Filmi “Shija e derrit”, me një histori dramatike të një familjeje shqiptare
Filmi “Shija e derrit” trajton një histori dramatike, të një familjeje të shtresës së ulët provinciale shqiptare. Një familje, e cila edhe pse e gjendur në kushte të vështira ekonomike, vendos që të mos dorëzohet përpara skamjes. Me regji nga Elvis Lule, ky film i metrazhit të shkurtër sjell në role aktorët Lulzim Zeqja, Arta Selimi dhe Artan Islami. Me skenar shkruar nga Elvis Lule dhe Erenik Beqiri, filmi “Shija e derrit” i ka mbaruar xhirimet dhe regjisori shprehet se puna me projektin nisi siç ndodh shpesh në procesin e ndërtimit të një skenari, ku pasi ideja është pjekur si një produkt hulumtimi dhe qëndrimi artistik, lindja është e pashmangshme. Filmi “Shija e derrit” ka në fokus të tij individin, dhe regjisori Elvis Lule i pyetur për skenarin shprehet se për këtë bashkëpunim falenderon edhe mikun e tij Erenik Beqiri. “Pasi disa qëndrime artistike krijojnë një pjekje të caktuar, pas këtij procesi këto qëndrime socialo- artistike fillojnë të kompozohen në një strukturë letrare dhe pas një procesi filtrues erdhëm në këtë skenar të shkurtër, i cili në fokusin e tij ka individin, gjej rastin të falënderoj mikun dhe bashkëpunëtorin tim Erenik Beqiri”, tregon regjisori Elvis Lule për filmin “Shija e derrit”. Aktorët në film janë emra të njohur për publikun, por regjisori Elvis Lule tregon se ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë gjatë punës për këtë projekt kinematografik. “Kryesisht siç ndodh shpesh në proceset e kompozimit të një skenari ti bazohesh mbi një personazh real për të ndërtuar një figurë artistike, në këtë rast kështu ndodhi edhe me mikun tim Lulzim Zeqja, ishte hera e parë në këtë bashkëpunim shumë të mirë me Arta Selimin, Artan Islamin dhe zbulimin e një djali të vogël, por me një të ardhme brilante Juri Zeneli”, vijon ai. Ky film i metrazhit të shkurtër është një bashkëpunim mes Element Studios, Kube Studios dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, si bashkë prodhues në këtë produkt kinematografik.
Festivalet dhe premiera
Premiera e filmit “Shija e derrit” ishte menduar në fundin e muajit mars 2020, por regjisori Elvis Lule shprehet se për shkak të situatës në të cilën ndodhemi kjo ishte e pamundur. “Nuk kemi një datë fikse, sepse jemi të diktuar nga situata”, shprehet Lule. Situata në të cilën ndodhemi për shkak të koronavirusit ka penalizuar të gjithë në fushën e artit në mbarë botën, dhe detyrimisht edhe regjisorin Elvis Lule, që me këtë projekt si destinacion kryesor ka festivalet dhe rrjedhimisht sallat me publik. Por ai tregon se shpresa është që të kenë pjesëmarrje gjatë vitit, që vjen në festivale. “Po vijojmë bashkë me producentin tim Regis Canameri, të cilin gjej rastin ta falenderoj shumë me aplikimet në festivale, të cilat shpresojmë të jenë aktive në vitin 2021”, tregon regjisori. Me angazhime në kinematografi, por regjisori Elvis Lule vijon me punën e tij edhe në fushën e teatrit me vlerësime. Në lidhje me angazhimet e tij në jetën artistike, ai shprehet se fokusi këto vitet e fundit është më tepër te skenari dhe prodhimet audio vizuale. “Në fundin e muajit shkurt mbyllëm me sukses një prodhim teatral të Teatrit Kombëtar, shfaqjen “Galaksia” me regjisore Rovena Lule Kuka, ku unë kisha rolin e një drejtori artistik të prodhimit. Fokusi në vitet e fundit është orientuar për më tepër në hapësirën e skenarit dhe të prodhimeve të ndryshme audio vizuale, të cilat bëjnë pjesë në përditshmërinë time si regjisor”, tregon regjisori Elvi Lule. Në vijim të punës së tij, Elvis Lule tregon se është punuar mbi një skenar të metrazhit të gjatë, të cilin shpreson të ketë një realizim brenda dy viteve në vijim./sot