Gavril Dara, paraardhësit nga Tamadheja (Shëngjergji i Tiranës)
Nga Luan Shtëpani –
Arbëreshët e Italisë që për arsye të njohura historike u detyruan të shtegëtonin në dhe të huaj, e kanë ruajtur brez pas brezi të pashuar deri në ditët tona mallin për vendlindjen e të parëve. Ata ruajtën e u lanë në trashëgim brezave kujtime, tregime, zakone, këngë, veshje e mbi të gjitha gjuhën shqipe të cilën ata u munduan edhe ta shkruajnë, edhe ta lëvrojnë sikurse bëri Serembe, Skiroi, De Rada, Santori, Kamarda, Darejt, etj dhe siç po bëjnë dhe sot pasardhësit e tyre të denjë. Në studimet e deritanishme për arbëreshët në përgjithësi dhe për pesonalitet e shquara në veçanti, të cilët u shtrënguan të lënë atdheun, nuk është arritur të përcaktohet me siguri se nga cila krahinë a fshat i Shqipërisë u shpërngulën. Eshtë thënë vetëm në mënyrë të përgjithshme se ishin kryesisht nga Shqipëria e Jugut, por ka patur edhe nga Shqipëria e Veriut. Do të ishte në dobi të vetë ngjarjeve historike, të bëhen përpjekje për të njohur më nga afër vendin, prejardhjen e disa fiseve dhe të disa figurave më të shquara të botës arbëreshe. Për këtë janë shfrytëzuar të dhëna të burimeve të ndryshme historike, gjuhësore, etnografike, folklorike etj. Burime janë edhe të dhënat e vetë autorëve arbëreshë në veprat e tyre, ngjarje që rrëfejnë, vendet që përshkruajnë, emrat e viseve dhe të personave që përmendin etj. Sipas disa nxënësve të Normales së Elbasanit (1926-1930), Aleksandër Xhuvani duke folur me pasion për “Këngën e sprasme të Balës” u kishte përmendur ndër të tjera toponimin “Përroi i Shtogut” dhe duke u mbështetur në pohimin e një studenti nga Shëngjergji i Tiranës u kishte thënë normalistëve se disa ngjarje që përshkruan autori Gavril Dara ( i Riu) ka lidhje më Shëngjergjin. Pra, prof.dr Aleksandër Xhuvanit i mjaftoi vetëm toponimi “Përroi i Shtogut” për të hedhur idenë se disa prej ngjarjeve që përshkruhen në këtë poemë ka të ngjarë të kenë burimin nga zona e Shëngjergjit. Një munër i madhe i toponimeve, antroponimeve dhe ngjarjeve lidhen ngushtë më një trevë të Shqipërisë së Mesme ku përfshihet Biza e Shëngjergjit, Balleja e Kaptina e Martaneshit, pjesa veriore e lindore e Çermenikës ( Gurakuqi, Orenja, Guri i Muzhaqit, Bark- Madhi e pyjet e fshatrave të Nezhdës e të Kostenjës) të cilat në kohët e lashta dhe të reja kanë qenë bazë kryesore e të sigurta të luftëtarëve nga ku kalonin dhe rrugët me rëndësi. Për të përcaktuar vendorigjinën e zhvillimit të ngjarjeve dhe të vetë autorit, Darës, që na i përshkruan ato, po i rerferohemi të dhënave të poetit në të katër pjesët që ndahen në nëntë këngë të poemës “Kënga e sprasme e Balës” e cila u botua e plotë pas vdekjes së poetit (1885) në vitin 1906 dhe që në vitin 1955 u botua në vendin tonë e përshtatur nga Ziaudin Kodra. Pjesë të veçanta ishin botuar edhe para vitit 1955. Prof.dr Aleksandër Xhuvani pati botuar një pjesë të kësaj poeme të përshtatur në gjuhën shqipe të sotme në revistën “Dituria”. Në citime është patur parasysh varianti i përshtatur nga Ziaudin Kodra, kurse origjinali ( <Il canto ultimi di Bala. Poema inedito di Gabriello Dara>), botimi i përgatitur nga prof. Sh. Demiraj botuar në Prishtinë në vitin 1976 si dhe botimi i përgatitur nga kritiku letrar R. Brahimi janë përdorur për krahasime. Janë shfrytëzuar të dhëna nga “Historia e Skënderbeut” e M. Barletit, “Aranitët”, studime historike të Dh. Shuteriqit, “Studime Filologjike” dhe korrespondenca e Konsujve të Austro- Hungarisë etj. Poeti në thurjen e poemës sidomos në pjesë e parë -“Bala”, “Përrallëza”, “ Kënga e Hënzës”, “Vasha e Lalës” dhe në pjesën e dytë- “Plaku”, “ Humbja e Kusarit” e “ Kënga e Zogut “ etj, ka përdorur emra vendesh dhe emra njerëzish të shquar të trevës së sipërpërmendur ( Shëngjergj, Martanesh, Çermenikë).
Më parë po japim disa të dhëna për këto treva. Biza e Shëngjergjit është pjesa malore e krahinës së Tamadhesë ( Shëngjergji i Tiranës ) një krahinë e vjetër etnike, e cila sundohej në shek XIV e XV ndoshta edhe më parë bashkë me krahinat e Çermenikës e Martaneshit nga Aranitët nga vëllezërit Valadan, Pal e Gjergj Araniti. Valadan Araniti qe martuar me të bijën e Gjon Kastriotit, Angjelinën. Pjesa lindore e krahinës së Tamadhesë ka bjeshkë të larta, me rrugë të kufizuara, me shkëmbinj gëlqerorë, e me pyje shumë të dendura deri të pakalueshëm në kohët e shkuara. Territore siç qenë: Biza, Gryka e Valit, Gropat, Bërrojshi, Bërdheta, Linosi, Mëceku i Shëmrisë, Rrinasi, Mali Kësulit, Shtogu, Batra, Shpellëza, Kollogjeshi, Calcabani, Mali i Korrës,( Crepa Corra) ky i fundit i ka kaluar Elbasanit më vonë, Mali i Shëngjinit ose i Fagut ku ndodhet edhe Qyteza dhe Kalaja e Skënderbeut, kanë qenë kullota verore të begatshme të cilat gjatë 5 – 6 muajve bëheshin të banueshme me stane ku veronin mijra bagëti. Shëngjergji ( Tamadheja) është kryqëzim i rëndësishëm rrugësh. Nëpër Shëngjergj kalohet nga Tirana për në Dibër. Nga natyra Shëngjergji ishte vend i mbrojtur mirë nga sulmet e pushtuesve të huaj, të cilët e kishin të vështirë të kalonin e të përqëndroheshin aty me garnizone. Pjesa lindore kufizohet me Ballejën nga pylli i Fushë- Imës me Gurin e Muzhaqit, Kostenjën, Nezhdën, pra me krahinën e Çermenikës. Terreni është në përgjithësi malor, me pyje të dendura dhe kullota për bagëti që janë shfrytëzuar për këtë qëllim të paktën që në mesjetë. Treva dallohet për klimë të mirë, për bukuri natyrore me livadhe, pyje e burime me ujë të ftohtë. Kullotat e shumta dhe livadhet e mira lejonin mbajtjen e bagëtive për verë dhe sigurimin e ushqimit për dimër, prandaj kjo krahinë ka patur bagëti me shumicë. Këtë natyrë të bukur arbëreshët e shpërngulur nga këto anë ose ata që kaluan nëpër to nuk e harruan kurrë. Shpesh ata e fiksuan me saktësi në tregimet e poezitë e tyre. Kështu ka bërë edhe G. Dara në poemën “Kënga e sprasme e Balës” ku janë përshkruar me aq hollësi këto vise, sa duket sikur janë fotografuar. Ngjarjet dhe përshkrimet që përmban pjesa e parë dhe e dytë e poemës kanë si bazë këtë trevë dhe se të parët e autorit mendohet se mund të jenë shpërngulur nga këto anë. Për të vërtetuar prejardhen e Darajve fillimisht do t’i referohemi toponimeve dhe antroponimeve që gjenden në poemë, duke i krahasuar ato me toponimet e sotme të krahinës së Shëngjergjit të shoqëruar dhe me një spjegim historik të nevojshëm. -Mali i Gropës- eshtë vendi i quajtur “Gropa” që shtrihet mbi “Kroin e Kuq” në Shëngjergj dhe vazhdon deri afër Bizës ku merr emrin “Shkëmbi e Renzës”.
– Zjarret e Prandverës; – quhet vendi ku ndizeshin zjarret ( 12 mars sipas kalendarit të vjetër) ditën e Novruzit, rit pagan që ishte kthyer në festë popullore e cila ka lënë mbresa të pashlyeshme në mendjen dhe në kujtimet e banorëve të këtyre viseve sepse zhvillohej me gëzime dhe argëtime popullore.
– Brija; – quhet vargmali që ndan fshatin Shëngjergj me Gurakuqin ( Çermenikë). Kjo brinjë 5-6 km e gjatë e ka mbyllur fare Gurakuqin nga perendimi dhe u ka zënë diellin disa shtëpive të këtij fshati duke u krijuar hije gjë që nuk mund të mos linte përshtypje tek ata që kanë banuar në ato anë. Këtu ndodhet edhe Kisha e Lazit.
– Pilia ;- grykë e ngushtë e fshehur me klimë të butë në veri të Shëngjergjit. Sot quhet Pille. Këtu kemi edhe toponimet, “Çarjet në Pille të Poshme” dhe “Çarjet në Pille të Epërt”. Muret e shumta në faqet e malit, që duket se rrethonin copëza toke flasin se dikur këtu ka patur tokë buke ku mbillej elbi, thekra etj. Këtu duke zënë 3-4 prita, vendi mund të mbrohet fare mirë. Vendi këtu ka pak ujë dhe lidhet me Gropat, Bërdhetën, Bërrojshin vënde të gjëra këto me kullota e pyje të dendura.
– Muzakët; -( Muzakët plot kroje – thotë poeti). Sot kemi lagjen “Krojet e Muzhaqëve” në Gurakuq, në skajin verilindor të fshatit, në drejtim të Gurit të Muzhaqit. Këtu edhe sot ka disa kroje me ujë të bollshëm dhe me një bukuri të rrallë.
– Humner e Llazit;- Duhet të jetë ish zabeli i familjes së Cangajve në Gurakuq. Sot pyll dushku dhe quhet “Domia e Lazit”. Në mes të zabelit janë disa mure të rrëzuara të kishës.
– Gropat e Drenit;- Sot kemi Gropat e Drenit në Bërdhetë nga veriu i Shëngjergjit në kufi me Valin e Martaneshit. Ka edhe “Gropa të Derrit” afër fushës së Orenjës, por sipas kuptimit të vargut te kënga “ Përrallëza” është fjala për Gropat e Drenit në Bërdhetë. Ekziston gjithashtu edhe toponimi “Lugu i Drenit” në afërsi të Valit skaji më verior i Principatës së V.Aranitit.
– Gur Madhit të Zhveshur;- besojmë se duhet të jetë “Guri i Muzhaqit” në Orenjë (Çermenikë) kufiri i skajshëm i krahinës së Tamadhesë (Shëngjergji )me Çermenikën. Nga leximi i vargjeve “ Gruda e Bardhë shprishur erës / anës dukej si borë e shpërndarë/ majës Gur Madhit të zhveshur.., duke patur parasysh edhe terrenin sot, bindesh se ky vend ka shumë të ngjarë të jetë Guri i Muzhaqit me kalanë e vogël pranë.
– Lisi i Helmit;- Në Bizë të Shëngjergjit sot ka një vend që quhet “Pylli i Kujit të Helmit”. Thuhet se quhet kështu sepse për shkak të shpeshtësisë që ka patur pylli dielli nuk depërtonte brenda e kur futej bagëtia hanin këpurdha dhe ngordhnin nga helmi i tyre . Ky vend lidhet me Bizën, Gurakuqin, Gropat, Malin e Kësulit, Qitmin e Shëngjergjit etj. Ishte vend më i përshtatshëm për të sulmuar.
– Përroi i Shtogut ;- Me këtë emër edhe sot quhet një përrua (bashkë me një pyll të dendur) që rrjedh nga Mali i Kësulit midis majës së Batrës e Shpellëzës në pjesën juglindore të Shëngjergjit.
– Livadhet e Petës;- Ky toponim ka të ngjarë të lidhet me toponimin e sotëm “Lugu i Petjet”, emër i një livadhi në Bizë pronë e dy familjeve të Shëngjergjit.
Këto janë vetëm ato toponime që përmenden në poemë për shek 14-15 dhe që janë ruajtur edhe sot pothuajse pa ndryshime në zonën e Shëngjergjit. Në poemë përshkruhen edhe vende të tjera që nga veçoritë që dalin nga përshkrimi mund të lidhen me vende të sotme të krahinës së Shëngjergjit megjithse poeti nuk i përmend me emra ndoshta se ishin harruar në kohën e tij. Me rëndësi ështe dhe përqasja e emrave historikë me emra të sotëm familjesh të krahinës së Shëngjergjit.
-Lala;- ( Mori bijë, bijë e Lalës ), eshte një mbiemër i një familje të vjetër të përmendur në Gurakuq ( Çermenikë), në atë kohë mund të ketë luajtur ndonjë rol historik e që poeti e quan “kaurr” po që mund të lidhet edhe me Kishën e Shën Lazit në Gurakuq.
-I madhi i Golemeve;- Bëhet fjalë për Gjergj Aranitin ( Golemin ) dhe të vëllanë e tij Valadin Aranitin që ishin banorë dhe sundimtarë të Tamadhesë.
-Peta;- Krahas patronimit Peta siç u përmend më sipër takohet edhe toponimi “Lugu i Petjet (livadhe) që ka të ngjarë të kenë qenë pronë e Nikut ose e një tjetri nga familja Peta, ose në atë vend mund të këtë rënë ndonjë prej kësaj vëllazërie duke luftuar me osmanllinjtë. Nuk është pa rëndësi dhe fakti që nga veriu ngjitur me Lugun e Petjet është vendi i quajtur “Gropa e Zezë” dhe nga lindja vendi “Mashna”, fushëza shumë të bukura të cilat lidhen me pyje të dendura me vendin Hupia e Kusarit ( Kroi i Kusarit).
Mashni mund të lidhet me familjen Mashi e cila përmendet në dokumentat osmane të shek XVIII si udhëheqëse e një kryengritje në Tamadhe. Mashi është i njohur edhe tek arbëreshët e Italisë, jo rastësisht ata edhe atje jetojnë në një krahinë.
-Niku; -Në Shëngjergj në pjesën veriore të këtij fshati, ku sot është një arë buke, vendi quhet “Kodra e Nikës”. Kjo arë dhe “Lugu i Petjet” janë prona të të njejtit pronar me mbiemrin Rroshi.
– Manzi; Ky emër del në origjinalin italisht Manesi. Eshtë Manishi, Pol Manishi bashkëluftëtar, besnik i Skënderbeut. Ai qëndroi e luftoi në Shqipëri edhe 12 vjet pasi vdiq Skënderbeu. Ishte nga Tamadhea, Shëngjergji i Tiranës.
– Angjelinës;- “ Me trimëri e Angjelinës” . Në këtë varg poeti bën fjalë për Muzakun e Angjelinës djalin e motrës së Skënderbeut, njërin nga kapedanët më trima të tij që i kishte pronat në Tamadhe.
– Aranitët;- “Me ta në këmbë bisedonim /Dhe Aranit Këshilltari, fq. 56 . Edhe ky antroponim flet qartë se aty ndodhej njëri nga Aranitët, Gjergji ose Valadani, kunati i Skënderbeut që ishin banorë e sundimtarë të kësaj krahine.
-Bidherënjevet;- (Zoja Marie Bidherenjve) që përmendet në fq. 30 dhe Kolj Bidheri në fq. 72 të botimit italisht janë dy emra që lidhen me familjen Bitri në Shëngjergj. Si përfundim nga ky vështrim i toponimeve dhe antrponimeve që gjenden te “Kënga e sprasme e Balës” del se një pjesë e madhe e tyre lidhen me emra vendesh të krahinës së Tamadhesë dhe persona historikë, që në një mënyrë ose një tjetër lidhen më këtë krahinë. Edhe përshkrimi i këtyre vendeve në mënyrë të gjallë e me hollësi nga poeti, përputhen me natyrën e këtyre viseve sot në një formë aq të dukshme, sa të krijohet përshtypja se autori i ka patur parasysh ku ka shkruar vargjet e poemës. Pra dhe përshkrimi i natyrës është një dëshmi e prejardhjes së të parë të poetit nga këto anë.