Halil Rama dekorohet me titullin “Mjeshtër i madh”
Nga Dr. Hajri Mandri –
Publicistit dhe shkrimtarit të talentuar, mjaft produktiv dhe me një përvojë të gjatë, Halil Rama, iu akordua të premten nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, Titulli “Mjeshtër i Madh” . Ky tiull i lartë iu dha autorit të 17 librave monografikë (H.Rama), në një manifestim festiv të komunitetit artistik të Zall Dardhës, me prezencën e autoriteve vendore dhe elitës intelektuale dibrane: “Për kontributin e shquar si shkrimtar, skenarist e publicist i cili në veprimtarinë e tij të gjerë ka pasyqruar më së miri historinë, kulturën, traditat e cilësitë identifikuese të shumë viseve shqiptare, veçanërisht të trevës së Dibrës, si dhe vlerat e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar” (motivacioni i dekoratës).
Jo pa qëllim ishte përzgjedhur Zall Dardha për të vlerësuar shkrimtarin dhe publicistin Halil Rama, si dhe artistët më në zë të kësaj treve Liri Rasha, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Sahje Poleshi, Xhelail Imeraj, Neshat Ndreu, etj. Kjo për faktin se Hali ka shkruar dhe promovuar monografi e dokumentar për artistë të përmasave kombëtare të kësaj treve, si për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku, ikonën e artit e kulturës kombëtare Hazis Ndreu, regjisorin dhe aktorin e shquar Skënder Cala, për Lutfi Ndreun – mësues dhe artist, etj, të botuara këto edhe në prestigjiozen e përditshme “Koha jonë”.
Në 17 librat e tij, Halil Rama prezantohet si mjeshtër i profilit, duke krijuar personazhe si shembëlltyra që të mbeten në kujtesë. Tërë publicistika e tij është në një linjë vetëpërmbushëse, ku autori me mjeshtëri di të përveçojë protagonistë të veshur me detaje që vetëm syri i mprehtë dhe mendja pjellore i shpërfaq aq mjeshtërisht. Edhe në monografinë e sapobotuar “Muhurri, histori dhe personalitete”, (me 712 faqe në 17 kapituj) si dhe në librat e shkruara dekadën e fundit nga ky autor, zbulohet thelbi i marrëdhënieve njerëzore. Jetët e personazheve realë, janë të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme, drejt sfidës së jetës, drejt suksesit. Shkrimi i tij depërton thellë në shpirt dhe zbulon botën delikate të intelektualëve dibranë, kukësianë, durrsakë, shkodranë etj, në strukturën e tyre si njerëz të matur që të veprojnë në kontekst duke marrë prej tij, maksimalisht suksesin. Ashtu siç është edhe vetë në jetë autori Halil Rama, personazhet realë që përshkruan në librat dhe essetë e tij janë karaktere që bartin dashuri dhe buonsens, veti të qenësishme inteligjence.
Në fushën e të shkruarit dhe në disa institucione ku ka punuar evidentohet këmbëngulja dhe vullneti i tij për të studiuar, për të mbledhur burimet parësore, për të mësuar nga përvoja e tjerëve që është pjesë e stilit të punës kërkimore të Tij. Halili e formoi personalitetin e tij, jo vetëm në praktikën krijuese voluminoze por edhe me studime të integruara formale universitare për drejtësi, (duke fituar edhe titullin “Avokat”) çka i ka dhënë një surplus në interpretimin e dukurive shoqërore dhe ngjarjeve pikante të historisë. Ai i vendos intelektualët që nuk jetojnë dhe ata që jetojnë dhe kontribuojnë ende, secilin në vendin dhe piedestalin e merituar. Dashuria dhe ngrohtësia me të cilat i mbështjell ata, janë shprehje e humanizmit dhe shpirtit patriot, demokrat e liridashës të autorit.
Lexuesi mund të shijojë drejtpërdrejtë nokturnet dhe romatikën që shpërfaqen në librat e H.Ramës (për general Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Muharrem Xhedikun, Skënder Calën etj) shkruar me një stil të rrjedhshëm, që ngjajnë me një ese të gjatë liriko-epike, si një databazë e plotë e vlerave të tyre, duke plotësuar harmonishëm tablonë gjigande të njerëzve të ditur, të urtë e patriotë. Veçanërisht libri i tij i fundi “Muhurri, histori dhe personalitete”, lexohet këndshëm nga përdorimi me mjeshtëri i mjeteve gjuhësore dhe stilistike, ngjyrimeve emocionale që fitojnë ngjarjet dhe personazhet, nën talentin dhe profesionalizmin e Halil Ramës. Ai sjell jehonën e vendlindjes së tij të bukur dhe të dashur, si shembëlltyrë e jehonës që vjen nga e shkuara tek e sotmja dhe na zgjon të gjithëve e na thërret, për më shumë humanizëm, dashuri e dinjitet.