FOTOT/ Vrasjet në kufi e vdekjet në burgje, imazhet para Kuvendit. Historiania: Asokohe popullatës i bëhej lavazh

Përmes audios propagandohet sistemi komunist edhe kur është në grahmat e fundit, ndërsa në imazhet e ekspozitës “Komunizmi, propaganda dhe realiteti” vijnë tronditëse. Një ekspozitë e ndarë në katër cikle, që nis nga fotot e vrasjeve në kufi, të realizuara nga vetë shteti vrasës e që vijojnë me të burgosurit e huaj edhe klerikët, deri tek eksodi i 2 korrikut në vitin 1990 me imazhet dëshpëruese të fëmijëve e të rinjve në ambasadat e huaja.

Harta e vendit vijëzohet nga e kuqja, për të diktuar vendet ku u derdh gjaku i të pafajshmëve, që donin t’i hiqnin duart nga fyti diktaturës mizore të Enver Hoxhës dhe pinjollëve të Partisë. Janë 5487 të ekzekutuar, mes të cilëve 450 gra, 34155 të dënuar politikë, ku 995 persona frymën e fundit e dhanë në burgje. Të shumtë në numër janë edhe të dënuarit e huaj, ku 1215 qenë burra dhe 38 gra. Vrasje të rinjsh, varje klerikësh, vetëvrasje, tortura deri edhe te të moshuarit ekspozohen për herë të parë, duke treguar anën e errët të atij sistemi, për të cilin asokohe askush nuk pipëtinte.

“Duhet të kujtohen ata njerëz që u internuan, burgosën e shfarosën nga komunizmi. Unë gjithnjë kam pasur bindjen e plotë se ne që mbetëm gjallë nga ato burgje mbijetuam falë Zotit, se nga komunistët ‘hyzmeti’ na u bë që të vdisnim”, thotë Uran Kostreci i përlotur. S’ka si të jetë ndryshe, emocionet e kaplojnë kur shikon foton e tij mes të burgosurve politikë, mirëpo siç thotë ai, sot “rron edhe për me tregue”. “Jam i bindur se ne mbijetuam edhe për të rrëfyer, për të treguar se çfarë masakrash kreu komunizmi mbi shqiptarët, për të mos lënë në harresë ata që vdiqën në emër të lirisë”, thotë Kostreci.

Ndërsa për studiuesen e historisë, Enriketa Papa, ekspozita “Komunizmi, propaganda dhe realiteti” është një rast i mirë për të hedhur dritë edhe mbi lavazhin propagandistik, që i bëhej popullatës asaj kohe.

“Një lavazh truri, që fatkeqësisht vijon ende sot, ku ndërsa theksi vihet mbi ‘veprat’ e mira të bëra gjatë asaj periudhe, harrohet realiteti. Ky është një rast i mirë për të kuptuar vuajtjet, terrorin e shtrirë në një plan shumëdimensional, duke prekur të gjitha moshat e shtresat, deri tek elita e saj kohe”. Papa, gjithashtu pedagoge në Departamentin e Historisë, tha se kjo ekspozitë është një rast i mirë që studentët të njiheshin nga afër me ngjarjet makabre të atij sistemi, por edhe për të parë punën e Institutit. “Duhet t’u jepet zë këtyre nismave, duhet të njihen krimet e regjimit 47-vjeçar, që shqiptarët të shikojnë edhe anën tjetër të historisë, atë të vërtetën”, thotë historiania.

Ndërsa zëvendësdrejtori i ISKK-së, Çelo Hoxha, tha se një trajtim i tillë i ekspozitës përmes dy situatave paralele, asaj që ndodhte realisht dhe Shqipërinë tjetër, që i përcillej publikut përmes propagandës, është bërë edhe për arsyen që vizitorët, të cilët ende besojnë në idenë se në komunizëm nuk kanë pasur krime, ta shohin në sy të vërtetën. “Asokohe krimi nuk bëhej publik, por bëhej monopol i shtetit, sepse qe vetë shteti që i kryente”, thotë Çelo.

54 VRASJET NE KUFI NE ‘90

Repartet përgjegjëse për vrasjet në kufi në 1990-ën:

103 Sarandë 7 vrasje
185 Gjirokastër 5 vrasje
210 Librazhd 1 vrasje
293 Dibër 6 vrasje
299 Shkodër 13 vrasje
310 Kolonjë 13 vrasje
327 Pogradec 2 vrasje
425 Korçë 7 vrasje

PANORAMA

SHKARKO APP