George Scriven, një nga oficerët më të shquar të ushtrisë amerikane, shkrimet e tij mbi Shqipërinë dhe shqiptarët

NGA NDREK GJINI

MA, University of Galway, Ireland

George Percival Scriven (1854-1940), ishte një nga oficerët më të shquar të ushtrisë amerikane. Ai la gjurmë të veçanta në historinë ushtarake dhe diplomatike të fillimit të shekullit XX.

Swiss Digital Desktop Reklama

Megjithatë, për shqiptarët dhe studiuesit e Ballkanit, trashëgimia e tij më e çmuar nuk janë vetëm arritjet në fushën e aviacionit dhe karriera ushtarake, por janë dhe shkrimet e tij mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përmes këtyre shkrimeve, ai bëhet jo vetëm një dëshmitar i kohës, por edhe një avokat i heshtur i së drejtës së shqiptarëve për pavarësi.

Shqipëria në vepra dhe vëzhgime të dorës së parë

Scriven u gjend në një pozitë të privilegjuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Si atashe ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Romë, ai kishte akses të drejtpërdrejtë në zhvillimet ushtarake të Italisë dhe aleatëve të saj në Ballkan.

Shqipëria, e pushtuar e ndarë mes forcave të huaja, ishte një nga pikat më delikate të rajonit. Prej vëzhgimeve të tij lindën disa artikuj shumë të rëndësishëm që ruajnë edhe sot një vlerë të veçantë historike dhe letrare.

Artikulli i parë madhor i tij mbi Shqipërinë, “Vëzhgimet e fundit në Shqipëri”, u botua në gusht 1918 në National Geographic. Ky ishte një ese e gjerë, e shoqëruar me ilustrime rrëfime, që solli për lexuesit amerikanë peizazhet, popullin dhe realitetet e Shqipërisë së kohës së luftës.

Në një kohë kur imazhi i Shqipërisë ishte i mjegulluar ose i shtrembëruar në shtypin ndërkombëtar, Scriven nxori në pah dinjitetin dhe forcën jetike të këtij kombi të vogël. Qasje e tij nuk ishte thjesht ushtarake; ai shkroi me ndjeshmëri të veçantë njerëzore dhe me realitet e dashuri për fatin e shqiptarëve nën pushtim dhe për aspiratat e tyre për liri.

Pas mbarimit të luftës, artikulli “Zgjimi i Shqipërisë”, botuar në Geographical Review në 1919, dha një panoramë më analitike mbi gjendjen e vendit. Scriven e pa Shqipërinë si një komb në zgjim, midis presioneve të jashtme dhe një energjie të brendshme për të ndërtuar shtetin modern.

Ai analizoi me kthjelltësi sfidat politike dhe diplomatike që mbështillnin të ardhmen e vendit, duke theksuar se shqiptarët kishin aftësinë dhe të drejtën për të qenë zotë të fateve të tyre. Ky tekst është cituar gjerësisht nga studiues më vonë, për shkak se përfaqëson një prej vlerësimeve më të sakta dhe të ndershme të autorëve amerikanë për nacionalizmin shqiptar në periudhën pas luftës.

Shkrimet e tij nuk u ndalën këtu. Në mars të vitit 1920, në North American Review, ai botoi artikullin “E ardhmja e Shqipërisë”. Në këtë shkrim, ndryshe nga natyra më përshkruese e teksteve të tjera, Scriven u shfaq hapur si avokat i çështjes shqiptare.

Ai argumentonte se Shqipëria nuk “kishte nevojë për padron”, por meritonte të ekzistonte si shtet i pavarur. Ky artikull botohej pikërisht kur në Paris fuqitë e mëdha diskutonin ndarjen ose protektoratin mbi Shqipërinë. Zëri i Scriven, i mbështetur në reputacionin e tij ushtarak, përforconte përpjekjet e delegacioneve shqiptare dhe të Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA për të fituar mbështetjen ndërkombëtare.

Një vit më vonë, në mars 1921, ai botoi studimin “Disa rrugë të Shqipërisë dhe një rivierë e harruar”, përsëri në Geographical Review. Ky artikull fliste për rrjetin rrugor, bregdetin shqiptar dhe rolin strategjik të tyre.

Për Scriven, infrastruktura shqiptare nuk ishte vetëm çështje zhvillimi ekonomik, por edhe siguri rajonale. Ai shihte qartë se kushdo që kontrollonte rrugët dhe portet shqiptare do të kishte një rol vendimtar në Adriatik dhe në ekuilibrat e Ballkanit.

Perspektiva e Scriven mbi shqiptarët dhe nacionalizmin

Në shkrimet e tij vërehet një dallim i qartë nga shumë vëzhgues të tjerë të kohës. Ndërsa shumë diplomatë dhe ushtarakë perëndimorë shihnin nacionalizmat ballkanike si burim kaosi, Scriven tregonte mirëkuptim dhe simpati për aspiratat shqiptare. Ai nuk i konsideronte ato thjesht një pjesë të politikës së Fuqive të Mëdha, por një forcë të natyrshme të zhvillimit historik të rajonit. Për të, pavarësia shqiptare ishte jo vetëm një e drejtë morale e shqiptarëve, por edhe një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Mesdheun Lindor.

Kjo qasje shpjegon edhe kontaktet e tij me përfaqësuesit shqiptarë të diasporës në SHBA dhe me Federatën Panshqiptare “Vatra”. Në dhjetor 1918, kjo shoqatë kërkoi ndërmjetësimin e tij për të siguruar ndihmë amerikane në formimin e një xhandarmërie shqiptare. Edhe pse projekti nuk u realizua, fakti që shqiptarët iu drejtuan Scriven-it tregon besimin që ata kishin tek drejtësia dhe simpatia e tij për çështjen shqiptare.

Vlera historike dhe letrare e shkrimeve shqiptare të Scriven

Shkrimet e Scriven mbi Shqipërinë dallohen për qartësi dhe saktësi, por edhe për një ton të ngrohtë që i shmanget paragjykimeve. Si ushtarak, ai kishte syrin e stërvitur për të dalluar rëndësinë strategjike të territorit, portet e Vlorës apo rrjetin e rrugëve që lidhin brigjet me brendinë territorial të Shqipërisë. Por, si vëzhgues me shpirt të pastër e dije të gjëra, ai shkruante saktë dhe shprehte vlerësim të lartë për peizazhin dhe jetën shqiptare në shkrimet e tij të botuara në shtypin perëndimor.

Më e rëndësishmja, Scriven u bë një nga figurat që ndikuan drejtpërdrejt opinionin publik amerikan mbi Shqipërinë. Artikujt e tij në revista prestigjioze u lexuan nga qarqe akademike, politike dhe ushtarake në SHBA dhe Europë.

Raportet e gazetave të kohës, si “The New York Times”, cituan vëzhgimet e tij për Shqipërinë dhe rolin e ushtrisë italiane në rajon. Kjo ndihmoi që kauza shqiptare të merrte më shumë vëmendje ndërkombëtare.

Trashëgimia e Scriven

Nëse pjesa tjetër e karrierës së Scriven lidhet me telekomunikimet ushtarake dhe aviacionin, pjesa shqiptare e veprës së tij mbetet një testament i vyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ai e pa Shqipërinë si një vend që meritonte të vendoste vetë për të ardhmen e vet, e jo si një objekt pazari në duart e fuqive të mëdha.

Sot, historianët që merren me Luftën e Parë Botërore dhe historinë e nacionalizmit shqiptar, duhet t’i shohin artikujt e tij si një burim të dorës së parë. Kjo pasi këto artikuj  dëshmojnë jo vetëm për vështirësitë e shqiptarëve gjatë viteve të luftës, por edhe për mbështetjen që gjeti Shqipëria tek personalitete të ndershme e të respektuara në Perëndim.

Në këtë kuptim, Scriven nuk ishte thjesht një oficer amerikan i shquar. Ai ishte gjithashtu një ndër zërat e huaj të parë që artikuloi qartë se Shqipëria kishte të drejtë të ekzistonte si shtet i pavarur, duke e quajtur atë një “vend të çudirave” që nuk duhej vënë nën sundimin e askujt.

Ky mesazh, i ardhur nga faqet e revistave amerikane, i dha kombit shqiptar një aleat të çmuar në një nga momentet më të rrezikshme të historisë së tij moderne.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?