Historiani amerikan prezanton në Tiranë biografinë e Fethullah Gylenit: Ka frymëzuar një lëvizje globale që synon dialogun dhe tolerancën
Biografia e mendimtarit turk Fethullah Gylen, me autor Jon Pahl, profesor i historisë së Krishtërimit në Pensilvani, njëkohësisht edhe Pastor, është sjellë në shqip nga shtëpia Botuese Prizmi. I pranishëm në promovimin e librit, Pahl foli rreth principeve të Gylenit mbi mënyrën se si e shpjegon dhe jeton ai islamin dhe sesi qëndrimet e tij frymëzuan miliona njerëz në mbarë botën.
Sipas autorit amerikan, Fethullah Gylen është një mendimtar, klerik, autor librash dhe aktivist i shquar turk që me mendimet dhe kontributin e tij ka frymëzuar një lëvizje globale që synon shërbimin ndaj njerëzimit, pajtimin, dialogun, tolerancën dhe respektimin e çdo njeriu në pozicionin e vetë.
Duke ofruar një panoramë të zhvillimit themelor të shekullit XX, që është përballja mes kapitalizmit dhe socializmit, Pahl vërejti edhe se ajo çfarë i ishte dashur më së shumti njerëzimit gjatë kësaj kohe ishin ndërtuesit e paqes, si Mahathma Gandhi, Fethullah Gylen dhe Leymah Gbowee.
“Gyleni dhe lëvizja Hizmet, e frymëzuar prej tij, kanë tentuar të ndërtojnë një urë mes kapitalizmit dhe socializmit, duke bërë bashkë, shpirtin e sipërmarrjes së lirë të kapitalizmit dhe përgjegjësinë sociale të socializmit, pikërisht nëpërmjet procesit të këshillimit të ndërsjellë dhe zhvillimit të bizneseve sociale. Përmes mësimeve të tij të hoshgory-së (tolerancë, shih: të shohësh për mirë), Gyleni kërkoi të zhvillonte në Turqi një shoqëri demokratike, në të cilën mund të kontribuonin të gjithë. ”Pushteti është tek e vërteta”,-thotë ai shpesh, si një jehonë prej Mahathma Gandhit. Gyleni është veçanërisht në mbrojtje të atyre që janë më të dobët, sepse ”të jesh me të shtypurit”,-thotë ai, ”është njëlloj sikur të jesh me Zotin”. Dhe njerëzit e frymëzuar prej tij, janë përpjekur të ndërtojnë kudo ura dialogu në përputhje me principin e hoshgory-së (të të parit të tjerëve mirë, ashtu siç i sheh edhe Zoti). Pjesëmarrje në aktivizëm vullnetar në ndihmë të shoqërisë civile për të mundësuar drejtësi dhe për të reduktuar dhunën“,- tha autori Jon Pahl.
Po ashtu Pahl shtoi se Fetullah Gylen është një nga njerëzit më me ndikim në botë i cili ka frymëzuar lëvizjen globale ‘Hizmet’ , që do të thotë Shërbim. Gylen me anë të dhjetra librave e qindra ligjëratave ka nxitur njerëzit që të investojnë në edukim e në shkencë dhe ti shërbejnë njerëzimit. Kjo biografi sjell një këndvështrim më të gjerë rreth figurës së Gylenit në të gjitha dimensionet e tij.