Homazh virtual në kohën e pandemisë

Gratë shqiptare flasin mbi jetën dhe persekucionin e tyre politik gjatë rregjimit komunist në Shqipëri dhe trevave të tjera shqiptare

Nga Moza Boletini

Marrë shkas nga “Fondacioni Amerikan në Mbrojtje të Viktimave të Komunizmit” në Washington, D.C., ku me rastin e Ditës Botërore Kundër Komunizmit do të mbajnë virtualisht homazhe për viktimat e rëna nga komunizmi edhe Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” gjeti kohë për të mbajtur mes anëtareve të saj virtualisht homazhe për viktimat e rëna nga komunizmi në Shqipëri.
Edhe pse kombet janë mbërthyer nga pandemia vdekjeprurëse e covid- 19, ato folën mbi të vrarët, persekucionin e vuajtjet që kanë përjetuar gjatë viteve të diktaturës komuniste.
Nisur nga angazhimi menduam që videon ta shpalosim në dokumentar, si një ndër prioritetet e organizatës tonë. Me modesti e përkushtimin ndaj të drejtave të grave dhe fëmijëve përveshëm mëngët, filluam xhirimet, protagoniste janë vetë ato gra, nëna, vajza e motra shqiptare që janë persekutuar padrejtësisht nga rregjimi i egër komunist.
Do të jenë personazhe nga fusha të ndryshme të jetës të cilat do të hedhin dritë mbi dramat e hallet e tyre nga komunizmi e sllavo komunizmi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e treva të tjera shqiptare.
Komunizmi nuk njohu ligje humane, ai vrau, burgosi, e internoi edhe vajza, gra, nëna shtatëzëna deri fëmijë të vegjël, të cilët kanë lënë trupat e tyre të njomë nëpër kampet e përqëndrimit shqiptar, nga malarja, dizanteria, epidemi, ushqimi mizerabël e kushtet e rënda higjeno sanitare. Filmimet për dokumentarin vazhdojnë, kush ka dëshirë dhe e ndjen se duhet të jetë pjesë e tij është e mirëpritur. Dëshmitë e çdo njërës do të jenë fakte reale të asaj historie të dhimbshme dhe kujtesë homazh për brezat e rinj.

SHKARKO APP