I akuzuar për ngacmim seksual, Domingo anulon shfaqjen
Tenori spanjoll, Placido Domingo, i akuzuar për ngacmim seksual nga 20 gra, anuloi sot një shfaqje skenike të planifikuar për në prill 2020 në Japoni, përpara Lojërave Olimpike të Tokios, u njoftua nga organizatorët.
“Pas një shqyrtimit të kujdesshëm, mora vendimin të mos performoj në Operën Kabuki, për shkak të ndërlikueshmërisë së projektit”, u shpreh Domingo, në një deklaratë të Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike.
“Përshëndes shkrirjen e dy traditave teatrale, që nënkuptojnë bashkimin e dy kulturave në të njëjtën skenë, në harmoni të përsosur me frymën e Olimpiadës”, tha ai, duke theksuar se shpreson që, në një të ardhme të afërt, të ketë një mundësi tjetër për të performuar me artistët Kabuki.
Artisti 78-vjeçar, që po përballet me mjaft akuza për ngacmim seksual, është detyruar të heqë dorë nga shumë koncerte, në veçanti në SHBA dhe nga një ceremoni për dhënie çmimesh.