Fjalori pak i njohur italisht-shqip i vitit 1848
Në botimin e fjalorit të Atë Francesco Maria da Lecce që daton në vitin 1702, Gëzim Gurga shkruan: “Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shek. XVII, Kongregata [Propaganda Fide] nuk i kushtoi vëmendje çështjes së gjuhës shqipe, e cila, ndryshe nga arabishtja, konsiderohej si gjuhë e lehtë dhe për këtë arsye nuk parashihej asnjë lloj përgatitjeje paraprake gjuhësore për misionarët që dërgoheshin në Shqipëri.”Është kjo arsyeja përse fjalori i da Lecces qe një ndihmesë e madhe për françeskanët e huaj që erdhën dhe shërbyen në Shqipëri, pas hartimit dhe botimit të tij.
Është një histori e trazuar ajo e dëshmive që lidhen me këtë fjalor, duke filluar me atë të Giuseppe Schiro në vitin 1918, pastaj zhdukjen e tij deri në 1988 kur në kremtimin e pesëqind vjetorit të themelimit, Biblioteka e Palermos boton një katalog me të gjitha botimet në gjuhën shqipe. Më pas është Matteo Mandala i cili në vitin 1995 tregon interes për fjalorin dhe boton një studim të gjatë me titull “Huazimet turke në fjalorin e da Lecce-s” dhe gjithçka finalizohet me botimin kritik të fjalorit nga studiuesi Gëzim Gurga.
Pak vite pas dëshmisë së Schiroit, përkatësisht në 1931, Atanaz Gegaj jep dëshmi për një tjetër fjalor, gjithashtu italisht – shqip, gjithashtu hartuar nga një frat françeskan, më tepër se një shekull pas atij të da Lecces. Bëhet fjalë për fjalorin e Luca da Monte Giove që daton në vitin 1848:
“P. Luca da Monte Giove O. F. M. – Edhe ky kje ma parë në Shqypni e mbrapa mësoi shqipen në Romë. Vjeta në të cilin e nisi mësimin e vet nuk dihet mirë, veç mbas njaj letre, qi ai vetë shkruen, duket se kje rreth 1848.
Posë disa veprave tjera, P. Luca ka lanë edhe një Fjaluer shqyp e italisht, të cilin ia dorzoi Kongregacionit të Propagandës për me e shtypë, shka nuk u ba. Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën e bashkisë në Todi, në Itali, “Cod. 224”, në formatin 8°,f. 328, shkrue në vitin 1848.”
Më vonë për të do të shkruajnë Mario Roques, Atë Vinçenc Malaj dhe prof. dr. Jup Kastrati, por gjithnjë, nga sa duket, pa pasur para dorëshkrimin origjinal pasi thuajse në çdo rast, mbiemri i autorit del ndryshe (Monte Giove, Montegiove, Montegiovo etj.)
Për jetën e autorit nuk dimë shumë. Në shkrimin e përmendur më lart, Atanaz Gegaj na thotë se ai ishte nëntëmbëdhjetë vjet misionar në Shqipëri duke shërbyer si famullitar në Pult të Dukagjinit e më pas, mësues i gjuhës shqipe në Romë. Po aty, lexojmë se Monte Giove vdiq në vitin 1862.
Me dorëshkrimin e fjalorit në fjalë, për herë të parë jam njohur nga prof. dr. David Luka i cili më sugjeroi ta punoja si mikrotezë në përfundimin e studimeve master në “Studime të thelluara në gjuhësi”. Nga ajo kohë, kam synuar ta bëj sa më të njohur ekzistencën e këtij dorëshkrimi, duke botuar në revistën “Studime Filologjike” një shkrim rreth pjesës së tij të parë” dhe në “Hylli i Dritës”, një shkrim për pjesën e dytë. Pavarësisht dëshirës, me sa duket, akoma nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur një dorëshkrim me vlerë të tillë. Dëshira ime dhe e udhëheqësit shkencor prof. dr. David Luka ka qenë që punimi i mikrotezës të vijonte me një tjetër, shumë më të zgjeruar për studimet doktorale në gjuhë shqipe dhe të finalizohej me një botim kritik të veprës, por qysh në vitin 2013, në të gjithë institucionet universitare dhe studimore në Shqipëri, nga sa kam marrë informacion, është bllokuar mundësia e vijimit të këtyre studimeve.
Fjalori Italisht – Shqip i Luca da Monte Giove u hartua që t’i vinte në ndihmë misionarëve të rinj për të mësuar më lehtë gjuhën shqipe pa të cilën, sigurisht nuk do të mund të kryenin detyrat e caktuara ashtu sikurse duhej. Ai ka një renditje të saktë: fillon me fontespicin e punuar me dorë (paraqitur në fotografinënr.1), pasojnë tri faqe ku da Monte Giove i shkruan një letër në italisht arqipeshkvit mons. Labella, personit të caktuar nga Propaganda Fide për të ndjekur punën e hartimit të fjalorit dhe më pas, miratimi i ipeshkvit të Durrësit, shkruar në italisht.
Pjesën kryesore të fjalorit e zë fjalësi i përbërë nga fjalë të rreshtuara sipas rendit alfabetik. Në të majtë, janë fjalët në italisht, ndërsa në të djathtë, përkthimet respektive në shqip. Në fund të fjalorit gjejmë disa faqe të veçanta, shënuar me numra romakë (I – VIII); tre të parat me antroponime në italisht dhe përkthimin e tyre në shqip (kryesisht emra shenjtërish që janë ndryshe në italisht dhe ndryshe në shqip, përshembull Veneranda, në shqip është Prenda), faqja e katërt emra qytetesh dhe kombesh më të përdorura dhe faqet e tjera, fjalë të urta dhe sentenca shqiptare.
Alfabeti që përdor da Monte Giove është i përafërt me atë të da Lecces, pra vazhdues i traditës së alfabeteve të përdorura nga autorët e vjetër të shqipes. Janë gjithsej pesëdhjetë grafema që i përgjigjen pesëdhjetë fonemave me të cilat autori shkruan fjalët e shqipes.
Është me interes dhe shumë domethënës fakti që pavarësisht se ai shërbeu në Pult të Dukagjinit, shqipja e përdorur në fjalor i afrohet shumë të folmes së Shkodrës. Kjo tregon se da Monte Giove i ka njohur mirë autorët e vjetër të shqipes mes të cilëve edhe Pjetër Bogdanin, punimet e të cilit, sipas dëshmive, Propaganda Fide i merrte si shembull të gjuhës shqipe kur përgatiste misionarë françeskanë për në trevat tona.
Nuk dua të ndalem në veçori morfologjike, fonetike dhe leksikore pasi për to mund të lexoni më shumë në shkrimet e botuara në “Studime Filologjike” dhe “Hylli i Dritës”, pasi synimi i këtij shkrimi është vetëm pasqyrimi i shkurtër i fjalorit dhe një dëshmi e ekzsitencës së tij. Sa thashë më lart është një përmbledhje e sintetizuar e asaj pasurie që ky fjalor përfaqëson në vetvete. Shpresoj që ai të shihet me seriozitetin e duhur nga studiuesit dhe botuesit, pasi është një ndër ato vepra që mund të shtojë pasurinë e historisë së gjuhës shqipe.