Franca fut në panteon shkrimtarin luftëtar. Ja kush është ai

Nga Mentor HOXHA (Paris) –

102 vjetori i Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore (1914-1918) dhe 100 vjetori i varrimit të Ushtarit të Panjohur nën Harkun e Triumfit në Paris, shënoi edhe një tjetër ngjarje të madhe historike për kombin dhe historinë franceze. Panteonit me burrat e shquar të Francës, i’u shtua më 11 nëntor edhe një mysafir i ri, por jo i panjohur për francezët. U panteonizua shkrimtari-luftëtar dhe kampioni i mbrojtjes së ekologjisë, natyrës dhe kafshëve, Maurice Genevoix (1890-1980), autor i sagës së dhimbshme memoristike “Ata të 14” dhe i çmimit prestigjioz “Goncourt” (1925). Në këtë 102 vjetor të Armëpushimit të Luftës së Madhe, Kreu i Shtetit francez, Emmanuel Macron, vendosi në Panteon pikërisht këtë luftëtar të shquar dhe megafon i fuqishëm i kësaj lufte, i cili, ndonëse u plagos rëndë nga kjo luftë dhe humbi dorën e majtë, ai dhe Franca dolën fitimtarë. Dyzet vjet pas vdekjes së tij, ky shkrimtar hyri mbrëmjen e 11 nëntorit në godinën e Panteon me një cermoni shtetërore, të kryesuar nga vetë Presidenti i Republikës. Hyrja e tij në Panteon, u njoftua më 6 nëntor 2018 nga Macron me rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore gjatë një udhëtimi që presidenti bëri në Eparges (Meuse), skena e luftimeve të tmerrshme më 1915, ku u plagos Genevoix. Ceremonitë për panteonizmin e tij vazhduan nga mëngjezi deri në mbrëmjen e 11 nëntorit me transferimin e hirit të Genevoix në Panteon. Nën Harkun e Triumfit, tetë flamujt e regjimenteve me një apo më shumë vdekje që nga 11 nëntori i kaluar, u parqitën me atë të regjimentit 106 të këmbësorisë ku bënte pjesë Maurice në Luftën e Madhe. Biografët e shkrimtarit mendojnë se duke sjellë memorialistin, Maurice Genevoix në Panteon, Macron nderoi të gjithë luftëtarët e Luftës së Madhe. Maurice u plagos rëndë në front më 1915 duke humbur njërën dorë. Nga ana tjetër, ai do të kalojë jetën e tij duke shkruar ferrin e luftimeve në tregimet e grupuara së bashku me “Ceude de 14” (Ata të 14”). Dorëshkrimi autograf i “Ceude de 14″, të cilin familja e Maurice ia dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Francës, u ekspozua pranë arkivolit të tij gjatë ceremonisë së homazheve në Panteon. Me hyrjen e Maurice në Panteon, janë të gjithë ata nga 14″ që u bashkuan me 11 nëntor me kriptën e burrave të mëdhenj dhe grave të mëdha të Panteonit përkrah 560 shkrimtarëve luftëtarë, emrat e të cilëve janë të shkruar në muret e këtij nekropoli monumental. Për shkak të krizës shëndetësore, ceremonia u zhvillua në prani të një numri shumë të vogël të autoriteteve civile dhe ushtarake. Nuk pati publik në shoqërimin e kortezhit dhe varrimit të tij në kodrën Sainte-Geneviève. Para se të futej në Panteon, hiri i Maurice kaloi nëpër Eècole Normale ku ai studioi dhe u shërua nga plumbat. Riti republikan i varrimit të burrave të mëdhenj të Francës në Pantheon u krijua nën Revolucionin Francez.

Maurice Genevoix është një nga njerëzit më të mëdhenj të letrave të shekullit të XX. “Është një emër që zbukuron fasadat e shkollave, bibliotekat e mediave, tabelat e rrugëve. Nga ushtar i hendekut te Akademiku”, -thotë regjisori Jean-Matthieu Zahnd. Genevoix është autor i rreth 56 librave të gjinive të ndryshme letrare (romane, poezi dhe memoristikë), të botuar nga shtëpitë më prestigjioze në Francë, veçanërisht nga“Flammarion”. Nga titujt më të spikatur të veprave të tij janë “Ata të 14” dhe “Raboliot”. Librat e tij, përshkruhen nga një kujtesë e mprehtë dhe nga një sens i rrallë poetik. Ishte romancier, poet, biograf dhe luftëtar në Luftën e Parë Botërore (1914-1918). Ka qenë President i Shoqërisë së Miqve të Muzeut Kombëtar të Historisë Natyrore dhe Mbrojtjes të Jardin des Plantes (1970-1980), anëtar i Akademisë franceze (u zgjodh pa konkurrentë më 24 tetor 1946, kolltuku i 34) dhe Sekretar i përhershëm i saj për 16 vite (13 nëntor 1958-1974), President i Jurisë së Festivalit të Kanës (1952), President i Mbrojtja e gjuhës frënge dhe redaktor në “Revue des Deux Mondes”. Gjatë 15 viteve si Sekretar i përhershëm i Akademisë Franceze (1958-1963), ai personalisht shkroi fjalimin e çmimit për secilin fitues të çmimeve kryesore në letërsi, romane, poezi ose histori (Grand Prix Gobert). Nën udhëheqjen e tij, Academie française afirmoi praninë dhe kompetencën e saj brenda Komitetit të Lartë për Gjuhën Franceze të krijuar më 1966, dhe këshillit Ndërkombëtar për Gjuhën Franceze. Në janar 1974 u dorëhoq nga posti i Sekretarit të Përhershëm të Akademisë franceze, gjë që asnjë sekretar i përhershëm nuk e kishte bërë një gjë të tillë që nga Raynouard më 1826. Disa e cilësojnë këtë dorëheqje si shprehje të shijes së tij për liri. Pas dorëheqjes, u largua nga Parisi dhe u vendos në fshatin La Vernelle, ku u fut në botën e shkrimeve dhe botoi disa libra për kafshët, natyrën dhe ekologjinë. I nderuar nga Shteti Francez me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit (1963), me Kryqin e Madh të Urdhërit Kombëtar të Meritës, me Kryqin e Luftës 1914-1918, me Urdhërin Komandant i Arteve dhe Letrave dhe Urdhërin Komandant i Palmave Akademike. Ka marrë Çmimin e Madh Kombëtar për Letrat (1970), Çmimin “Paul -Flat” (1931),
Çmimin “Goncourt” (1925), Çmimin “Paul -Flat” (1931), Çmimin “Blumenthal” (1922) dhe “Marcelin-Guérin Price” (1918). Disa romane të tij janë ekranizuar në ekranin e madh dhe të vogël, përfshirë “Raboliot” (2007), një film televiziv nga Jean-Daniel Verhaeghe, me Thierry Frémont në rolin kryesor. Për Genevoix janë shkruar disa libra e monografi dhe mjaft artikuj. Biografët e tij më të spikatur janë, Jacques Tassin (ekolog), Aurelie Lunéau dhe Michel Bernard, autor i “Pour Geneovix” (Botimet “La Table Ronde”, 2011). Në vitet e fundit, pati rënë disi në harresë, por me panteonizimin e tij, u ringjalll emri i tij dhe i shokëve të tij të zjarrit, të cilët i mbajti në zemr gjatë gjithë jetës së tij.

U lind më 29 nëntor 1890 në Decize, në Nièvre. Një vit pas lindjes, prindërit e tiju vendosën në Châteaunneuf-sur-Loire, një qytet i vogël francez në Luginën e Loire ku Maurice kaloi fëmijërinë dhe gjeti frymëzimin në “Trente mille jours” dhe “Au cadrab de mon clocher”. Më 14 mars 1903, kur ishte 12 vjeç, i vdiq e ëma. Nga kjo humbje ai do të mbajë një lot të përjetshëm, që do të shfaqet edhe romanet e tij “Fatou Cissé”, ose “Un Jour”. E veja e babait të tij e la të vetmuar, por, ai gjen rehati në brigjet e Loire-s, ku kalon kohën e lirë dhe frymëzohet për disa libra të tij. Më 1912, nis studimet në Ecole Normale Supérieure në rue d’Ulm në Paris dhe ishte i destinuar për një karrierë si mësues ose një nëpunës i lartë civil. Diplomën e mbrojti pas dy vitesh me një disertacion mbi “Realizmin e romaneve të shkrimtarit të shquar francez, Maupassant” (1850-1893), ndër përfaqësuesit më në zë të natyralizmit dhe njohës i thellë i jetës së Parisit dhe provincës së Francës), duke zbuluar aftësitë e tij letrare. I duhej edhe një vit për të mbaruar studimet dhe për të nisur një karrierë universitare, por Lufta e Parë Botërore ia preu karrierën në mes. Me shpërthimin e e saj, u angazhua më 2 gusht 1914 në luftë si toger (në kompaninë e VIII, më pas në atë të VII) në regjimentin e 106-të këmbësorisë. Merr pjesë në betejën e Marne (30 gusht 1914) dhe në marshimin në Verdu. Më 20 mars 1915 emërohet komandant i kompanisë së V dhe merr pjesë në luftimet e ashpra me gjermanët që u zhvilluan nga 17 shkurti deri më 9 prill 1915. Në këto luftime bije martir më 20 shkurt, miku i tij më i mirë, togeri Robert Porchon (1894-1915) nga Saint-Cyrien. Më 25 prill 1915, Genevoix plagoset rëndë në luftimet afër kodrës së Espages. Pas shtatë muajsh nga një spital në tjetrin: Verdum, Vittel, Dijon, Bourges, u shpall 70 përqind i paaftë dhe humbi përgjithmonë përdorimin e dorës së majtë. Pas daljes nga spitali, u kthye në Paris ku ofroi një shërbim vullnetar për Shoqatën e Fëmijëve të Atit duke qëndruar në shkollën Normale dhe fillon të shkruaj letërsinë e luftës. I prekur rëndë nga gripi Spanjoll, më 1919 u kthye te babai i tij në Luginën e Loire, fshati i fëmijërisë dhe shkruan disa vepra brilante mbi kafshët, natyrën dhe ekologjinë. Pasi kishte qenë një shkrimtar lufte, tashmë, filloi të pikturonte Pays de Loire. Më 1927, me paratë nga çmimi Goncourt blen një shtëpi të vjetër në brigjet e Loire në Saint -Denis-de Hotel, në fshatin Vernelles.Verën e parë e kaloi me macen Rrou dhe shkruan një roman me të njëjtin emër. Pas vdekjes së babait, u vendos në shtëpinë e tij më 1929 pas një mungese prej 20 vjetësh. Pikërisht në këtë shtëpi, në një zyrë me pamje nga Loire, ai shkruan shumicën e librave të tij. Me 25 gusht 1937, u martua me Yvonne Louise Montrosier (1908-1938), një mjeke nga një fshat afër Saint-Affrique, por pas një viti ajo vdiq. Më 27 shkurt 1943 u martua me Suzanne Neyrolles dhe pas një viti, më 1944 u lindi vajza, Sylvie. Më 1962, u vendos në Paris dhe jetoi për 12 vjet me radhë, deri më 1974 kur u dorëhoq nga detyra e Sekretarit të përhershëm të Akademisë franceze për për të rifilluar shkrimin e romaneve. Pas dorëheqjes, u largua nga Parisi dhe u vendos në fshatin La Vernelle, ku botoi disa libra. Më 1980 botoi autobiografinë “Tridhjet mijë ditë” ku përshkruan gjerësisht jetën e tij. Më më 8 shtator 1980, ndërsa pushonte në shtëpinë e tij në Alsudia-Cansades, pranë Xabia (provincën e Alicante), vdes nga një sulm në zemër. U varros në varrezat e Parisit. La në dorëshkrim romanin “Era e marsit” dhe “Lajmet spanjolle”.

BRENDIA IDEORE DHE ARTISTIKE NË 56 VEPRAT E TIJ LETRARE DHE MEMORISTIKE

Nga viti 1916 kur kompozoi librin e tij të parë, “Sous “Verdun” mbi Luftën e Parë Botërore e deri kur vdiq më 1980 ai shkroi rreth 67 libra dhe la në dorëshkrim dy vepra. Temat qendrore e librave të tij janë frymëzuar nga Lufta e Parë Botërore, nga bota e bukur e kafshëve dhe nga natyra e mrekullueshme në Solagne dhe Luigina e Loire në Francë. “E gjithë vepra e tij dëshmon për marrëdhëniet e harmonisë midis Njeriut dhe Natyrës, por edhe midis Njeriut dhe Vdekjes. Nga pacifisti te ekologu, nga humanisti te piktori-hartuesi, nga i dashuri i Loire-s dhe njerëzit vendas te Sekretari i pëhershëm i Akademisë, Maurice Geneovix mishëron vlerat që ai do të kremtojë dhe shënojë tërë jetën e tij: vëllazërinë, solidaritetin dhe dinjitetin.”,- thotë regjisori Jean-Matthieu Zahnd (Një telenovelë në 5 episode). Për Maurice Druon, Genevoix është “një personazh që bashkoi intelegjencën dhe thjeshtësinë, ligësinë dhe butësinë, humorin dhe thellësinë, sharmin dhe sinqeritetin, dhe që përdori gjuhën më të mirë që u transmetua ndonjëherë nga valët e ajrit për të na folur për tokën dhe luftën, të kafshëve dhe bimëve. ”

GENEVOIX, SHKRIMTARI QË PËRJETOI DHE DËSHMOI LUFTËN E PARË BOTËRORE

Marice Genevoix ka një meritë të jashtëzakonshme si dëshmitar dhe megafon i uftës së Madhe. Duke memorizuar dhe dëshmuar këtë luftë, ai i bëri një shërbim të madh historisë. Si pjesmarrës aktiv në front, ai pa dhe përjetoi tmerret e kësaj lufte, të cilat vendosi t’ua dëshmojë brezave të ardhshëm dhe historisë si dëshmi të lufte të padrejtë dhe shkatërrimtare. Ishte 24 vjeç kur u mobilizua dhe mori pjesë në betejat e ashpra luftarake që u zhvilluan më 1914 në Hauts de Meuse dhe Eparges dhe në marshimin në Verdun. Më 25 prill 1915, pasi qe bërë komandant kompanie, u plagos rëndë në një kodër strategjike në bregun Eparges, një fshat në Meuse, e cila do të gllabërojë 12.000 burra brenda katër muajsh. Maurice, ia detyron jetën e tij guximit të shokëve të tij që e mbajnë në krah deri në një stacion të ndihmës së shpejtë. Pasi doli nga spitali i gjymtuar dhe i dramatizuar nga humbja e shokëve, u vendos në Chateauneuf-sur-Loire (Loiret) dhe punoi për një libër dëshmie të ushqyer nga fletoret që mbante në llogore duke lënë mënjanë karrierën akademike, por është edhe inkurajimi i Paul Dupuy, që e orientoi dhe e nxiti të shkruajë dëshminë e tij të luftës. Si toger dhe komandant kompanie, ai pa jetën e përditshme të këmbësorisë: baltë, gjak, stuhi çeliku, e gjithë kjo “farsë e çmendur”. I shqetësuar për të dhënë dëshmi për tmerret që ai dhe shokët e tij përjetuan në llogore, Genevoix bëhet zëri i Luftës së Madhe. Ai nxori nga kalvari i tmerrshëm i luftës në llogore materialin për pesë vëllimet e sagës së dhimbshme “Ceude de 14″ (1949): “Sous Verdun” (prill 1916), “Nuits de guerreë (1917), “Au seuil des guitounes” (1918), “La boue” (1921), “Les Éparges” (1923), një vepër që ka zënë vendin e saj midis dëshmive të mëdha të Luftës së Parë Botërore. Këto janë vetëm fillimet e një vepre që do të numërojë më shumë se 15 tituj dhe do të vazhdojë deri në vdekjen e tij më 1980. Një vepër që sigurisht bazohet në një art të zotëruar të tregimit, mbështetur nga një kujtesë e jashtëzakonshme dhe nga një ndjeshmëri e rrallë-përfshirë midis shkrimtarëve: të dish të shohësh dhe të ndiesh. Genevoix, u bën homazh, jo vetëm shokëve të tij në luftime, por edhe të gjithë të “thjeshtëve”, -siç i quajti ai nga brigjet e Loire (artizanët, fshatarët, punëtorët, tregtarët e vegjël…), bujarinë dhe shkathësinë e të cilëve ai i admironte aq shumë. Librin e parë mbi këtë luftë e kompozoi më 1916 me librin “Sous “Verdun” (1916), i frymëzuar nga shokët e tij të armëve. Kjo vepër realiste i dha atij një njohje të gjerë. Midis viteve 1916 dhe 1923, ditaret e tij mbi luftën u shfaqën në pesë vëllime. “Sous “Verdun” në 1916, që do të jetë historia e parë e një serie prej pesë veprash e grupuar më pas nën titullin “Ceude de 14”, të gjitha të botuara nga Shtëpia Botuese “Flammarion”. Puna e tij është shënuar në veçanti nga trauma e Luftës së Madhe (1914-1918), veçanërisht në “Ata të 14, një koleksion i historive të luftës të mbledhura në 1949, i konsideruar si një nga dëshimitë më të mëdha të këtij konflikti madh dhe të gjatë ushtarak në historinë botërore që përfshiu gjithë botën. Në “Sous Verdun” dhe “Ata të 14”, Genevoix përshkroi me një stil të rrallë dhe dramatik, vërtetësinë, çmendurinë, mizoritë dhe trupat e njerëzve të copëtuar nga bombat e Luftës së Parë Botërore, por edhe vëllazërinë dhe miqësinë e armëve të krijuar në frontin e luftës. Biografi i tij, Aurelie Lunéau, thotë se “Maurice Grenevoix do të ketë gjatë gjithë jetës së tij si shkrimtar si një fije të përbashkët historinë e shokëve të tij të rënë, në mënyrë që të mos i harrojnë ata. Në moshën 12 vjeç humbi dhe nënën e tij. Dhe në këto libra të tij, ndjejmë se ekziston përvoja e tij në llogore e përzier me historinë e fëmijërisë së tij. këta njerëz i zbuluan patriotizmin dhe vullnetin për të mbrojtur kombin. Sot kthehet në Pantheon si shkrimtar, por mbi të gjitha, ky është autori i “Ata të 14”, që rrëfen përvojën e tij në llogore midis gushtit 1914 dhe prillit 1915. Ishte një mënyrë për të nderuar shkrimtarin dëshmitar dhe të gjithë ata që ishin me të dhe që ranë në “Luftën e Madhe”, -thotë Lunéau. Geneovix, përshkruan me një stil të rrallë, jo vetëm tmerret e kësaj lufte mizore, por dhe dhimbjen e madhe që ndjen për shokët e rënë, apo të gjymtuar nga kjo luftë, si dhe apelon për mospërsëritjen e këtyre luftrave tragjike që morën mijra jetë njerëzish:
“Ki mëshirë për ushtarët tanë që vdiqën! Gjynah për ne të gjallët që ishim me ta, për të cilët do të luftojmë nesër, ne që do vdesim, ne që do të vuajmë në mishin tonë të gjymtuar! Gjynah për ne, të dënuarit e luftës që nuk e donim këtë, për të gjithë ne që ishim burra dhe që dëshpërohemi të bëhemi më përsëri”.
Ndoshta, vdekja që i’u afrua aq pranë në prillin e largët të 1915-ëts, e fali pikërisht për të dëshmuar plagët e pashërueshme të kësaj lufte mizore, por dhe për t’u thënë njerëzve: Boll më me luftëra!

VEPRA E GENEOVIX, NJË AVANGARDË HUMANISTE

Genevoix, nuk iu përkushtua vetëm luftës në librat e tij, por edhe historisë së rurale, veçanërisht asaj të vendlindjes së tij Loire dhe përshkrimit të natyrës në harmoni me njerëzit.Loire, “pasqyra e dritës së hënës dhe netëve plot yje”. Ai spikati në përshkrimin e bukurive të natyrës franceze, por edhe si mbrojtës i kafshëve dhe i ekologjisë, duke u bërë i njohur, jo vetëm si shkrimtar të Luftës, por edhe si shkrimtar i natyrës dhe i kafshëve. Konsiderohet si i pari i ekologjistëve francezë. Ai u bë i njohur në Francës, veçanërisht për librat e tij rajonalë të frymëzuar nga fshati Solagne dhe Luigina e Loire, siç është romani i tij “Raboliot”, fitues i Çmimit “Goncourt” (1925), apo romanet -poezi me përshkrimet e natyrës. Në Châteauneuf ai festoi romanin e tij të parë, Rémi des Rauches (1922), Më pas shkroi dhjetëra romane për banorët e Sologne, për kafshët e pyllit, për ujërat e lumit dhe pellgjeve, si Raboliot, La Boîte à Pêche (1926), Rroû (1931, kushtuar maces së tij), La forêt perdue (1968), “Un jour” (1976), “Lorelei” (1978), dhe “Trente mille jours” (1980), romanet-poezi “Harde e fundit” (1938), apo “Pylli i humbur” (1967). Në “Tendre Bestiaire (1969), ai flet për “kaq shumë krijesa të kryqëzuara në jetën e tij”. Pasi kishte qenë një shkrimtar lufte, ai filloi të pikturonte Pays de Loire. Në brigjet e Loire në Saint -Denis-de Hotel, ai u miqësua me macen Rrou, të cilës i kushton romanin me të njëjtin emër. Ai përshkruan vendin e fëmijërisë së tij, Loire, ku njerëzit dhe kafshët jetojnë dhe evolojnë në harmoni. Vëzhgues shumë i vëmendshëm dhe njohës i thellë i jetës së fushave dhe pyjeve. Ai shkoi përtej romanit të thjeshtë, duke dhënë përshkrime të mrekullueshme të natyrës së vendlindjes së tij, në romane si “Harde e fundit” (1938), apo “Pylli i humbur” (1967). Për biografin e tij, Aurelie Lunéau, “vepra e Genevoix është një avangardë humaniste. “Genevoix ishte një shkrimtar i natyrës, i pyllit. Ai ishte vizionar për mjedisin. Qysh në vitin 1939, ai e kuptoi se dora e njeriut do të dëmtonte mjedisin”. Këto janë çështje që ne po përjetojmë sot, ai i ka denoncuar në librat e tij. “Ai denoncon ç’rrënjosjen e specieve të caktuara të kafshëve. Ai gjithashtu shqetësohet për urbanizimin e tepruar. Ishte një pionier në këtë drejtim. Unë mendoj se libri “Tufa e fundit”, është një libër shumë i bukur që na zhyt në historinë e një dreri të ri që humbet nënën e tij”, -shprehet Lunéau.
Gjenerali Charles De Gaulle ishte lexues dhe admirues i veprave të Genevoix, ndërsa Macron u njoh me veprat e Maurice kur që kur ishte fëmijë. Biografi i Genevoix, Lunéau, shprehet se “De Gaulle lexoi Genevoix dhe vlerësoi librat e tij. Këta dy personazhe e pëlqyen shumë njëri-tjetrin. Ai e vlerësonte Genevoix, pikërisht për trajtimin që u bënte problemeve të klimës dhe mjedisit. Vëmendja që ai i kushtoi mjedisit jetës”, -thotë Lunéau“ do ta bëjë Genevoix kampion të ekologjisë nga fillimi i viteve ’70. Autori i “Ata të 14”, i cili lexon në sytë e njerëzve “të tij”, është me të vërtetë i njëjti që pikturoi sytë e pikëlluar të një dreri të ri, njëzet vjet më vonë, në “Tufën e fundit“. Invitationsht e njëjta ftesë për të hedhur një vështrim të ndjeshëm në mjedisin tonë, i banuar sigurisht nga qenie, por edhe nga kafshë, pemë dhe nga të gjitha llojet e shenjave. Prandaj është e nevojshme të lexohet dhe rilexohet vera e tij letrare”, -shprehet Lunéau. “Pena e luftës së viteve 14-18” hyri në Panteon me iniciativën e Presidentit Macron. Macron u njoh me librat e Genevoix, falë gjyshes së tij, e cila ia lexoi librat e tij që kur Macron ishte fëmijë. Për Presidentin e Republikës, “këta janë të gjithë ata të 14-të që do të kapërcejnë pragun me megafonin e tyre që ishte Maurice Genevoix”.

Ç’FARË ËSHTË PANTEONI FRANCEZ

Godina e Panthenon është një monument i stilit neoklasik i vendosur në Paris në zemër të lagjes latine. I projektuar nga arkitektët Jacques-Germain Soufflot dhe Jean-Babtiste Rondelet. Është 83 metra i lartë dhe menazhohet nga Qendra Kombëtare e Monumenteve. Konsiderohet si monument i kujtesës dhe është i hapur për publikun. Renditet ndër monumentet më të vizituara në Paris.Punimet e godinës nisën më 1757 dhe përfunduan më 1790. U hap më 1791.Emri i tij vjen nga Panteoni në Romë, që daton që nga Perandoria Romake. U planifikua në shekullin e XVIII, si një kishë në shtëpinë e shenjtë të Shën Genevieve, por që nga Revolucioni Francez ka shërbyer për të nderuar njerëz të mëdhenj të historisë franceze. Brenda tij ndodhen varret e burrave t më mëdhenj dhe grave më të mëdha të kombit francez përkrah 560 shkrimtarëve luftëtarë, emrat e të cilëve janë të shkruar në muret e këtij nekropoli monumental. Disa prej tyre janë: Volteri, Jean-Jacques Rousseau, Victor Hygo, Louis Braille, Sadi Carnot, Émile Zola, Jean Jaures, Jean Moulin, Jean Monnet, Pierre dhe Marie Curie, André Malraux, Alexandre Dumas (2002), Germaine Tillion, Genevieve de Gaulle-Anthonioz, Jean Zay (27 maj 2015), Pierre Brossolette (27 maj 2015), Simone Veil dhe bashkëshorti isaj Antoine Veil (1 korrik 2018) dhe së fundmi Maurice Genevoix (11 nëntor 2020).

SHKARKO APP