Historia e panjohur e Cikos, themeluesit të Operas…

Nga Dashnor Kaloçi –

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mihal Cikos me origjinë nga qyteti i Korçës, që në vitet e para të shekullit të kaluar së bashku me familjen e tij emigroi në Bukuresht ku pasi u diploma në Akademinë e Arteve të Bukura të atij qyteti, për disa kohë drejtoi korin “Lira” që kishte ngritur Shoqëria Patriotike e Kolonisë Shqiptare të Bukureshit, duke bashkëpunuar ngushtë me Asdrenin dhe Viktor Eftimiun. Kthimi i Cikos në Shqipëri në vitin 1920-të, pas thirrjes që bëri qeveria shqiptare emigrantëve të saj për të ardhur dhe luftuar kundr italianëve në Luftën e Vlorës, ku më pas me ftesën e Prefektit të Korçës, Hil Mosit, së bashku me Lasgush Poradecin dhe Vangjush Mihon, shkuan në atë qytet ku formuan Shoqërinë e Arteve të Bukura me grupin koral dhe teatral, duke dhënë shfaqje e koncerte edhe në qytete të tjera të vëndit.

Regjistrimi i Cikos në vitin 1921 në Konservatorin e “Giuseppe Verdi” të Milanos pas një të drejte studimi të fituar nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe ndihmën e aktorit me famë botërore, Aleksandër Mosiu, ku pas diplomimit në vitin 1926, ai qëndroi edhe për shumë kohë në Itali, ku krahas punës si pedagog i Kantos në Konservatorin “Klaudio Monteverdi”, ai interpretoi me sukses si solist i operas në disa prej skenave dhe teatrove më në zë të qyteteve italiane të asaj kohe, për të shkuar herë pas here në Rumani si solist në koncerte të ndryshme pranë Operas të Kluzhit.

Kthimi i Cikos në Shqipëri në periudhën e Monarkisë së Zogut ku në qytetin e Korçës ai u njoh me disa nga talentet e reja që më pas do të bëheshin artistë dhe këngëtarë të njohura lirik, si: Jorigjie Truja, Kristo Kono dhe Tefta Tashko Koço, që qeveria shqiptare e asaj kohe ia akordoi një të drejtë studimi për në Akademinë e Arteve të Bukura në Montpellier të Francës, si dhe duke ftuar në Shqipëri këngëtarë të famshëm italian që vinin dhe jepnin koncerte të ndryshme. Emërimi i Cikos në vitin 1942 si drejtor muzikor në Radio-Tirana, ku ai shërbeu me një pasion e vullnet të rrallë edhe pas mbarimit të Luftës, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e Filarmonisë së Shtetit, Institutit të Lartë të Arteve dhe Teatrit të Operas, ku ai shërbeu si solist, pedagog dhe drejtues muzikor deri në moshën 75-vjeçare, duke përgatitur edhe disa studentë, që më pas u bënë këngëtarët më të njohur të muzikës operistike, si: Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Gjinovefa Heba, Shqipe Mingomata, Pandi Zguro, etj.

Mihal Ciko u lind në qytetin e Korçës, në 29 gusht 1901, në një familje të njohur qytetare që asokohe banonte në një nga rrugicat karakteristike të saj. Babai i tij, Gjegji Ciko (ose siç njihej ndryshe, Gaqi), merrej me zejtari dhe konsiderohej si një nga mjeshtrat më të mirë të artizanatit të atij qyteti. Po ashtu, Ciko, ishte shumë i njohur edhe për veprimtarinë e tij atdhetare, ku shtëpia e tij e cila ndodhej afër asaj të Vangjush Mihos, ishte një nga bazat ku mbidheshin Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Kristaq Kosturi, e shumë patriot të tjerë korçarë të asaj kohe dhe nisur nga ky fakt ajo u dogj nga andartët grekë duke u shkrumbuar e tëra.

Në Mësonjëtoren e Parë shqipe në Korçë

Mihali, i filloi mësimet në “Mësonjëtoren e Parë” shqipe të Korçës, duke qënë një nga nxënësit e parë të saj. Nga ditët e para të mësimit në atë shkollë, Mihali, ruajti si “kujtim” një të gërvishtur në ballë, nga përleshjet që ata fëmijë patën me bashkëmoshatarët e tyre të familjeve filo-greke, të cilët nuk donin t’i lejonin që ata të mësonin shqip në atë shkollë. Në vitin 1909, familja Ciko, si shumë të tjerë, u prek nga emigracioni, duke shkuar në Rumani. Në Bukuresht ku u vendos familja Ciko, Mihali vazhdoi mësimet që kishte ndërprerë në vëndlindje, dhe më pas u regjistrua në Konservatorin e Arteve të Bukura në kryeqytetin rumun, për degën e Kantos. Në këtë shkollë ai mori dhe mësimet e para të muzikës, të cilës më pas do t’i përkushtohej me një pasion dhe vullnet të jashtëzakonshëm, përgjatë gjithë jetës së tij. Përpara se të fillonte studimet, në moshën 15-16 vjeçare, Mihali ishte afruar me kolonitë shqiptare patriotike të Bukureshtit, që kishin formuar shoqatën e tyre “Lira”. Kjo shoqëri artistike, ku bënte pjesë Mihali, zhvilloi për disa vjet një aktivitet të pasur kulturor dhe artistik. Në shfaqjet e para që bëri kjo shoqëri, ku bënte pjesë dhe poeti i madh Asdreni, dramaturgu i fashëm, Viktor Eftimiu, pedagogu i operas rumune me origjinë nga Boboshtica, Mihail Toskani, Mihali u aktivizua si pjestar i grupit koral, dhe më pas si dirigjent i atij grupi. Pikërisht në atë kohë, Mihali me Asdrenin, përpiluan një sërë këngësh patriotike, që këndoheshin nga kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, të cilat më vonë u kënduan edhe në qytetin e Korçës, nga grupi karakteristik i pleqve të atij qyteti. Po ashtu krahas aktivitetit muzikor, Mihal Ciko mori pjesë në shfaqjet e para teatrale si “Besa” e Sami Frashërit dhe “Vdekja e Pirros” e Mihal Gramenos. Këto drama u shfaqën me shumë sukses atje dhe patën një impakt të jashtëzakonshëm në koloninë e shqiptarëve të Rumanisë.

Kthehet për të luftuar në Vlorë në ’20-ën

Aty nga vera e vitit 1920, familja Ciko, u kthye në Shqipëri, duke iu përgjigjur thirrjes së atdhetarëve dhe qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjes me në krye Sulejman Delvinës, për të luftuar kundër ushtrisë italiane në Vlorë, gjë së cilës iu përgjigj e para Shoqëria Atdhetare Patriotike “Vatra” e Amerikës, që erdhi bashkë me bandën e saj muzikore. Bashkë me Mihal Cikon, asokohe u kthyen për të luftuar në Vlorë, edhe piktori i njohur korçar, Vangjush Mio dhe poeti i famshëm Lasgush Poradeci. Pas mbarimit të Luftës së Vlorës, prefekti i Korçës, Hilë Mosi, thirri një grup djemsh të atij qyteti, ku bënin pjesë Vangjushi, Lasgushi, Mihali, etj., për të formuar grupet e para artistike në “Parisin e vogël” siç njihej Korça e asaj kohe. Kësaj thirrjeje të Mosit, iu përgjigjën një numër i madh djemsh korçarë, të cilët në dhjetorin e 1920-ës, themeluan, Shoqërinë e Arteve të Bukura, ku kryetar u zgjodh muzikanti Thoma Nasi i shkolluar në Amerikë dhe kjo gjë ishte vazhdim i tradtiës muzikore patriotike që kishte bërë Banda e Lirisë që luftoi me armë në dorë per pavarësinë dhe mbrojtjen e Korçës, ku katër pjestarë të saj muzikantë të talentuar dhe trima ranë dëshmorë të atdheut në luftimet që u zhvilluan ne Orman Çiflig. Krijimi i saj u prit me një entuziazëm të madh nga elita intelektuale e atij qyteti dhe gjithë artëdashësit korçarë në përgjithësi. Vangjush Mio dhe Mihal Ciko dhanë një kontribut të madh te Shoqëria e Arteve të Bukura, ku Mihali u caktua si dirigjent dhe drejtues i grupit koral, si dhe regjizor i grupit teatral, kurse Vangjushi si piktor, skenograf dhe drejtues i rrethit të vizatimit. Grupi i korit që krijoi Mihal Ciko asokohe vetëm 18 vjeçar, ishte grupi i parë në Korçë dhe ndoshta në Shqiperi, pasi deri në atë kohë kishte si traditë vetëm grupe korale kishtare. Ne Korçën e asaj kohe, kishte vetëm një grup të vogel kori pranë kishës që psallte në shërbesat fetare në gjuhën greke. Ndërsa kori i Shoqatës së Arteve të Bukura me elementë me zërat me të bukur të Korçës dhe shume më i madh në numer, këndonte këngët patriotike, serenata dhe kënge të përpunuara popullore. Ishte ky grup që kur Peshkopi Fan Noli, futi gjuhën shqipe në meshimet e kishës, kenduan në korin që morri pjesë aty. Atyre djemëve me zëra të bukur, si Gaqo Jorganxhi, më pas me Tole Adhamin e të tjerë djem zejtarë, Mihali u mësoi dhe pjesë klasike nga ato që kishte mësuar në Bukuresht. Ky kor i ngrituar nga Mihal Ciko, edhe pas shkrirjes së Shoqerisë se Arteve të Bukura, vazhdoi traditën dhe aktivitetet e tij nën emrin “Lyra” dhe pa ndërprerje vazhdon pothuaj edhe në ditet e sotme, duke u përterire vazhdimisht, por duke ruajtur kujtimin dhe traditën e krijuar që në vitet ’20-të, plot një shekull më parë. Ndërsa vetëm pak kohë pas krijimit të kësaj shoqate, Mio dhe Ciko, shfaqën para publikut, këngët patriotike të kolonisë së shqiptarëve të Rumanisë, dhe disa drama teatrale, duke pasur një sukses të madh. Krahas këtyre, u shfaqën edhe veprat e Mihal Gramenos, Sami Frashërit dhe Foqion Postolit, të cilat u dhanë jo vetëm në qytetin e Korçës, por edhe në fshatrat përreth saj. Lidhur me këtë fakt, shkruajti në shtypin e kohës, edhe Mihal Grameno.

Në konservatorin “Giuseppe Verdi” në Milano

Në vitin 1921, pas një eksperience dhe përvoje artistike që kishte marrë në kolonitë shqiptare të Bukureshtit dhe që e kishte vazhduar në më shumë se një vit në vendlindjen e tij, Korçë, Ciko, mundi të sigurojë një të drejtë studimi në Konservatorin e famshëm të Milanos, “Giuseppe Verdi”. Për regjistrimin e tij në atë konservator, ai pati ndihmën e madhe të aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, dhe të dramaturgut po me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu, të cilët, duke pasur dhe një repuatcion të madh në atë kohë si artistë, ndikuan që në këtë shkollë të studionte për herë të parë një shqiptar. Në atë konservator, Mihali, u regjistrua në Fakultetin e Kantos, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera duke u diplomuar në vitin 1926. Dy vjet pas diplomimit, ai mbrojti magjistraturën po për Kanto në atë konservator. Gjatë asaj periudhe kohe që ishte në Milano, Mihali merrte pjesë si solist në skena dhe teatro të ndryshme të Italisë. Kështu, duke qënë ende student, ai interpretoi në teatrin “Politeama” të Veronës, në “Kavaleria Rustikana” në rolin e Alfios, si dhe në “Paliacio”-t ku luajti me shumë sukses rolin e Silvios. Po kështu, në vitin 1924 kur ishte student në vitin e tretë në Milano, Mihali, mori pjesë në një konkurs ndërkombëtar të këngës, ku këndoi dy këngë popullore. “Bilbil i mjeri, bilbil” dhe “Çelni lule, çelni”. Interpretimi brilant i këtyre këngëve, bëri që ai të merrte çmimin e parë.

Solist dhe pedagog në “Klaudio Monteverdi”

Pas mbarimit të konservatorit, duke qënë se në Shqipëri nuk kishte mundësi ta ushtronte profesionin e tij, Mihali vendosi të qëndronte në Itali, duke interpretuar si solist në skenat më të famshme të saj. Po kështu ai mundi të punonte disa vjet edhe si pedagog i Kantos në Konservatorin “Klaudio Monteverdi”. Gjithshtu ai do të shkonte disa herë edhe në Rumani, për të interpretuar si solist, në operan e Kluzhit. Pas mbarimit të studimeve në vitin 1926, Mihali u rikthye i vetëm në vëndlindje për të kaluar pushimet në Korçë dhe gjatë kësaj periudhe, ai u njoh me disa talente te reja, si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja, Kristo Kono, etj., dhe duke veleresuar talentin e tyre, i inkurajoi ata që të shkonin me studime jashtë shtetit. Ajo dëshire e Cikos, u bë realitet, pasi vite më pas, nisur nga talenti i Tefta Tashkos, Ministria e Arsimit të asaj kohe, i akordoi asaj një të drejtë studimi për në Akademinë e Arteve të Bukura në Montpellier të Francës.

Me solistët italianë në Shqipëri

Gjatë periudhës gati 20 vjeçare që Mihali qëndroi në Itali, si student, pedagog dhe solist në disa pjesë operistike, ai kthehej herë pas here në atdhe dhe në një nga këto udhëtime, ai solli nga Italia dy nga solistët më në zë të atij vëndi, Egidio Caldi dhe Anita de Alba, të cilët me insistimin e Cikos, do të interpretonin për disa ditë me rradhë repertorin e tyre të suksesshëm, jo vetën në skenat e Korçës, por edhe në ato të Shkodrës, Elbasanit dhe Tiranës. Një tjetër muzikant i njohur italian, solisti Alessandro Granada, do të vinte disa vjet më pas në Shqipëri, pikërisht në vitin 1933, gjithmonë me insistimin e Mihalit, për të interpretuar operën “Tosca”. Miqësija e tij me solistët dhe baritonët e famshëm italianë, do të vazhdonte për vite me rradhë, pasi ai do të mbante një korrespondencë të vazhduehsme me ta. Në vitin 1942, një ndër ata qindra antifashistë shqiptarë të cilët do të linin Italinë për të ardhur në atdheun e pushtuar, ishte dhe Mihal Ciko.

Në 1942-in drejtor muzikor në Radio Tirana

Vetëm pak kohë pas ardhjes së tij në Shqipëri, Mihali filloi punë në Radio Tirana, duke u bërë kështu dhe drejtori i parë muzikor i saj. Ai punoi me vrull të madh për të ngritur orkestrën e famshme të kësaj radioje. Me këtë rast ai ftoi të gjithë muzikantët dhe instrumentistët e ushtrisë italiane që ishin vendosur në Shqipëri, midis të cilëve dhe Umberto Rambin. Gjatë viteve të Lufës Antifashiste, Mihali u mësonte këngë patriotike rinisë tiranase, dhe për këtë arsye ai u zgjodh si anëtar i celulës së Këshillit Nacionalçlirimtar që vepronte në Radio Tirana. Për këtë arsye, ai u kap dhe u internua dy herë nga italianët dhe më pas nga gjermanët. Pas arrestimit të drejtorit të Radio-Tiranës, Gjergj Bubanit dhe pjesës më të madhe të stafit të saj, MIhal Ciko së bashku me kolegen e tij, Behije Çelën, mundën të shpëtonin nga arrestimi dhe pushkatimi, vetëm me ndërhyrjen e Mihal Zallarit, kryetarit të Parlamentin Shqiptar të asaj kohe, i cili i doli në mbrojtje të gjithë stafin e Radio Tiranës. Në fundit e vitit 1944, me mbarimin e Luftës, ai dhe kolegu i tij, Umberto Rambi, dhanë koncert para brigadave partizane dhe vetë Komandantit të Përgjithshëm, gjeneral-kolonel Enver Hoxhës, kryeministrit të qeverisë shqiptare.

Ciko, i pari këngëtar lirik shqiptarë dhe themelues i Filarmonisë e Operas

Në detyrën e shefit muzikor të Radio Tiranës, Mihal Ciko qëndroi deri në vitin 1946, nga ku më pas u largua, për të punuar me muzikantët amatorë të vëndit në disa qytete të Shqipërisë. Ne atë kohë, MIhali u rikthye përseri në qytetin e Korçës ku ngriti Korin e Sindikatave, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjithe ish-kolegët e tij dhe të rinj të tjerë të talentuar, duke vënë me ta për herë të parë në skenë Operetën “Agimi” që ishte dhe e para e këtij zhanri në Shqiperi. Kjo operete ishte e kompozuar nga Kristo Kono, të cilin Mihali e kishte zbuluar si talent, që kur Kristo kishte qenë fare i ri. Kështu, Mihal Ciko ishte jo vetëm profesori i parë i Kantos, por dhe regjizori i parë që vuri operetën e parë në skenën korçare dhe shqiptare gjithashtu. Ai e përseriti atë dhe herë të tjera, duke dhënë shfaqje si në Korçë, Elbasan, Krujë, Kuçovë etj. Në vitin 1951, u krijua Filarmonia e Shtetit, ku ai filloi punë si pedagog dhe njëkohësisht si solist. Më pas ai do të punonte si pedagog muzike në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe me themelimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në vitin 1953, Mihali emërohet si regjizor, pedagog zëri dhe solist lirik. Opera e parë që u vu në skenë nga trupa e atij teatri, ishte “Rusallka” e Derogomizhskijt, ku Mihali intrepretoi dhe rolin e Mullisit, si dhe operat “Traviata”, e “Don Pasquale”. Edhe në vitet në vazhdim, në përbërje të asaj trupe, Ciko interpretoi me sukses edhe në opera të tjera, si “Kavaleria Rustikana”, “Paliacio”, “Nusja e shitur”, etj. Në Filarmoninë e Shtetit, Mihali qëndroi deri në vitin 1962, kur u hap në Tiranë Instituti i Lartë i Arteve. Në atë institut (më pas Konservator), ai punoi me orë të plota si pedagog i Kantos duke qenë dhe themeluesi i asaj dege, deri në vitin 1975-së, kur mbushi 75 vjeç dhe doli në pension. Në vitin 1954, kur këngëtari i njohur, tenori Ramiz Kovaçi, shkoi për të studjuar në Bullgari, mjeshtëri i madh me famë botërore, Bamburov, i tha: “Pse ke ardhur këtu, ju keni Cikon në Shqipëri. Unë e kam pasur shok klase dhe kam studjuar dhe kënduar me të”.

Çako, Kovaçi, Heba, Kosta, Mingomata, Zguro etj., student të Cikos

Gjatë gjithë atyre viteve, Ciko shërbeu me pasion dhe vullnet të madh, duke përgatitur disa nga këngëtarët më të njohur të vëndit si: Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Gjinovefa Heba, Pandi Zguro, Vangjo Kosta, Shqipe Mingomata, etj. Edhe pse doli në pension, Mihali shkonte vazhdimisht në Teatrin e Operas për të mësuar këngëtarët e rinj dhe për të takuar mikun e tij të ngushtë, pianistin Johan Botka. Ndonëse në një moshë shumë të madhe, ai bashkëpunonte me koncertmaestrine njohur, Botka, për pjesë të ndryshme muzikore. Mjeshtërit të madh, Mihal Ciko i takon merita e madhe e themelimit të Operas Shqiptare, ku ai ishte pari që intrepretoi si solist lirik që në vitin 1920-të, gjë të cilën e vazhdoi për disa dekada me rradhë, duke përgatitur këngëtarët e njohur që më pas bënë famë të madhe në Shqipëri dhe në skena të ndryshme të botës, si: Tefta Tashko, Marie Kraja, Jorgjia Truja, Gjuzepina Kosturi, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi e deri tek më të rinjtë. Një ndihmesë të madhe, duke i krijuar kushte dhe ambinentin në punën e tij, mjeshtrit të madh Ciko, i dha bashkëshortja e tij, Evanthi Zoraqi Ciko, mësuese dhe metodiste e njohur për disa dekada si dhe drejtuese e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Mihal Ciko u nda nga jeta më 23 janar të vitit 1986, në moshën 86 vjeçare dhe rrugën që nisi ai në Radio-Tirana dhe Teatrin e Operas, e vazhdoi po me të njëjtin vullnet, passion e përkushtim, i biri i tij, Zhani Ciko, një nga personalitetet dhe emrat më të mëdhenj të muzikës dhe kulturës shqiptare./Memorie.al

SHKARKO APP