Hetem Qerimaj, një ditëlindje në skenë, të ftuar dy instrumentistë të “Gladiator”
Jeta e ka mësuar që të jetë një gladiator dhe të luftojë për të fituar zemrat e publikut. Asgjë s’ka qenë e lehtë, megjithatë ai mundi të ngrejë një dinasti artistësh, të trashëgojë artin e tij brez pas brezi.
Hetem Qerimaj është 85 vjeç dhe sot feston ditën e lindjes me një koncert festiv në Amfiteatrin e Kodrave të Liqenit. Për të është një ditë e veçantë dhe ta festojë kështu, është “vetë jeta”, siç shprehet ai. Janë 9 artistë nga tre breza, që do të ngjiten në skenë dhe do të interpretojnë një program të pasur muzikor me pjesë shqiptare, por edhe nga fqinjët tanë ballkanikë, por edhe europiane, nga Franca deri në Irlandë. Koncerti titullohet “Harku i Triumfit të Qerimajve” dhe do të sjellë përvojën e gjatë të patriarkut të familjes, pasuar deri te muzikanti më i ri i saj. Të ftuar të veçantë në këtë mbrëmje do të jenë edhe dy instrumentistë, të cilët kanë marrë pjesë në interpretimin dhe realizimin e kolonës zanore të filmit fitues të çmimit “Oskar”, “Gladiator”. Koncerti, i cili do të nisë në orën 20:00, është menduar të zgjasë rreth 1 orë e 30 minuta dhe do të sjellë për publikun një repertor të pasur.
DITËLINDJA
“85-vjetorit të babait i kushtuam një vëmendje shumë të rëndësishme, për ta bërë atë të lumtur në këtë mbrëmje, triumfale të karrierës. Prandaj edhe titulli ‘Harku i Triumfit’ është një simbolikë e karrierës së tij artistike”, thotë kompozitori dhe klarinetisti Fatos Qerimaj, i biri violinistit Hetem Qerimaj. Për të, ky koncert nuk është vetëm festimi i një ditëlindjeje, por edhe promovimi i artistëve të një familjeje të madhe muzikantësh. “Tanimë, familja Qerimaj numëron 9 artistë shumë të mirë, që janë në një aktivitet gjatë gjithë kohës. Janë tre breza që e kanë trashëguar instrumentin e violinës”, thotë ai. Muzika ‘tironse’ është ajo e zemrës, por tanimë Tirana i përket të gjithëve, ndaj edhe muzika që do të luhet është përzgjedhur nga të gjitha trevat. “Kemi një suitë tiranase, një nga Veriu edhe një nga Jugu. Koncerti do të përfshijë të gjitha trevat shqiptare, por edhe muzikë greke. Do të jetë ‘Zorba’ e famshme, do të ketë muzikë irlandeze e franceze”, shprehet kompozitori Qerimaj. Ata do të shoqërohen në skenë nga instrumentistë të orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar.
TË FTUARIT
Filmi “Gladiator”, fitues i pesë trofeve “Oskar” në edicionin e 73-të të Academy Awards, me regji të Ridley Scott dhe interpretimin e shkëlqyer të Russell Crowe, do të mbetet në historinë e kinematografisë botërore edhe për kolonën zanore, kompozuar nga Hans Zimmer dhe Lisa Gerrard. Dy prej instrumentistëve që kanë interpretuar në realizimin e muzikës së filmit janë të ftuar në koncertin e 85- vjetorit të Qerimajt. Njëri prej tyre është Sarge Arribas, ndërsa tjetri, instrumentisti franko-armen, Lévon Minassian, i cili ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të muzikës botërore si Charles Aznavour, Helene Segara, Peter Gabriel, Tony Levin, Armand Amar apo Sting. Ai interpreton në një instrument tradicional të vendit të tij, që quhet duduk dhe është i kënaqur ta përcjellë këtë traditë deri në Hollywood. “Jam shumë i kënaqur që do të jem në këtë koncert në Tiranë. Do të luaj me duduk, një instrument 3-mijëvjeçar, që ka qenë pjesë e shumë kolonave zanore. Ka qenë shumë e rëndësishme që edhe në filmin ‘Gladiator’ është evidentuar më shumë ky instrument nga origjina ime armene. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e këtij udhëtimi. Me Fatosin kam luajtur në Francë, ndërsa pjesën tjetër do ta njoh në këtë koncert”, shprehet instrumentisti francez Levon Minassian.