaqjen “Unknown”.
Skena shqiptare është pasuruar me zhanrin e ri të Dance Theater dhe artistët tanë po fitojnë një përvojë gjithnjë e më të madhe në këtë drejtim,- tha Prevazi.
Festivali i Dancit që organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit” ka nisur në vitin 2006 dhe në skenat e teatrove të ndryshme janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Hollanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria etj.